Lëkundjet histerike

Situata në Samitin Evropian që filloi sot është skajshmërisht e nderë dhe dramatike. Ashtu si thotë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, jemi mësuar me këtë gjendje duke pritur çdo vit Godonë që assesi nuk është duke ardhur. Por sivjet, tentimet për të ecur para në procesin e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po marrin vërtet një kahje shumë turbulente. Si pasojë e këtyre turbulencave, dje ra qeveria Petkov në Bullgari dhe u paraqitën edhe disa indicje për lëkundje të qeverisë në RMV, me atë që disa partnerë të kolaicionit thanë që do të dalin nga qeveria nëse kryeministri Kovaçevski e pranon propozimin Francez për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë dhe heqjen e vetos. E gjithë kjo situatë nxori sërish në pah zhvillime absurde në Ballkan, brenda dhe jashtë Unionit Evropian.

Dje ra qeveria Petkov si pasojë e votimit të mosbesimit ndaj saj nga ana e partive opozitare, mes të cilave më e madhja është GERB, partia e ish kryeministrit Bojko Borisov. Në ndërkohë, para se të binte qeveria, Borisov shpalli se partia e tij do ta përkrahë propozimin francez për heqjen e vetos ndaj RMV sapo i njejti të nxiret në votim në kuvend. Me këtë Borisov u bë hero i ditës, dhe u lëvdua zëshëm nga komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varhejli. Në të njejtën ditë, Kiril Petkov, alumni i Harvardit, i njohur për qeverinë e tij pro-evropiane dhe pro-perëndimore, dhe në luftë të hapur me ndikimin rus në Bullgari, e humbi pushtetin. Borisov shkoi edhe më tej dhe kërkoi që propozimi francez të vendoset që sot në votim në kuvend dhe të mos humbet kohë, por vetoja të hiqet menjëherë, e gjithë kjo në emër të vlerave evropiane. E në fakt, kjo veto u vendos pikërisht në kohën e qeverisë Borisov!?

Absurdi tjetër i rradhës është histeria që po ngrihet ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Partnerët e vegjël të koalicionit të qeverisë dje dolën me deklarata se do të dalin nga qeveria po qe se do të pranohet propozimi francez duke thënë se ky propozim është më shumë në favor të Bullgarisë se të RMV. Nuk do të lejojmë bullgarizimin e vendit dhe fshirjen e historisë sonë, thanë. Me këtë tërësisht u pajtua VMRO-DPMNE që po e ngren edhe më tej histerinë në të njëjtën mënyrë si që veproi edhe gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, edhe gjatë Referendumit, edhe gjatë sjelljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe në shumë raste tjera. Për më tepër, VMRO-DPMNE me gjithë shpirt mundohet si gjithmonë që kësaj çështjeje shumë delikate veçanërisht për maqedonasit etnikë, t’i japë konotacion nacionalist në kuptimin e rrezikut të përhershëm nga shqiptarët. Ilija Dimovski, në emisionin e mbrëmshëm Top Tema, deklaroi që maqedonasit etnikë po anashkalohen gjithnjë e më shumë në vendimmarjen në RMV. Ai tha që nuk është në rregull që të dy qeveritë Zaev u krijuan me pakicë të maqedonasve etnikë, që Marrëveshja e Prespës u votua me pakicë të maqedonasve etnikë, e që mund të vijë puna që edhe propozimi francez për heqjen e vetos bullgare të votohet me pakicë të maqedonasve etnikë. Kjo nuk është në rregull sipas Dimovskit sepse në këtë mënyrë maqedonasit etnikë bëheshkan qytatarë të rendit të dytë në këtë shtet. Sipas kësaj logjike i bie që nuk ka asnjë problem që shqiptarët dhe komunitetet tjera në këtë vend të jenë qytetarë të rendit të dytë, por qenka shumë problem nëse maqedonasit etnikë ndjeheshkan si qytetarë të rendit të dytë në këtë shtet!? Ndoshta Dimovski mendon se duhet të krijojmë një shumicë Badinter për maqedonasit etnikë që po mbeteshkan të anashkaluar në të gjitha vendimet madhore në shtet!?

Situatat absurde si këto vetëm sa e risin histerinë mes popujve të vegjël. Është interesnte të ndiqet narativi i partive të vogla të koalicionit qeveritar këto ditë të cilat janë shumë të shqetësuara se po humbeshka identiteti maqedonas dhe se vendi po bullgarizoheshka. Bëhet fjalë për hapje të negociatave për aderim në UE, jo në Bullgari. Bëhet fjalë për sigurim të perspektivës evropiane e jo për themelim të konfederatës me Bullgarinë. Propozimi francez do ta bullgarizojë Maqedoninë e Veriut aq sa Marrëveshja e Prespës e greqizoi atë. Nëse Maqedoninë e Veriut nuk e bullgarizuan gjithë ato pasaporta bullgare që u dhanë për të gjithë ata që pranuan se të parit e tyre kanë qenë bullgarë, atëherë propzimi francez vështirë se do të mund ta arrijë këtë. Fundja nuk e di si nuk e kuptojnë, që të gjithë ato pasaporta bullgare u morën me qëllim të shkuarjes në Evropë në kohën kur politikanët japin e marrin duke i eksploatuar pafund çështjet identitare për qëllimet e politikës ditore. E të gjithë ne të tjerët, mbetemi duke e pritur Godonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button