“Eco Life” dhjetë vite vullnetarisht i pastron mbeturinat në Banjën e Tetovës, shpesh bëjnë dhe kujdestari (VIDEO)

Mungesa e përkujdesjes së autoriteteve ndaj Banjës së Tetovës ka bërë që tani e dhjetë vite vullnetarë nga organizata “Eco Life” me vetë-iniciativë të bëjnë rregullisht pastrimin e kësaj hapësire. Por përveç pjesës së pastrimit, ata bëjnë edhe kujdestari ku shpesh herë kanë kthyer traktorët që ishin nisur për të hedhur mbeturina në këtë pjesë. Për Portalb.mk ata tregojnë më shumë rreth aktiviteteve të tyre.

Nga “Eco Life” sqarojnë se ideja për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirës ku gjendet edhe Banja e Tetovës ka lindur para 10 viteve, ku ditët e verës i kalonin te vendi i quajtur Brona e 3.

“Dita ditës duke parë se vendi u mbulonte nga mbeturinat dhe askush nuk merrte përgjegjësi (përveç zotri Ismetit), ne bashkërisht nisëm të marrim aksione pastruese dhe nisëm ti sanojmë disa parregullsi që pengonin.  Atëherë hapat ishin të vogla por në fund punën e bënim ashtu siç duhet. Me mirëmbajtjen e kësaj rruge merremi gati 10 vite, pa pushim.”, thonë nga “Eco Life”.

Përveç pastrimit të mbeturinave të cilat i hedhin qytetarët e pandërgjegjshëm, 12 personat e kësaj organizate ndërmarrin edhe veprime tjera, me të vetmin qëllim që të mbrojnë këtë hapësirë, si një ndër të vetmet për rekreacion në Tetovë. Aktivitetet e tyre i realizojnë në formë vullnetare kur kanë kohë të lirë.

“Kemi bërë edhe kujdestari ku kemi pasur sukses, kemi kthyer mbrapsht mbi 25 traktorë të mbushura me mbeturina. Pas reshjeve të shiut dalim gjithmonë dhe ku ka nevojë heqin gurët që qytetarët të kalojnë me automjetet e tyre. Aktivitet tjetër që gati çdo natë e bëjmë është ushqimi  i qenve endacak në atë rajon dhe në disa vende tjera”, nënvizuan nga “Eco Life”.

Ajo që theksojnë nga kjo organizatë është se në të gjithë këtë periudhë nuk kanë mbështetje institucionale аs nga pushteti lokal as nga ai qendror. Përkrahje materiale dhe financiare theksojnë se kanë vetëm nga shoqëria, bizneset dhe njerëzit të cilët e duan natyrën.

Nga “Eco Life” apelojnë që qytetarët t’i ruajnë këto pak vende rekreacioni që janë në Tetovë. Gjithashtu theksuan se kanë nevojë për më shumë qytetarë të bashkëngjiten në aktivitetet e tyre të ardhshme.

“Qytetarët duhet që të vetëdijesohen që të ruajmë atë që na ka dhënë Zoti, është vendi i vetëm ku njerëzit dalin për rekreacion, sport dhe për shëndet! Duhet që institucionet shkollore të mbajnë më shumë mësim për ruajtjen e ambientit dhe disa herë në muaj të bëjnë aktivitete pastrimi. Fëmijët tanë me çdo kusht duhet ta dinë pasurinë e natyrës që në të ardhmen ta vlerësojnë atë”, theksuan nga “Eco Life”.

Mesazhi i tyre për gjithë qytetarët është, që të mos hedhin mbeturina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button