Vetoja bullgare, Maqedonia e Veriut e refuzoi propozimin francez në formën ekzistuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp në Bruksel pas Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor theksoi se Maqedonia e Veriut e refuzon propozimin francez për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë në formën siç është tani, njofton Portalb.mk.

“Propozimi në këtë formë siç është për momentin është i papranueshëm për mua, presidentin e shtetit, Qeverinë, partnerët e koalicionit dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse gjatë udhëheqësisë franceze arrihet mirëkuptim i pozicioneve tona, ne jemi të gatshëm të kyçemi në bisedime për të njëjtat që të fillohen bisedimet deri në fund të korrikut. Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin dhe të porosis se qytetarët mund të jenë të qetë. Ne gjithmonë i kemi në plan të parë interesat dhe qëllimet strategjike të shtetit. Askush nuk mundet pa pajtueshmërinë tonë të bëjë çfarëdo zgjidhje. Ne kemi bërë gjithçka, tani BE-ja e ka radhën. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia aktivisht dhe praktikisht do t’i zbatojnë katër liritë mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, do t’i evropizojmë shoqëritë dhe do ta përmirësojmë cilësinë e jetesës”, theksoi Kovaevski në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Dimitar Kovaçevski, foto: Qeveria e RMV-së.

Pakënaqësinë me mos përparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai.

Ai tha se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit.

“Ne kemi shumë për të bërë. Derisa ne vazhdojmë në rrugën tonë evropiane shpresojmë se në shekullin e ardhshëm do të jemi anëtarë”, tha Rama.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli lidhur me këtë çështje në konferencë të përbashkët me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Këta të tre janë edhe iniciatorët e Ballkanit të Hapur, që synon bashkëpunim ekonomik në mes të tri vendeve.

Presidenti Vuçiq tha se në samit ka shprehur mbështetjen e tij për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne, tha kryeministri, e dëshirojmë atë që e kanë vendet tjera-anëtare kur janë anëtarësuar në BE, a me atë është respektuar identiteti gjuhësor, etnik, kulturor dhe historik.

“Të gjithë 27 liderë, 27 kobe, 27 vende që janë anëtarësuar në Union, janë anëtarësuar me krenari me të gjitha dallimet dhe me respekt të plotë ndaj dallimeve të huaja kulturore, linguistike dhe historike. Asnjë nga këto nuk është problematizuar. Kjo është ajo që e dëshirojmë, as më pak e as më shumë – respekt për identitetin gjuhësor, etnik, kulturor dhe historik të popullit tim dhe të anëtarësohemi në Union me krenari bashkë me të gjitha vendet-anëtare të BE-së, bashkë me të gjithë popujt e BE-së duke i plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim.

Ai e falënderoi presidentin francez Emanuel Makron për angazhimin dhe përpjekjet dhe i theksoi pozitat e RMV-së dhe linjat e kuqe.

“Formulim i pastër për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas; Çështjet historike nuk munden të jenë kritere në kornizën negociuese; Bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së patjetër të fillojnë përpara fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në preambulën e Kushtetutës; Garanci të fuqishme edhe nga Bullgaria edhe nga Bashkimi Evropian se Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja, jashtë prej asaj që do të shkruhet në kornizën negociuese dhe protokollin bilateral i cili ende nuk është harmonizuar me Bullgarinë; Çdo zgjidhje duhet që të jetë e konsultuar me institucionet e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Kovaçevski.

Ndryshe, në Bruksel, sot filloi samiti dy ditor i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Në Samitin në të cilin marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor është biseduar për zgjerimin e BE-së, Ballkanin Perëndimorë, Ukrainën, aplikimet për anëtarësim në BE nga Ukraina, Republika e Moldavisë dhe Gjeorgjia, si dhe çështjet ekonomike dhe marrëdhëniet e jashtme.

Para takimit të Këshillit Evropian, liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimorë u takuan dhe biseduan për perspektivat e integrimit evropian të rajonit.

This slideshow requires JavaScript.

Ndryshe, rënia e Qeverisë së Kiril Petkovit ka rënduar edhe më tej krizën politike në Bullgari. Diskutimi që duhet zhvilluar mbi propozimin francez u shty dhe kjo nënkupton edhe një veto nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht pengesë edhe për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button