REK Manastir dhe Oslomej ndotin gjashtë herë mbi të lejuarën, tregon raporti i CEE Bankwatch Network

Elektranat që përdorin qymyr ende ndotin me sasi të mëdha pluhuri dhe dioksidi squfuri, ndërsa REK Manastir dhe Oslomej janë edhe më tej ndër ndotësit më të mëdhenj në rajon, por edhe në Evropë, tregon raporti i ri nga CEE Bankwatch Network, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Emetimet e përgjithshme të dioksidit të squfurit nga Oslomej dhe Manastir vitin e kaluar, kur për shkak të mungesës së karburanteve dhe defekteve orët totale të punës së termocentraleve u ulën , janë rreth 83 mijë tonë, që është gati gjashtë herë më shumë se e lejuara. Emetimet e pluhurit (grimcat PM) janë rreth 3000 tonë, që është pothuajse dyfishi i nivelit të lejuar.

Njëkohësisht, nuk ka njoftime për investime në kontrollin e ndotjes, por ka njoftime për hapjen e minierave të reja të qymyrit dhe vazhdimin e operacioneve të paligjshme dhe të dëmshme edhe në vitet në vijim.

Kjo situatë, theksojnë nga organizata ekologjike “Eko Svest”, përsëritet prej vitesh, ndërsa me pretekstin e krizës energjetike po planifikohet vazhdimi i funksionimit të elektranave në vend të mbylljes së tyre, madje hapja e minierave të reja të qymyrit dhe riaktivizimi të TEC Negotinë ku si lëndë djegëse përdoret mazuti, ndotës i lartë.

“Problemi i mos zgjidhjes së ndotjes nga termocentralet, nuk mund të injorohet, sidomos në një situatë kur planifikohet vazhdimi i funksionimit të tyre. Mesazhi i raportit është shumë i qartë – ose duhet të mbyllen ose të përshtaten me standardet evropiane. Në të kundërtën, puna e tyre kushton shumë jetë dhe shkakton shumë dëme,” tha Davor Pehçevski nga CEE Bankwatch Network, bashkë-autor i raportit.

Sipas Kristina Dimitrovës nga “Eko-svest”, zgjidhja e krizës energjetike nuk është hapja e minierave të reja të thëngjillit siç është planifikuar për REK Manastir.

“Patjetër të përgatitet dhe urgjentisht të zbatohet “plani B”, i cili do të reduktojë humbjet në rrjet, do të hapë tregjet e tregtimit të energjisë dhe do të rrisë ndjeshëm kapacitetet e energjisë së rinovueshme. Sigurisht, gjatë kësaj duhet zbatuar parimi i një tranzicioni të drejtë që do të sigurojë zhvillim të balancuar të ekonomisë”, tha Dimitrova.

Për të katërtin vit radhazi, CEE Bankwatch Network publikon raport dhe analizë të emetimeve nga termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor. Sikurse në edicionet e kaluara edhe këtë vit termocentralet e Maqedonisë, e mbi të gjitha REK Manastiri, janë ndër ndotësit më të mëdhenj në rajon, por edhe në Evropë. Standardet e reja detyruese nga Komuniteti i Energjisë për Kontrollin e Emetimeve kanë hyrë në fuqi në janar 2018 dhe detyrimi kombëtar për leje ekologjike ka ekzistuar prej dhjetë vitesh më parë. Por edhe përkundër periudhës së gjatë, REK Manastir dhe REK Oslomej vazhdojnë të punojnë ilegalisht dhe pa asnjë investim në kontrollin e ndotjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button