Nisi mbledhja mes Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke u takuar të hënën për herën e tetë, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale ndërmjet dy shteteve, transmeton REL.

Takimi këtë herë mbahet në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në nisje të​ takimit se marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe intensiv”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në takime të tilla janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre.

Megjithatë, Kurti ka përmendur se ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë “të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme”.

Në këtë mbledhje pritet të prezantohen: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përqenderuar më shumë te rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare.

Ai ka thënë se në shtetin e Shqipërisë janë të regjistruara 1,225 biznese nga Kosova, dhe 1,081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.

“Investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin nëntë milionë euro, kurse vitin e kaluar 139 milionë. Kjo shifër është domethënëse dhe mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme”, ka thënë mes tjerash Rama.

Lehtësimi i qarkullimit

Lehtësimi i qarkullimit ishte në fokus të takimit fundit mes dy vendeve, i cili u mbajt në nëntor të vitit 2021.

Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara vitin e kaluar, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.

Por, marrëveshjet e nënshkruara ndër vite ndërmjet dy vendeve konsiderohen vetëm si marrëveshje në letër, pasi shumë nga to nuk gjejnë zbatim.

Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.

Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje.

Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Por, në tetor vitit 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive.

Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kishin deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2013 ishin dakorduar për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy shteteve tona”, thuhej në njoftimin e para nëntë viteve.

Mbledhja e parë mes dy qeverive ishte mbajtur në vitin 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button