RMV, institucionet ngadalë po bëhen më të hapura për informacione

Rezultatet e fundit nga matja e transparencës së institucioneve shtetërore tregojnë se më e hapur është Qeveria, e cila plotëson 83,43% të kritereve të vendosura për transparencë, ministritë kanë indeks prej 62%, organet drejtuese 45,5% dhe Kuvendi i RMV-së me indeks prej 68%. Kjo, ndër të tjera, theksohet në Raportin e “Metamorfozis” për reformat në administratën publike, me titull: “Administrimi” me administratën – parakusht kyç për reformat, në të cilin theksohet gjendja me procesit reformues nga viti 2021, deri më 31 mars 2022, shkruan Vërtetmatësi.

Qeveria që nga viti 2017, kur garnitura aktuale politik erdhi në pushtet, me vetëm emërimin e një ministri pa portofol, i angazhuar për komunikim, transparencë dhe llogaridhënie, si dhe duke miratuar një strategji komunikimi, ka treguar vullnet politik për transparencë të institucioneve në komunikimin me publikun dhe qytetarët. Më vonë, si rezultat i kësaj, Ligji dhe Plani kombëtar i veprimit për partneritetin e qeverisjes së hapur u bënë dokumenti i 21 i detyrueshëm, ndërsa tani i 22-ti, të cilat çdo institucion i qeverisë qendrore apo organ qeverisës duhet t’i publikojë në faqet e tij të internetit. Rezultat i vullnetit politik ishte ndryshimi i Ligjit për qasje në informacione publike, përbërja e re dhe transformimi i ish-Komisionit në Agjenci për mbrojtjen e të drejtës për informacione me karakter publik, të cilat së bashku sollën rezultate më të mira se periudha e kaluar. Përveç kësaj, Agjencia ka staf solid dhe me një uebfaqe të mirë, dhe që nga mesi i vitit 2021 ka miratuar një Plan strategjik, i cili “përcakton parimet, qëllimet strategjike dhe vlerat përmes të cilave Agjencia do të sigurojë qasje të barabartë dhe të lirë në informacion me karakter publik”.

Se gjërat po shkojnë mirë në këtë drejtim, për sa i përket hapjes së institucioneve, e dëshmojnë më së miri shifrat e fundit të marra nga një projekt rajonal i realizuar nga “Metamorfozis” në bashkëpunim me partnerët e rrjetit rajonal të Organizatës qytetare “Përgjegjësi, teknologji dhe rrjet i hapjes institucionale në Evropën Juglindore” (ACTION SEE). Sipas rezultateve të fundit të matjes për transparencë, më e hapur është Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila plotëson 83,43% të kritereve të përcaktuara për transparencë, ministritë në Qeveri kanë indeks 62%, organet qeverisëse 45,5% dhe Kuvendi i RMV-së me indeks prej 68 për qind.

Në periudhën e përfundimit të këtij raporti, mars 2022, është në proces sistemimi dhe matja e të dhënave të reja për transparencën e institucioneve në kuadër të projektit të drejtuar nga “Metamorfozis”, gjatë së cilës do të bëhet i mundur rivlerësimi i vendit, por dhe krahasimi rajonal.

Me hyrjen në fuqi të Strategjisë, si rezultat i drejtpërdrejt është vërejtur Portali i të dhënave të hapura. Portali u promovua në vitin 2018 dhe më pas kishte 111 grupe të dhënash në të. Nëse shkoni në adresën elektronike të faqes – http://www.data.gov.mk – në pjesën Statistikat, mund të shihni se në të (më 14 mars 2022 kur është marrë ky shembull), ndodhen 637 grupe të dhënash të institucioneve dhe organeve të pushtetit qendror dhe lokal. Numri është ende i vogël, por në vitin 2021 ka pasur mospërputhje mes institucioneve të pushtetit qendror dhe atij lokal. Gjegjësisht, deri në vitin 2021, vetëm disa dhjetëra grupe të dhënash të hapura ishin nga vetëqeverisja lokale, ku kryesonte Qyteti i Shkupit, me gjithsej 17 grupe të dhënash. Është vërejtur se disa nga komunat më të vogla nuk kanë asnjë, dhe Komuna e Vallandovës ka qenë në krye me 11 grupe të dhënash. Mirëpo, gjatë gjysmës së dytë të shkurtit dhe në muajin mars, vërehet ndryshim drastik në publikimin e të dhënave nga vetëqeverisja lokale, që më së shumti vjen si pasojë e bashkëpunimit të vetëqeverisjes lokale me Fondacionin “Metamorfozis” në kuadër të projektit për pjesëmarrje qytetare, i mbështetur nga USAID-i, përmes të cilit bëhet trajnimi i administratorëve dhe punonjësve në vetëqeverisjen lokale. Ky rezultat më i mirë me të dhënat e hapura është arritur vetëm me pjesëmarrjen e gjysmës së vetëqeverisjes lokale, sepse përmes këtij projekti marrin pjesë 44 komuna në RMV, ndërsa të tjerat nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës për bashkëpunim të tillë.

