Tatjana Aleksiq: E pranoj publikisht, kam vënë pesa të pamerituara por më kushtëzoi kovidi

Kam vënë pesa të pamerituara, e pranoj publikisht, por kovidi më kushtëzoi që të llastoj fëmijët. Për shkak të ambicieve të sëmura “vulosen” nota komerciale, ka shitblerje të paketave arsimore dhe ka suksese artificiale, prandaj, si sistemi – ashtu edhe arsimi.

Ky është qëndrimi i Tatjana Aleksiq, mësuese e gjuhës maqedonase në “Rade Jovçevski – Korçagin”, në lidhje me numrin çuditërisht të vogël të nxënësve të cilët janë vlerësuar me 5 në testin kualifikues që para disa ditësh u mbajt në gjimnazin “Orce Nikollov”, e që u desh të mbahet për të përzgjedhur kandidatët për regjistrim, shkruan Meta.mk.

Testi tregoi se vetëm 3.8 për qind (11 nxënës) e kandidatëve me notë mesatare 5, kanë marrë notën 5 edhe në test, 39 nxënës ose 13 për qind kanë marrë notën 4, ndërsa treshe kanë marrë hiç më pak se 133 nga ata që e kanë dhënë provimin ose 45,5 për qind e nxënësve, notë 2 kanë marrë pothuajse 24 për qind (70) e nxënësve të shkëlqyer. Rreth 13 për qind (39) e nxënësve të shkëlqyer treguan sukses të pamjaftueshëm. Sipas ekspertëve, kjo tregon se një pjesë e mirë e notave u janë falë nxënësve të shkollave fillore.

U bë publike ajo që futej nën qilim

Rezultatet e testit kualifikues në “Orce Nikollov” shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale. Pyetëm disa profesorë se cila është arsyeja për këtë dhe nëse këto rezultate janë pasqyrë e sistemit të notimit që sugjeron se gjërat padyshim duhet të ndryshojnë.

“U kërkoj ndjesë pesave reale që nuk mund t’u jap dhjetëshe, me fjalinë patetike “ky është sistemi ynë”. Përqindja minimale e pesësheve gjatë provimit kualifikues për regjistrim në “Orce Nikollov” është tregues objektivisht i arsyetuar dhe ashtu duhet të jetë. Kur isha gjimnaziste në “Orce Nikollov” në klasë kishim 5-6 krejtësisht të shkëlqyeshëm gjatë katër viteve dhe ata ishin kapacitete, gjeni. Ndërsa gjenialiteti është i rrallë”, thotë profesoresha Aleksiq.

Falë provimeve kualifikuese në “Orce Nikollov”, sipas saj, u bë publike ajo që dihet, por që futet nën qilim.

“Menduam se testet e jashtme do të na shpëtonin nga intervenimet, megjithatë ata shkuan në drejtim dhe qëllim të gabuar, nuk e arsyetuan idenë për shkaqe tashmë të njohura”, shton Aleksiq.

Ajo zgjidhjen e sheh në sigurimin e kushteve për forcimin e mësimdhënies praktike dhe punësimin e nxënësve të shkollave të mesme pas përfundimit të shkollës së mesme profesionale.

“Vetëm atëherë do të relaksohemi me sistemin e lidhjeve ‘për dikë nënë – e për dikë njerkë’, ndërsa edhe nxënësit edhe prindërit do t’i pranojnë notat reale pa ambicie të sëmura. Për sa kohë që suksesi ndërtohet artificialisht, propagandohet në mënyrë të rreme me mbiprodhim të kuadrove me arsim të lartë, punime shkencore me pagesë dhe diploma false, do të jetë kështu”, shton ajo, duke theksuar se mosdija mund të manipulohet dhe kamuflohet për një kohë të caktuar, por nuk mundet të bëhet në afat të gjatë sepse dituria dhe talenti njihen shpejt.

Rezultati i margjinalizimit të arsimit prej disa dekadash

Elizabeta Sekirarska, profesoreshë në gjimnazin e Kumanovës, thotë që nëse nisemi nga fakti se nga 292 nxënës absolutisht të shkëlqyer, vetëm 11 e kanë kaluar testin me sukses të shkëlqyeshëm dhe shumica e nxënësve kanë treguar sukses të mirë dhe të mjaftueshëm në test, dhe nëse kësaj statistike i shtojmë edhe numrin jo aq të vogël të notave të dobëta, 39, kjo hap shumë çështje.

