Partia e ish-kryeministrit bullgar Borisov do të mbështesë heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut

Kreu i GERB-it dhe ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov njoftoi sot se partia e tij do të mbështesë heqjen e vetos bullgare për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, pasi partia e tij dhe partitë e tjera opozitare nuk u paraqitën në rifillimin e seancës parlamentare, pra nuk kishte kuorum, shkruan mediapool.bg, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë qëndrim, Borisov dëshiron gjithashtu të rrëzojë qeverinë, duke kërkuar një votëbesim ndaj saj, por edhe ta mbështesë atë, duke pranuar suksesin e arritur me propozimin e vetos të presidencës franceze,” komentoi faqja bullgare e lajmeve.

“Nëse ai gënjeshtar dhe frikacak (kryeministri bullgar Kirill Petkov) guxon, do të jenë 59 deputetë që do të mbështesin dhënien e dritës jeshile për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, tha Borisov në fjalimin e tij.

Kryetari i GERB-it foli ashpër kundër kryeministrit Kirill Petkov, kërkoi thirrjen e menjëhershme të seancës së Kuvendit të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, që nesër, kur fillon samiti evropian, të miratohet fillimi i negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Borisov e arsyetoi qëndrimin e tij me vendimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Bullgarisë, që dje pranoi tejkalimin e përçarjes me “kishën në Maqedoninë e Veriut”.

“Dje patriarku dhe peshkopët bënë atë që po bëjmë ne sot,” tha Borisov, duke theksuar se kjo ishte zgjidhja më e rëndësishme për Ballkanin “në mënyrë që të mos mbetemi në pjesën e errët të Euroazisë dhe të lejojmë Putinizimin”.

“Në fund të vitit 2019, qeveria e Borisovit vuri veton ndaj mbajtjes së një konference ndërqeveritare që do të jepte dritën jeshile për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pastaj tema është shfrytëzuar për qëllime parazgjedhore nga VMRO-ja, të cilat ishin partnerë të koalicionit të GERB-it dhe Borisov-it, u pajtuan dhe vendosën veton”, shkruan mediapool.bg.

Procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit duhet të përcaktohet në seancën e sotme të Kuvendit të Bullgarisë, pasi javën e kaluar Nikola Minçev u largua nga partia qeverisëse e kryesuar nga zëvendëskryeministri Asen Vassilev dhe kryeministri Kirill Petkov.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button