RMV, komunat duhet të pyesin dhe dëgjojnë të rinjtë kur krijojnë politika ekologjike

Të rinjtë t’i krijojnë politikat për mbrojtjen e mjedisit jetësor në nivel lokal, të ndërmarrin iniciativa dhe të rrjetëzohen e edukohen, ndërsa zëri i tyre të dëgjohet dhe të vlerësohet nga autoritetet dhe këshillat komunalë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Ky është qëllimi i projektit “Aktivizmi rinor për komuna më të gjelbra” të cilin do ta zbatojnë Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtje të Mjedisit “Go Green”, Qendra për Ndryshime Klimatike dhe Shoqata Rinore “Kreaktiv”. Projekti u promovua sot në Shtëpinë e Evropës në Shkup, në prani të Zëvendësministres për Mjedis Jetësor Hristina Oxhaklieska, Adriana Miku, Menaxhere e programit në Delegacionin e BE-së, përfaqësues të institucioneve dhe pushteteve lokale dhe ambasadorëve të rinj evropianë.

Edhe pse të rinjtë janë edhe e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë, ndonëse ata duhet të jenë nxitësit e ndryshimeve dhe krijuesit e ideve kreative se si të zhvillohen komunat në mënyrë të qëndrueshme dhe si të punojnë me sukses në mbrojtjen e mjedisit, në praktikë pjesëmarrja e të rinjve në krijimin e politikave lokale nuk mjafton.

Sipas Angela Shumkovska, nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, hulumtimi që e ka realizuar kjo shoqatë tregon se edhe tre vjet pas miratimit të ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politikat rinore, vetëm 16 komuna në vend kanë themeluar Këshilla Rinorë Lokalë.

“Kemi konstatuar se të rinjtë nën 30 vjeç janë të përfshirë në vendimmarrje lidhur me planifikimin urban vetëm në 15 komuna. Ata ose nuk janë të informuar se si të përfshihen ose mendojnë se komunat nuk janë të gatshme që t’i përfshijnë. Shumë prej tyre kanë pas edhe iniciativa ekologjike në komunitetet e tyre lokale, por s’kanë qenë shumë të suksesshme. Qëllimi i projektit tonë është të arrijmë pjesëmarrje më të madhe të të rinjve, por edhe ndikim më të madh të tyre në krijimin e politikave në nivel lokal”, tha Shumkovska.

Nga Shoqata e Juristëve të Rinj kanë bëre thirrje deri te të gjithë përfaqësuesit rinorë të institucioneve dhe shoqërisë civile, si dhe të gjithë të rinjtë që të përfshihen në këtë projekt dhe me pjesëmarrjen e tyre të kontribuojnë në forcimin e pozitës dhe kapaciteteve të të rinjve në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Roli i Shoqatës është t’iu ndihmojë atyre ta kuptojnë dhe zotërojnë legjislacionin ekologjik dhe të edukojë juristë të rinj të cilët do t’u ndihmojnë aktivistëve dhe organizatave rinore për ta zbatuar atë me sukses.

Do të punojmë në një program trajnimi me juristë të rinj me theks në të drejtën ekologjike, ndërsa synimi është t’i trajnojmë ata për të ofruar ndihmë juridike cilësore. Ata do të lidhen me aktivistë të rinj për të vepruar së bashku përmes themelimit të një zyre për aktivizëm ekologjik”, tha Shumkovska.

Projekti, i cili do të zbatohet brenda tre vitesh, do të krijojë një platformë edukative me dy module, njëri prej të cilëve do të orientohet kah ndryshimet klimatike, ndërsa i dyti kah aktivizmi ekologjik dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje.

“Platforma do të krijohet sipas nevojave të të rinjve dhe nevojës për rrjetëzimin e tyre. Qëllimi është që organizatat të bëhen më të forta dhe më të zëshme në kërkesat e tyre për ndryshime në komunat ku veprojnë. Kurset e para onlajn do të organizohen në vjeshtë dhe shpresojmë që kjo të jetë baza dhe modeli që mund të përsëritet në të gjitha komunat. “Dëshirojmë të aktivizojmë eko-aktivizmin dhe të rinjtë të dëgjohen dhe konsultohen, ndërsa qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë komuna më të gjelbra”, tha Milla Jovanovska nga “Go Green”.

Sipas Filip Stojanovskit nga Qendra për Ndryshime Klimatike, kjo organizatë do të punojë në hartimin e një doracaku që do t’u ndihmojë të rinjve dhe organizatave të tyre të kuptojnë se çfarë është Kapitulli 27 dhe cilat janë obligimet që dalin prej tij.

Ne kemi detyrim që politikat ekologjike evropiane t’i marrim në ligjet tona, por ato duhet të afrohen tek të rinjtë, që ata t’i kuptojnë, por shpeshherë duhet t’u sqarohen edhe administratorëve komunalë. Shumë komuna në vend kanë vetëm nga një nëpunës në këto departamente dhe ata zakonisht kanë shumë përgjegjësi, prandaj ata vetë nuk kanë as kohë, por as burime për të bërë kërkime. Ky doracak duhet t’u ndihmojë të gjithëve që së bashku të arrijmë qëllimin përfundimtar për t’u lënë një të ardhme më të pastër të rinjve, tha Stojanovski.

Në kuadër të projektit do të organizohen tetë takime rajonale në çdo rajon të vendit, ku të rinjtë do të mund të takohen me kryetarët e Komunave dhe të vendosin komunikimin fillestar.

Për deputeten Monika Zajkova, Koordinatore e Klubit për Çështje dhe Politika Rinore në Kuvend, të rinjtë janë e ardhmja, prandaj duhet të aktivizohen Këshillat Rinorë Lokalë që do të punojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ajo vë në pah se në nivel lokal tashmë po shohim eko ​​aksione të organizuara nga të rinjtë, një sinjal pozitiv, por që nuk i zgjidhin problemet në mënyrë sistemore. Vlerëson se kemi nevojë për Strategji Kombëtare të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike dhe këtu e sheh rolin e rinisë dhe këshillave vendore që duhet të iniciojnë nisma dhe zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button