Samiti i G7 me dy mega-tema: uria dhe ngrohja globale

Në samitin e G7 do të dikutohet për kriza të mëdha – nga lufta në Ukrainë tek uria dhe ngrohja globale. Pritshmëritë për takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Elmau të Bavarisë janë aq të mëdha sa edhe problemet. Përveç Gjermanisë mikpritëse, grupi i G7 përfshin Francën, Italinë, Japoninë, Kanadanë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Në samit janë ftuar edhe India, Afrika e Jugut, Senegali, Indonezia dhe Argjentina. Po ashtu në të dëshiron të marrë pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, transmeton DW.

Me sulmin ndaj Ukrainës, Rusia është izoluar ndërkombëtarisht dhe kjo e bën më të vështirë bashkëpunimin, jo vetëm në Kombet e Bashkuara. Prandaj grupi G7 po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Në këtë samit mund të përcaktohen drejtime udhëzuese vendimtare për samitin e G20 dhe konferencën e ardhshme të OKB-së për klimën. Të dyja do të zhvillohen në nëntor. “G7 është ndoshta i vetmi forum shumëpalësh, mbirajonal që vazhdon të mbetet i aftë për të vepruar tani që në Ukrainë kemi luftë,” thotë Friederike Meister, drejtoresha për Gjermaninë e Global Citizen, një organizatë që punon për të luftuar varfërinë ekstreme. “Kjo është arsyeja pse G7 ka një rëndësi të veçantë këtë vit, gjithashtu si një koalicion i vendeve më të rëndësishme donatore.”

Kriza në fushën e ushqimit

Për një kohë të gjatë bashkësia ndërkombëtare kishte bërë përparime në luftën kundër urisë. Por kriza klimatike, pandemia e koronës dhe konfliktet po shfaqin pasoja shkatërruese. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, 50 milionë vetë janë në prag të urisë. Organizata e OKB-së e vlerëson si katastrofike situatën në Etiopi, Nigeri, Sudanin e Jugut, Jemen, Afganistan dhe Somali. 750,000 vetë në vendet veçanërisht të prekura kërcënohen nga uria.

Lufta e Ukrainës, pandemia e koronës dhe ndryshimet klimatike të lidhura me thatësirat, për shembull, e përkeqësojnë situatën dhe çmimet e ushqimeve po rriten. Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, ato zakonisht mbulojnë pothuajse një të tretën e kërkesës globale. Sipas Kombeve të Bashkuara 1.4 miliardë vetë në mbarë botën mund të përballen me mungesë ushqimi pasi Rusia mban të bllokuara portet e Ukrainës dhe eksportin e produkteve bujqësore përtej Detit të Zi.

Kriza e klimës

Sipas Këshillit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike emetimet globale të gazeve serrë ishin midis 2010 dhe 2019 më të larta se kurrë më parë në historinë njerëzore. Pa reduktime të menjëhershme të emetimeve qëllimi për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë në krahasim me kohërat para-industriale nuk mund të arrihet më. Organizata Botërore e Motit paralajmëron se temperatura mesatare vjetore në botë mund të kalojnë 1.5 gradë për herë të parë deri në vitin 2026.

Sipas raportit të OKB-së për thatësirën numri dhe kohëzgjatja e periudhave të thatësirës në botë është rritur tashmë me 29 për qind  që nga viti 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button