Ngritje-rëniet qytetërimore

“Leximi na mundëson të zbulojmë botën, historinë dhe vetveten” – thotë historiani social, edukatori dhe kritiku i njohur amerikan Daniel J. Boornstin. Vepra Fijet e fshehura të përmbysjeve të mëdha e prof. Milazim Krasniqit, që këtyre ditëve doli nga Logos-A, paraqet një përmbledhje artikujsh me narrativ ndryshe mbi tre elementët e përmendur më sipër, një sërë esesh që rrahin tema jetike, shkruar me një stil të kuptueshëm, madje edhe ato të karakterit shkencor. Autori i mirënjohur në të shkoqit makro-probleme, si dekadenca disashekullore e botës muslimane, gjegjësisht inferiotiteti i “ummetit” përballë Oksidentit, islamofobia, antisemitizmi dhe pogromi andaluzian, që në mënyrë të tërthortë janë reflektuar në politikat gjenocidale që shtrihen deri në shekullin XX dhe deri në gjeografitë tona, Ballkanin modern, gjegjësisht rastet Bosnjë dhe Kosovë, kur ultra-nacionalizmi serb u rishfaq edhe një herë duke promovuar frymën e epërsisë, shenjtërisë vetjake, të thanatos-it, spastrimit të tjetrit etnik dhe fetar.

Vepra me tipare të një skaneri antropologjik ngërthen edhe analizën objektive të identitetit shqiptar, i cili cilësohet si pa dyshim europian, por me episode të lëkundjeve dhe traumave identitare. Shqiptari, nga fryma orientaliste-kolonialiste, është portretizuar si “tjetri”, shprehur me terma rusoianë si “barbari fisnik”, që ka nevojë të iluminohet e të civilizohet, frymë kjo që dërrmon vetëbesimin dhe nga e cila nuk kemi shpëtuar deri më sot. Krasniqi është ndër penat e rralla të zëshme kundër inferioritetit të intelektualëve, të shkollarëve që kanë drojë ta shpalosin  identitetin e vet si muslimanë dhe e fshehin atë pas disa sloganeve të palogjikshme që shkaktojnë fërkime dhe përleshje banale brendashqiptare. Ky vetëperceptim fëmijëror, i shtytur edhe nga eurocentrizmi, real-socializmi vetizolacionist me diktatin e vet ideologjik, nga klima e përgjithshme globale, e dëmton sintezën e natyrshme të diadës besimore tipike shqiptare islam-krishterim, që është kultivuar ndër shekuj.

Një dukuri që përpunohet në këtë libër është edhe ideologjizimi i letërsisë, i kulturës, gabimi fatal i historiografisë dhe publicistikës shqiptare, për t’i paraqitur shqiptarët si gjoja aleat të Serbisë kundër osmanëve në Betejën e Kosovës (1389), që e forcon argumentimin se ajo ishte dhe është lidere e Ballkanit dhe se Kosova në atë kohë ka qenë tokë serbe. Në këtë drejtim autori sugjeron një projekt dekontaminues me vlerësime të mirëfillta të të gjitha mësimeve ose plan-programeve në arsimin publik.

Studimi e përfshin edhe analizën e veprës së McCarthy-t Vdekje dhe dëbim (2015) rreth komplotit në përmasa evropiane për zhdukjen e kombit shqiptar, shqyrtimin e një figurë markante si Ferit Pashë Vlorës, njeri me vlera unike, një rilindës i fshehur, që sipas autorit, duhet të zërë vendin e vet “në kujtesë e në histori”, në analet e kulturës tonë. Dimensioni kritik i autorit vjen në shprehje edhe te recensioni i veprës së Schmitt-it, Kosova (2012), “një publicistikë kjo e dobët”, një fabrikë insinuatash ku gjen vend teza të pavërteta rreth identitetit shqiptar, rreth konvertimit dhe tendosjeve  shqiptaro-serbe.  Një temë tjetër që rreh autori është edhe Covid-19: “virusi, është një shans për një ringritje të mirëfilltë diturore e shpirtërore të njeriut, në pajtim me misionin inicial të njeriut, si mëkëmbës i Zotit në Tokë.” Në vepër detektohen edhe mbetjet nga “filozofia serbe” në kulturën shqiptare dhe nevoja për purifikim të karakterit tonë nga mendësia e dhunës, shteti i përkohshëm, pasurimi enorm dhe i paligjshëm etj.

Ky punim, ku ndërthuren leximi i të tjerëve dhe mendimi i guximshëm, që thyen shumë tabu të leximit të historisë dhe realitetit social shqiptar, ku e shohim goxha më ndryshe qenien tonë kolektive, u hyn në punë sociologëve, politologëve, historianëve, letrarëve, studentëve dhe të gjithë atyre që duan të mësojnë për veten, qytetërimet dhe mundësitë për vetëpërmirësim, duke shpëtuar nga idhujt e imponuar nga “shkenca institucionale” dhe kultura masive dominuese e kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button