Sela për kontestin me Bullgarinë pas rënies së Qeverisë Petkov: Na ka ngelur vetëm shpresa (VIDEO)

E vetmja gjë që na ka ngelur është shpresa, në përgjithësi shpresa është virtyt i atyre që nuk janë në pozicione të forta negociuse. Kështu tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i pyetur nga Portalb.mk se sa rrezikohet kontesti RMV-Bullgari të mos zgjidhet pasi Parlamenti Bullgar votoi mosbesim ndaj kryeministrit Kirill Petkov, shkruan Portalb.mk.

Sela tha se gjasat janë minimale që kontesti të zgjidhet në këtë kohë.

“Qeveria e Petkovit atje ka rënë, ne shpresojmë që atje do të ngrihet vetoja sepse ai vazhdon të jetë kryeministër në detyrë. Se sa politikisht ai ka të drejtë ta bëjë këtë është çështje tjetër, që i takon Petkovit dhe Bullgarisë. Një sinjal pozitiv ishte dje, iniciativa e opozitës bullgare që i ofroi deputetët e vet si parti opozitare për pranimin e planit të Macronit për zgjidhjen e kontestit mes RMV-së dhe Bullgarisë. Gjasat janë minimal”, tha Sela.

Ai shtoi se për zgjidhje duhet të ulet i gjithë faktori politik.

“Aleanca për Shqiptarët e ka shumë të qartë, ne nuk ju lejojmë përsëri në emrin e diçkaje më të madhe të anashkalohet problemi i njëjtë të cilën shumë me shqetësim dhe me të drejtë e kanë bashkë-qytetarët tanë maqedonas. Në qoftë se për ta është problem dhe fyese që dikush të ua caktojë si do quhet gjuha e tyre, po aq fyese është për ne si shqiptarë, për Aleancën për Shqiptarët, se në emër të të gjithë shqiptarëve nuk mund të flas, pasi ka eksponentë që nuk u pengon 20%. Shqiptarët duhet i gjithë faktori politik të kërkojë ndërrimin e definicionit të gjuhës shqipe dhe në të njëjtën kohë e shfrytëzoj rastin të ju bëj thirrje të gjithë opinionit maqedonas dhe politikë-bërësve maqedonas që paralelisht me këtë proces të zgjidhet edhe çështja e gjuhës shqipe. Në qoftë se kanë dilema pse, për të njëjtin shkak sepse nuk ndihen mirë se dikush gjuhës tyre mundohet ti thotë ose gjuhë bullgare ose gjuhë zyrtare. Kur je parimor bazohesh te parimi, dhe ne si ASH bazohemi në parime”, tha Sela.

Për propozimin francez ai tha se për sa kohë ai propozim në letër nuk ka të shkruar nuk mund të deklarohen. Ndërsa theksoi se qëndrimi i ASh-së mbetet i pandryshuar se qasja q Qeverisë për zgjidhen e problemit me Bullgarinë ka qenë e gabuar.

Këto komente Sela i bëri gjatë press konferencës në të cilën u prezantuan kryetarët e 18 degëve të cilët u zgjodhën brenda partisë, ndërsa në disa degë të tjera do të zgjidhen ditëve në vijim. Ajo që vërehet është se deri tani janë të gjithë janë burra, në mesin e të cilëve nuk ka asnjë grua. Sela për këtë tha se ka pasur kandidatura por se ashtu kanë vendosur kuvendet e degëve. U theksua edhe njëherë se ASh-ja është për zgjedhje të parakohshme.

Ndryshe, rënia e Qeverisë së Kiril Petkovit ka rënduar edhe më tej krizën politike në Bullgari. Diskutimi që duhet zhvilluar mbi propozimin francez u shty dhe kjo nënkupton edhe një veto nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht pengesë edhe për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button