Studentët e kanë akuzuar publikisht një profesoreshë se u ka kërkuar ta blejnë librin e saj nëse duan nënshkrime për rregullsi

Një pjesë e studentëve në Fakultetin për Dizajn dhe Teknologji të Mobileve dhe Enterierit (FDTME) pranë Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” e kanë akuzuar një profesoreshë se u ka kërkuar të blinin librin e saj për të marrë nënshkrimin për rregullsi që të mund të hyjnë në provim. Studentët, për Meta.mk, thonë se pasi në publik doli përmbajtja e mesazhit, të cilin kinse ua ka dërguar profesoresha, të nesërmen ajo e ka anuluar provimin e paraparë. Sipas studentëve të FDTME, profesoresha ka kërkuar prej tyre të zbulojnë identitetin e atij që e ka shpërndarë mesazhin, në të kundërt nuk do të mund të hyjnë në provim.

Profili në Instagram “Studentarija“ ka publikuar fragment nga një mesazh të cilin, siç thonë studentët, profesoresha, identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë, ua ka dërguar atyre. Në mesazh thuhet se për të marrë nënshkrimin për rregullsi studentët do të duhet ta blejnë librin e saj, i cili kushton 990 denarë. Njoftimi i “Studentrija” ka mbërritur edhe te profesoresha e prekur, e cila për këtë rast nuk i ka lejuar studentët të japin provimin për të cilin kishin ardhur me vizatime dhe modele të gatshme.

Disa nga studentët e befasuar kanë thënë për “Meta.mk” që profesoresha i ka pyetur se kush e ka shpërndarë bisedën nga komunikimi i tyre dhe që nëse nuk e zbulojnë identitetin e atij që e ka ndarë, nuk do t’u lejojë të hyjnë në provimin për atë lëndë dhe të marrin nota.

“Profesoresha e cila u lajmërua se kërkon t’ia blejnë librin, shumë studenteve na e ka marrë të drejtën për të hyrë në provim. Kur shkuam për të dhënë provimin sot, na tha se nuk do të kontrollonte detyrat tona, as nuk do të na jepte nënshkrime ose nota derisa ta gjenim personin i cili e kishte dërguar mesazhin, sepse ne gjoja dimë gjithçka dhe kishim mënyrat tona për ta zbuluar dhe se ne qenkemi përgjegjës që reputacioni i saj ishte shkatërruar”, tha një student i cili kërkoi të mbetet anonim.

Një tjetër student rrëfen sesi ka marrë njoftim nga profesoresha që kusht për të marrë nënshkrimin ishte të blihej libri i saj.

“Gjeneratat e mëparshme kanë funksionuar në të njëjtën mënyrë, ndaj kemi konstatuar se nuk ka pasur nevojë të protestojmë. Ishte koha për të dhënë provimin dhe kishte 72 orë që nuk kisha fjetur shkaku i provimit. Shkova, por shkaku i lodhjes e kisha harruar portofolin dhe paratë e librit. Profesoresha më ktheu dhe nuk m’i pranoi vizatimet derisa nuk e mora librin. E zgjidha situatën, e bleva librin, e mora nënshkrimin dhe notën”, tha një tjetër student.

Pasi profesoresha nuk ka dashur t’i pranojë në provim, studentët tregojnë se u është thënë të shkojnë në shtëpi. Më vonë gjatë ditës u janë dërguar data të reja për dhënien e provimit.

“Meta.mk” e kontaktoi profesoreshën e cila fillimisht dha deklaratë, por më pas e tërhoqi duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë.

Ajo mohoi se kusht që studentët të marrin nënshkrim është blerja e librit të saj. Sipas saj, përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale janë nxjerrë nga konteksti.

“Ai libër nuk ka lidhje me dhënien e nënshkrimeve. Fakti është se u nevojitet për dy lëndë”, thotë profesoresha.

Është sekret publik se shumë profesorë në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni kërkojnë prej studentëve të blejnë librat e tyre që të kalojnë provimin. Por për këtë problem flitet rrallë në media dhe në radhët akademike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button