Opozita maqedonase ‘feston’ refuzimin e propozimit francez

Opozita në Maqedoninë e Veriut e ka vlerësuar si “fitore” të saj refuzimin që i bëri kryeministri Dimitar Kovaçevski propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, raporton REL. VMRO DPMNE-ja vlerëson se propozimi ishte “katastrofal për popullin maqedonas” dhe se pas reagimeve të saj dhe opinionit, Kovaçevski ishte i detyruar të refuzojë propozimin, që la në fuqi veton bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Opozita thotë se përgjegjësi duhet të ketë për shkak të “tentimit për mashtrimin e popullit maqedonas” se propozimi nuk cenonte interesat kombëtare maqedonase.

“Kovaçevski dhe Qeveria e tij menjëherë pas kthimit nga Brukseli janë të detyruar të dorëzojnë dorëheqjen në Kuvend. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, sepse kanë gënjyer opinionin maqedonas se nuk kanë negociuar, por në fakt kanë qenë pjesë dhe kanë shkruar dokumentin që nënkupton bullgarizimin e Maqedonisë”, ka deklaruar Dragan Kovacki, nga VMRO DPMNE-ja.

Propozimi francez përmban disa pika: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha të enjten në Bruskel se e refuzon propozimin francez pasi nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

“Propozimi në këtë formë, siç është tani për tani, është i papranueshëm për mua, për presidentin, për Qeverinë, për partnerët e koalicionit dhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut… Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë i pranueshëm, duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski.

“Është koha që BE-ja t’i përmbushë premtimet e dhëna. Kjo që po ndodh paraqet problem serioz për kredibilitetin e BE-së. Po humbim një kohë të çmueshme që realisht më nuk e kemi në dispozicion. Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe rajonin nuk guxojnë t’i lëmë në vendnumëro, për shkak të një shteti anëtar të BE-së, që nuk po arrin të konsolidohet dhe të zhbllokojë rrugën tonë evropiane”.

“Bullgaria vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të vendosë bllokadë, e cila askujt nuk i përgjigjet përveç palëve të treta që do ta kenë terrenin e hapur për ndikime në rajon”, ka deklaruar Kovaçevski.

Refuzimi i propozimit francez nga kreu i Qeverisë maqedonase pasoi presionet e shumta në opinion dhe kërcënimin e partive të koalicionit se do të largoheshin nga Qeveria nëse Kovaçevski e pranon atë.

“Ky propozim është kundër interesave kombëtare maqedonase. Gjithë procesin e shndërron në diktat të Sofjes dhe në bazë të kësaj ne duhet t’i përmbushim kriteret e Sofjes në vend të kritereve të Kopenhagës. Ka disa pika që na detyrojmë të plotësojmë kërkesa që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë historike. Librat shkollorë duhet të marrin pëlqimin e palës bullgare para se t’i fusim në përdorim te ne… Nëse kalon ky propozim, ne do të dalim nga Qeveria”, ka deklaruar Zoran Ditrovski nga Lidhja Demokratike e Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me refuzimin e propozimit francez, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se Qeveria në raport me kontestin me Bullgarinë, ka pasur qasje të gabuar.

“Qasja të cilën e ka pasur Qeveria për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë ka qenë tërësisht e gabuar. Nuk mund të marrësh legjitimitet dhe të fshihesh pas komisionit historik. As nuk mund të pretendosh që çështjet bilaterale t’i zgjidhin shkencëtarët. Shkenca merret me fakte, ndërsa kompromisin e sjell politika. Ne që në fillim jemi deklaruar si Aleancë për Shqiptarët që po në preambulë duhet të jenë bullgarët”, ka theksuar Sela.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas për çka edhe janë formuar grupe të ekspertëve të historisë, të cilat që nga janari po punojnë për kapërcimin e dallimeve, por ende pa ndonjë epilog konkret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button