Mbi idetë dhe pulat

Shoqata dhe ekspertë nga qarqet akademike, ekonomike e mediatike e kanë hartuar “Kornizën zhvillimore të RMV”, e njohur si “RMV 2030”. Korniza, e përgatitur për presidencën, mëton evidentimin e përparësive dhe problemeve kryesore në Maqedoninë e Veriut, si dhe ofrimin e zgjidhjeve të mundshme. Sipas Kornizës, përparësitë kryesore janë: (1) rritja e përshpejtuar ekonomike;  (2) mbrojtja më e lartë e mjedisit dhe politika e reformuar energjetike; (3) digjitalizimi i gjithëmbarshëm; (4) arsimi cilësor, hapësira më e madhe për të rinjtë dhe zhvillimi gjithëpërfshirës.

Parakushtet për zhvillimin e RMV-së, sipas dokumentit, janë: (1) sundimi i ligjit, institucionet e qëndrueshme, llogaridhënëse dhe me ndëshkueshmëri të shprehur fuqishëm për praktikat korruptive; (2) stabiliteti makroekonomik dhe ekonomia funksionale e tregut; (3) kultura politike që bazohet në interesin publik dhe (4) administrata publike ku cilësia, njohuria, aftësia e punës dhe përgjegjësia janë kriteret e vetme të punësimit dhe progresit.

Presidenti i shtetit evidentoi tri probleme kryesore: (1) ikjen e të rinjve; (2) pasivitetin dhe apolitizmin e qytetarëve dhe (3) mosbesimin kronik të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.

U tha edhe se gjendja e tanishme është pasojë e efekteve ekonomike, shëndetësore dhe e krizës energjetike.

Diagnoza nuk është e plotë. Së pari, në Maqedoninë e Veriut ka edhe probleme tjera serioze. Së dyti, gjendja e zymtë shoqërore nuk është vetëm pasojë e efekteve ekonomike, shëndetësore dhe e krizës energjetike. Kemi edhe krizë të theksuar morale, ndërkaq problemet janë shtresëzuar përgjatë tranzicionit të lodhshëm e të stërzgjatur.

Çështjet e evidentuara në Kornizë, gjithsesi, janë të pranishme dhe shqetësuese për shoqërinë. Mosbesimi qytetar ndaj institucioneve është ndër më kryesorit. Sondazhet thonë se qytetarët nuk u besojnë institucioneve, veçanërisht atyre të drejtësisë. Institucioneve u beson përqindja njëshifrore e qytetarëve. Aty ku qytetari nuk u beson institucioneve, as mund të priten përparime. Në kësi shoqërie duhet pastrimi. “Pa drejtësi nuk ka paqe”.

Profesori francez Nikola Tanze e përkufizon politikën si paqe ndërmjet njeriut dhe shoqërisë. Pa këtë paqe nuk ka politikë. Kur qytetarët e ndjejnë se vota e tyre nuk ndikon në shoqëri, atëherë apolitizohen, e humbin interesin për të votuar. Por, kjo gjendje është si qetësia para stuhisë. Mund të ndodh që njerëzit të kalojnë nga apatia në aksion të paparashikuar.

Largimi në masë i të rinjve është pasojë e shumë faktorëve. Ata largohen nga vendi sepse nuk shohin perspektivë. Nuk largohen vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe nga shkaku se nuk mund të dëshmohen nëpërmjet aftësive të tyre. Njeriu dëshpërohet kur nuk vlerësohet, prandaj kërkon zgjidhje tjera. Eksodi nuk ndalet me fjalime, analiza dhe me parulla patriotike. Nuk mjaftojnë diagnozat. Duhet terapia e saktë. Diagnozën e di çdo qytetar që nuk ka provuar të merret me analiza sociologjike.

Në dokumentet e ngjashme shpesh nuk përmenden: buxheti i nevojshëm për realizimin e “prioriteteve”, mbartësit e projektit, afati i realizimit dhe as nuk ka detyrime.

A ka strategji për një zhvillim ekonomik, për ndërprerje të eksodit, për nxitje të përgjegjësisë qytetare, për krijimin e institucioneve që ekzistojnë për qytetarin? Përgjigja është e thjeshtë: Jo.

Gjendja përkeqësohet. Politikanët vazhdojnë të rendisin suksese imagjinare. U mjafton “populli partiak”. Populli që i voton. U intereson pasiviteti qytetar, sepse nuk duan të trazohen. Ata janë shkaktarët e mosbesimit qytetar ndaj institucioneve publike.

Për ndryshimin e shoqërisë vërtet duhen njohur problemet, por duhen edhe formula për zgjidhjen e tyre. Në RMV detektohen problemet, por mungojnë zgjidhjet. Është lehtë të rendisësh dëshira, por është çështje tjetër që t’i realizosh. Kjo na kujton një barsoletë. Eprori i urdhëron ushtarët ta shkatërrojnë një urë. Ushtarët e pyesin sesi mund të realizohet kur aty ndodhet ushtria armike. Eprori thotë: “Unë jap ide, me detajet merren ushtarët!” Ose barsoleta me idetë dhe pulat. Njëri kërkon ide si t’i shpëtojë pulat që ia faron epidemia. Miku i jep ide, por pulat sërish ngordhin. Kjo përsëritet disa herë. Pas një kohe pronari i fermës kërkon edhe ndonjë ide. Miku ia kthen: “Unë kam ide sa të duash, por ti a ke më pula”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button