Snowden: Unë, spiun i stërvitur

Ish-kontraktori amerikan, Edward Snowden, që bëri publik skandalin e përgjimeve të Shteteve të Bashkuara, ka deklaruar se është stërvitur si spiun, me specialistet mbikëqyrjen elektronike, duke hedhur poshtë zërat se ka qenë vetëm një analist i nivelit të ulët.

Në një intervistë për NBC, ai tha se ka punuar në misione të fshehta jashtë Shteteve të Bashkuara për llogari të CIA-s dhe NSA-s.

Snowden nënvizoi se në ditët e sotme shërbimet sekrete amerikane marrin informacione më të mira nga kompjuterët sesa agjentët njerëzore.

Snowden, 30 vjeç, u largua për në Rusi në maj të vitit 2013 dhe që atëherë jeton atje përmes një azili të përkohshëm që i është dhënë nga qeveria e Moskës.

Vitin e kaluar ai publikoi dokumentet sekrete që vërtetonin përgjimet e administratës amerikane e që u publikuan në gazetat “Washington Post” dhe “The Guardian”.

“Unë jam stërvitur si spiun në kuptimin tradicional të fjalës dhe kam jetuar dhe punuar ‘undercover’ në kontinente të tjera, duke u shtirur se po bëja një punë me të cilën s’kisha lidhje. Majde, më kishin caktuar edhe një emër që nuk ishte i imi”, deklaroi Snowden.

Por ai e cilësoi veten si një ekspert teknik që nuk rekruton agjentë nga shërbimet sekrete të vendeve të tjera. “Ajo që bëj unë është vendosja e sistemeve në punë për Shtetet e Bashkuara dhe e kam bërë këtë në të gjitha nivelet, nga ato më të ulëtat deri tek ato në majë”, vijoi 30-vjeçari.

“Por qeveria amerikane mund t’i mohojë të gjitha këto, duke i fragmentarizuar në disa pjesë dhe duke thënë se unë jam vetëm një analist i nivelit të ulët”, shtoi ai.

Snowden, i cili saktësoi se ka dhënë edhe leksione në Defense Intelligence Agency, para se të largohej nga SHBA punonte për “Booz Allen”, një kontraktor gjigand i qeverisë për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button