Për gjuhën dhe identitetin nuk negociojmë, paralajmëroi Kovaçevski

“Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk do të negociohen”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Prespës për Dialog, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth përmbajtjes së propozimit francez për heqjen e vetos bullgare që mundëson nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, raporton REL.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për shkak të disa kontesteve mes dy vendeve që lidhen me gjuhën dhe identitetin, Bullgaria e ka bllokuar këtë proces.

Kovaçevski ka nënvizuar se tek autoritetet maqedonase ende nuk ka mbërritur propozimi francez, i cili harmonizohet nga ana e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Nëse vendet anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe Bullgarinë, harmonizojnë propozimin në raport me zgjerimin, gjatë samitit të ardhshëm do të na dorëzohet propozimi, dhe ne atëherë do t`i japim vërejtjet tona. Lidhur me qëndrimet, ato janë qartë të përcaktuara nga Kuvendi, se nuk do të negociohet për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe se zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse me garanci se pas kësaj nuk do të ketë kërkesa të tjera në raport me integrimin tonë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kovaçevski ka përshëndetur përpjekjet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron – që kryeson me presidencën e BE-së deri më 1 korrik – i cili personalisht ka iniciuar gjetjen e një zgjidhjeje.

Sa i përket problemeve të brendshme në Bullgari me humbjen e shumicës parlamentare, kryeministri Kovaçeski ka theksuar se në këtë situatë është me rëndësi që të mos politizohet kontesti që ka Shkupi me Sofjen zyrtare.

Të premten ish-ministri i Punëve të Jashtme, zyrtar i lartë nga radhët e VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, në rrjetet sociale ka publikuar dokumentin, i cili, sipas tij, paraqet propozim-kornizën negociuese të Këshillit të BE-së për Maqedoninë e Veriut.

Sipas dokumentit të publikuar, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, bëhen pjesë e kornizës negociuese me BE-në, ndërkohë për Maqedoninë e Veriut hapet edhe një çështje tjetër – ajo e Kushtetutës dhe përfshirjes së pakicës bullgare si kusht për caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

Milloshoski ka akuzuar kryeministrin Kovaçeski, ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, dhe ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq, të cilët, ka thënë ai, edhe pse kanë qenë në dijeni për këtë dokument, nuk kanë arritur që marrëveshjet dypalëshe t’i ndajnë nga korniza negociuese, për çka janë angazhuar shumë anëtare mike të Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button