Përveç kësaj, faqja e Qeverisë në vazhdimësi plotësohet me të dhëna për çdo seancë të Qeverisë apo veprimtari të ministrave dhe organeve të Qeverisë së RMV-së dhe ka vazhduar praktika e publikimit të pikave të rendit të ditës dhe procesverbaleve të seancave të Qeverisë. Fatkeqësisht, ende nuk janë publikuar vërejtjet stenografike nga debati, as materialet e dorëzuara në seancën e Qeverisë, edhe kur bëhet fjalë për dokumente me karakter publik, si informacione, analiza, projektligje etj., megjithëse në diskutime me media dhe shoqërinë civile, përfaqësuesit e departamentit për komunikim në Qeveri shpesh thoshin se ky nuk ishte problem. Nga mjetet e tjera me të cilat matet transparenca, vlen të përmendet Mjeti i llogaridhënies për bartësit e funksioneve publik, përmes të cilit secili institucion paraqet disa herë në vit të dhëna se në çfarë shpenzohen paratë nga buxheti i institucionit. Këtu të dhënat publikohen në format të hapur, megjithëse shpejtësia me të cilën është bërë është e diskutueshme dhe të dhënat janë me muaj vonesë. Kjo në një farë mënyre zhvlerëson arsyen pse u hap ajo faqe interneti. Por, sigurisht, këto të dhëna kontribuojnë edhe në transparencë.

Megjithatë, vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë së Transparencës 2019-2021, në fushën e transparencës, i zbatuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, tregon se ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë. Vlerësimi i fundit, i cili u kompletua dhe u publikua së fundmi, thotë si më poshtë:

“Nga gjithsej 45 aktivitete të Planit të veprimit, nëntë janë përfunduar plotësisht brenda afatit të përcaktuar, tre janë përfunduar me vonesë, ndërsa tetë aktivitete janë ende në vazhdim, përkatësisht në zhvillim. Gjithsej 25 aktivitete janë të parealizuara”.

Të dhënat nga një tjetër matje e bërë nga Fondacioni “Metamorfozis”, matje e indeksit të transparencës së njësive të vetëqeverisjes vendore, flasin për gjendjen e luhatshme me transparencë. Nga këto të dhëna për vitin 2021, vihet re se transparenca e matur sipas më shumë se 100 treguesve, vitin e kaluar ka qenë më e ulët se të dhënat e vitit 2018 për shembull. Sipas matjes nga viti 2021, me një metodologji të re edhe më të detajuar, transparenca më e lartë kumulative e një komune është 56 përqind (Ohër), dhe hapja më e ulët e përgjithshme është 3 përqind (Plasnica).

Transparenca financiare – pagesat ditore nga Thesari

Ndër arritjet me të cilat Qeveria mund të krenohet është transparenca financiare. Ndryshe nga shumë qeveri të tjera në rajon, Qeveria e RMV-së ishte e para që vendosi transparencë financiare në drejtim të shpenzimit të parave nga buxheti i qeverisë qendrore, ndërsa në periudhën e kaluar mund të ndiqen edhe pagesat nga një pjesë e pushtetit lokal për përdorues të ndryshëm buxhetor, persona juridikë dhe fizikë.

Të dhënat janë publikuar në portalin “Open Finance” (https://open.finance.gov.mk/mk/home), ku mund të gjenden më shumë se 22.5 milionë transaksione. Në portal mund të shihni kategoritë për “Realizimi i buxhetit sipas muajve”, për “Përfituesi më i madh” i parave buxhetore sipas muajve, “Kredidhënësi më i madh”, për “Borxhi publik”, duke përfshirë borxhin e qeverisë, borxhin komunal dhe borxhin publik dhe pagesat për mbi 1,100 institucione, mbi 70,000 kompani dhe mbi 1.3 milion individë.

Ajo që vlen të përmendet janë dy gjëra – të dhënat përditësohen në baza ditore, si dhe fakti se në arkiv mund të gjenden të gjitha të dhënat për pagesat nga viti 2010 e deri më tani.

Komunat nuk mund të mburren me transparencë të tillë financiare, gjegjësisht pushteti lokale dhe shumë prej ndërmarrjeve publike në nivel qendror apo lokal. Në fakt, kur bëhet fjalë për transparencën financiare, ndiqet trendi i transparencës së përgjithshme – është në rënie si horizontalisht ashtu edhe vertikalisht me daljen nga pushteti qendror dhe për këtë arsye vlera e sistemit të financave të hapura për opinionin është edhe më e madhe.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button