Nuk ka informacion se 79 mercenarë të RMV-së luftojnë në Ukrainë

Deklarata Ministrisë së Mbrojtjes ruse se njëzet mercenarë nga Maqedonia e Veriut janë vrarë nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ndërkaq gjithsej 79 mercenarë të RMV-së ndodhen në Ukrainë për të luftuar nuk është e vërtetë. Zoran Apostoloski nga Komiteti Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit (KNPET) për Portalb.mk tha se bëhet fjalë për propagandë ruse. As nga ministria e Jashtme dhe e Brendshme nuk kanë informacione të tilla të konfirmuara.

Siç njoftojnë mediat maqedonase në RMV, duke u thirrur në ministrinë e Brendshme të Rusisë, më 16 qershor është mbajtur takim me gazetarët në të cilin kjo ministri ka thënë se në Ukrainë janë regjistruar 79 mercenarë nga Maqedonia e Veriut.

“Njëzet e një mercenarë nga Maqedonia e Veriut janë vrarë nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. Nga 24 shkurti, kur filluan sulmet ruse, në Ukrainë janë regjistruar 79 mercenarë nga Maqedonia e Veriut. Prej tyre 19 ndërkohë e kanë lëshuar vendin, kurse për momentin gjenden edhe 39, thuhet në tabelën detale të prezantuar nga Ministria ruse për çdo shtet veç e veç” shkruan në lajmin e pretenduar nga Moska zyrtare, të cilin e kanë marrë edhe mediat shqiptare.

Informacionet në lidhje me agresionin rus në Ukrainë që vijnë nga vetë shteti agresor gjithmonë duhet të merren me rezervë, sidomos në këtë rast ku bëhet fjalë për diçka që vështirë mund të konfirmohet.

Deklarata e lartpërmendur është vazhdimësi e propagandës ruse në këtë temë. Rikujtojmë që nga shkurti i këtij viti mediet pro-ruse shpërndanin dezinformata se “mercenarë të Ballkanit Perëndimor përgatiten për luftë në Ukrainë.”

Asokohe, Portalb.mk zbuloi që kjo narrativë e kishte gjenezën te agjencia e lajmeve ruse TASS dhe ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov.

Zlatko Apostoloski për Portalb.mk: Bëhet fjalë për propagandë ruse

Një ndër institucionet kompetente për të ndjekur personat nga Maqedonia e Veriut që shkojnë të luftojnë në ndonjë shtet të jashtëm si dhe të kthyerit nga lufta është Komiteti Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit. Koordinatori Zlatko Apostoloski thotë se nuk ka informacione që dikush nga RMV-ja lufton në Ukrainë, e as që ka të kthyer nga atje.

“Deri te Komiteti Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit nuk është regjistruar asnjë shtetas i RMV-së që ka shkuar në Ukrainë për të luftuar, nuk ka informacione të tilla të konfirmuara fare. Sigurisht bëhet fjalë për ndonjë taktikë të propagandës ruse në lidhje me këtë” tha Zlatko Apostoloski, koordinator i KNPET-së.

Nga Ministria për Punë të Jashtme edhe pse theksojnë që vazhdimisht e ndjekin situatën me agresionin rus në Ukrainë përmes ambasadës së RMV-së në Ukrainë, potencuan se nuk kanë informata të tilla, gjegjësisht, de-jure asnjë shtetas i RMV-së nuk ndodhet në Ukrainë për të luftuar.

“Ministria e Punëve të Jashtme nuk disponon me informacione relevante lidhur me pjesëmarrjen eventuale të shtetasve tanë në luftën në Ukrainë e as për shtetas tanë që e kanë humbur jetën në luftë. MPJ në vazhdimësi dhe me vëmendje e ndjek situatën, përmes Ambasadës në Ukrainë. Sapo të ketë informacione të reja, opinioni do të informohet” deklaruan nga Ministria për Punë të Jashtme për Portalb.mk.

Edhe nga Ministria për Punë të Brendshme përmes një bisede telefonike na konfirmuan që nuk posedojnë me informacione të tilla.

Ndryshe, në këtë deklaratë të Moskës Zyrtare duket se janë përdorur elementet kyçe të narrativit të tyre për Ballkanin perëndimor ashtu siç është ilustruar në hulumtimin e “Stratcom”( Qendra e NATO-s për Komunikime Strategjike), edhe atë se Ballkani Perëndimor është arenë e konfliktit të interesit midis Lindjes dhe Perëndimit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të dobëta, të paaftë dhe të korruptuar, BE/NATO janë të dobëta dhe nuk janë të bashkuara, NATO është agresive dhe provokuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button