MF: Nuk mund të thuhet saktësisht kur do të bëhet pranimi teknik i kontejnerëve gjysmë-nëntokësor në Tetovë

Ende nuk është bërë pranim-dorëzimi teknik i projektit të kontejnerëve gjysmë-nëntokësor në Tetovë. Ndonëse të njëjtit janë montuar tani e disa javë dhe presin që institucionet të merren vesh njëra me tjetrën që të lëshohen në përdorim. Ministria e Financave thotë se nuk mund të thonë saktësisht kur do të bëhet e njëjta pasi janë në pritje nga Komuna e Tetovës të ë caktojë kohën. Kjo e fundit javën e kaluar deklaroi se këtë javë pritet të bëhet pranimi teknik i projektit, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Financave thotë se aktivitetet për realizimin e projektit janë drejt fundit dhe pranimi teknik pritet të caktohet nga Komuna e Tetovës, kur të përfundojnë të gjitha aktivitetet e parapara sipas Marrëveshjes.

“Për momentin nuk mund të thuhet saktësisht se kur do të bëhet pranimi teknik, por pritet që Komuna e Tetovës të caktojë një termin për të cilin do të njoftohet opinion”, thanë nga Ministria e Financave.

Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur nga Portalb.mk për këtë qëndrim të Ministrisë së Financave, nuk u përgjigjën.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës, Mehmet Jonuzi të premten tha se të gjitha procedurat kanë mbaruar, por kontejnerët nuk janë funksional pasi ka mbetur vetëm procedura formale e pranimit teknik, e cila pritet të bëhet javën e ardhshme (domethënë këtë javë).

“Pranimi teknik duhet te behet nga ana e Ministrisë së Financave dhe nga ana e përfaqësuesit të Bankës Botërore që e kanë bërë donacion. Këto janë procedura që kërkohen, dhe presim që javën e ardhshme të kryhet si pranim teknik. Pranimin teknik do e bëjë komuna mandej do bartet te NPK-ja”, tha Jonuzi.

Ndërtimi i kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë realizohet nga Komuna e Tetovës në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Komunale (MSIP) i cili financohet përmes Njësisë së Projektit të Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore.

Rikujtojmë që Tetova ka nevojë urgjente për më shumë kontejnerë pasi ato ekzistues nuk mund të përballojnë sasinë e mbeturinave të cilat hidhen në to dhe si të tilla përfundojnë në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button