Filloi sezoni turistik, mbeturinat notojnë në Liqenin e Dibrës (VIDEO)

Shezlongët janë shtruar, dibranët po përgatiten për sezonin e verës. Por, bukurinë e këtij atraksioni turistik e prishin mbeturinat që vijnë nga deponitë ilegale të fshatrave skaj lumit Radika. Qytetarët kërkojnë që ky problem të zgjidhet, pasi që kjo shkakton një katastrofë ekologjike për Liqenin e Dibrës, shkruan Portalb.mk.

Shishe plastike e gjësende të ndryshme, mund të shihen në Liqenin e Dibrës, derisa pritet që të vijnë turistë për vizituar këtë atraksion turistik. Para disa javësh, Komuna e Dibrës u bëri thirrje të gjithë aktivistëve dhe qytetarëve që të ndërmerret një aksion për ta pastruar këtë hapësirë. Liqeni u pastrua brenda një dite, por, pas disa ditësh, shishet e plastikës u shfaqën përsëri në liqen. Në bisedë me qytetarët ata për Portalb.mk shprehen se ky aksion që organizohet vetëm në fillim të sezonit të verës, nuk është një rrugëdalje për zgjidhjen e problemit.

Foto nga: Dorina Ajdini | Liqeni i Dibrës 18.06.2022
Foto nga: Dorina Ajdini | Liqeni i Dibrës 18.06.2022

“Ne pronarët e dhe punëtorët e objekteve përreth liqenit, kujdesemi vetë për mirëmbajtjen e plazhit. Kamionët për transportin e mbeturinave që mblidhen përreth, ne i paguajmë vetë. Aksioni me kamionët përsëritet disa herë në vit dhe kjo paraqet një shpenzim shtesë për ne”, tha Arben Fida, pronar i një restoranti.

Qytetarët thonë se duhet një seriozitet më i madh nga Komuna e Dibrës dhe nga Inspektorati Shtetëror i Ministrisë së Ekologjisë që ky vend të jetë në mbikëqyrje të vazhdueshme dhe jo vetëm në sezonin e verës. Ata kanë kërkuar disa herë që të ndërmerret diçka për ta zgjidhur këtë problem, por, kërkesa e tyre, siç thonë ata, gjithnjë ka përfunduar në vesh të shurdhër.

Foto nga: Dorina Ajdini | Liqeni i Dibrës 18.06.2022
Foto nga: Dorina Ajdini | Liqeni i Dibrës 18.06.2022

Ky problem është i kamotshëm dhe qytetarët janë të shqetësuar për katastrofën natyrore që po shkaktohet. Nga Komuna e Dibrës thonë se këto mbeturinat vijnë nga deponitë ilegale të fshatrave të Rekës së Poshtme. Me reshjet atmosferike dhe rritjen e nivelit të ujit të lumit Radika, sidomos në pranverë dhe në verën e hershme, kur bëhet shkrirja e dëborës, mbeturinat e këtyre deponive përfundojnë në Liqenin e Dibrës.

Hekuran Duka

Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka për Portalb.mk, thekson se ka pasur aksion për pastrimin e mbeturinave, por, duhet të ngritet vetëdija e njerëzve që mos t’i hedhin mbeturinat rreth lumit Radika. Ai paralajmëron se do të vendosen rrjeta për parandalimin e depërtimit të mbeturinave.

“Ky problem është tani e shumë vite për shkak të ngritjes së nivelit të ujit dhe të gjitha ata mbeturina të cilat hidhen nga fshatrat përreth të Dibrës dhe të Rekës përfundojnë në bregun e liqenit. Ne çdo vit bëjmë aksion ekologjik për pastrimin e liqenit me Shoqatën e Peshkatarëve jemi duke e punuar një projekt që do ta financon Komuna Dibër për vendosjen e disa rrjeteve që do të parandalojnë depërtimin e mbeturinave në liqenin e Dibrës. Këto rrjeta do të vendosen në fshatin Kosovrast dhe ne si Komunë jemi në procedurë që të ndërmerret diçka në këtë drejtim. Komuna e Dibrës kishte aksion për pastrimin e mbeturinave, por, duhet të jemi më vigjilent në ngritjen e vetëdijes te njerëzit që mos ti hedhin mbeturinat rreth lumit Radika. Ne i përkrahim edhe disa Shoqata Joqeveritare nga fshati Kosovrast, ata bëjnë disa aktivitete për të luftuar këtë fenomen”, thotë Duka.

Në lidhje me atë nëse rrjetat mund të shkaktojë problem për peshqit e lumit Radika, ai thotë se me Shoqatën e Peshkatarëve do të angazhojnë ekspertë të kësaj fushe që të mos ta dëmtojnë florën dhe faunën e Radikës. Ata gjithashtu do të shohin përvoja edhe të shteteve tjera se si veprojnë në këto raste.

Ndotja e Liqenit, para se gjithash është krim moral, por edhe penal. Shtetet e zhvilluara i mbrojnë efektivisht pasuritë e tilla natyrore, por edhe hartojnë strategji se si të zhvillohen dhe të bëhen konkurruese në tregun e atraksioneve turistike. Duhet që në mënyrë të koordinuar, autoritetet lokale, bashkë me komunat përreth dhe ato qendrore të ndërmarrin hapa më serioze afatgjate për ta mbrojtur dhe zhvilluar këtë pasuri natyrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button