“Problemin mund ta gjejmë në një numër adresash. Ajo që del në sipërfaqe për mua është fakti që nënkupton margjinalizim prej dekadash të sferës më thelbësore shoqërore – arsimit. Kjo nënkupton reforma prej dekadash që nuk japin rezultate, duke u kthyer nga fillimi me çdo garniturë të re duke mos e përfshirë përfaqësuesit e profesionin në aspektet jetike përmes të cilave funksionon sistemi”, vlerëson Sekirarska.

Ajo që po ndodh tani, shton ajo, ekziston prej kohësh, vetëm se tani po bëhet e dukshme dhe përcakton dështimet serioze edukativo-arsimore të të gjithë aktorëve.

“Sistemi përcakton notat që nuk kanë pas tyre një dimension të njohur. Sistemi është i ngarkuar me improvizime që, për fat të keq, i kanë mësuar edhe fëmijët. Prej tyre nuk kërkohet dituri. Mjaftojnë presionet e prindërve dhe të disa strukturave të tjera, që kursesi nuk e kuptojnë se ashtu e dëmtojnë dhe nuk i ndihmojnë fëmijës”, thotë Sekirarska.

Sipas saj, gjërat janë përzier, vlerat janë degraduar dhe për sa kohë që nuk mblidhen forca për të bërë një rinisje serioze shoqërore, do të endemi dhe do të habitemi nga dështime të tilla.

“Është shumë e vështirë të përballosh presionin në një atmosferë ku vlera matet në mënyrë të gabuar. Do ta mbyll duke thënë se për mua kjo është një lloj thirrje për ndihmë nga fëmijët dhe faji nuk është aspak tek ata”, shtoi ajo.

Zgjidhja është në konceptin e ri të arsimit fillor?

Prof. Dr. Kiril Barbareev është një nga ekspertët kryesorë, i cili ka punuar në Konceptin e ri të arsimit fillor, koncept që ndër të tjera parashikon mënyrë tjetër të vlerësimit. Për rezultatet e dobëta të testit kualifikues në “Orce Nikollov”, thotë se nuk është i befasuar nga kjo situatë.

“Vlerësimi është një përcaktim i vlerës, një gjykim për vlerën. Mënyra se si ne krijojmë vlera në shoqërinë tonë fillon nga ajo se sa qartë, objektivisht dhe vërtetë i edukojmë dhe arsimojmë nxënësit për vlerën reale që ata arrijnë. Derisa punonim, si grup pune, i kishim parasysh të gjitha këto situata në sistem dhe ofruam zgjidhje reale. Për fat të keq, mendoj se thelbi i ndryshimeve është kuptuar shumë pak, sikurse që është kuptuar pak koncepti i vlerësimit që ka një pjesë të veçantë në këtë Koncept”, thotë prof. Barbareev.

Siç sqaron ai, thuhet qartë se është e nevojshme të vendosen kritere të qarta për vlerësim, të cilat janë në dispozicion të publikut, me të cilat sigurohet transparencë gjatë vlerësimit.

“Ajo që është thelbësore: Kurrikulat e bëra sipas Konceptit të ri përmbajnë standarde për vlerësim që i konkretizojnë rezultatet e pritura nga të nxënit për çdo temë/përmbajtje të përfshirë në secilën lëndë veç e veç. Nota duhet të shoqërohet me shpjegim përkatës dhe përparim i nxënësit duhet të dokumentohet nëpërmjet punimeve të tij; vetëm në këtë mënyrë do të zvogëlohet mundësia e ndikimeve joparimore në nota dhe si rrjedhojë do të rritet edhe objektiviteti i vetë notës”, shpjegon ai.

Së fundi, kriteret e vlerësimit do të jenë objektive nëse rrjedhin nga standardet për vlerësim. Nëse nuk respektohen standardet, kalohet në improvizime, vlerëson profesori.

“Arsyeja kryesore për të cilën është shumë e rëndësishme që notat të jenë objektive, gjegjësisht të bazohen në kriteret e vlerësimit dhe të jenë në gjendje të shprehin arritjet reale të nxënësve është se ato mundësojnë prezantimin e lehtë të rezultateve mësimore në nivel të paraleles, shkollës, shtetit dhe duhet të përdoren për lloje të ndryshme analizash që vendosin baza për hartimin e politikave arsimore. Për shembull, analiza e suksesit sipas lëndëve, sipas moshës, gjuhës në mësimdhënies dhe në lidhje me karakteristikat e tjera socio-demografike”, thekson Barbareev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button