fbpx

Kovaçevski dhe Osmani u takuan me Eskobarin: Dialogu strategjik me SHBA-në hap perspektiva për projekte reja

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar zëvendësndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, i cili sivjet po merr pjesë në Forumin e Dialogut të Prespës në Ohër.

Në takimin ku mori pjesë zëvendëskryetari i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, është theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së shënojnë përmirësim të vazhdueshëm, gjë që u konfirmua me fillimin e procesit të Dialogut strategjik në Uashington me 2 qershor të vitit 2022.

“Është për tu theksuar se gjatë bisedës u potencua se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nis dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fazë tjetër e avancuar në bashkëpunimin politik dhe ekonomik duke identifikuar projekte dhe iniciativa të reja me interes të përbashkët. Në takim Kovaçevski dhe Eskobar diskutuan për situatën aktuale në botë, krizën e shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, e cila edhe një herë vlerësohet si e pajustifikuar dhe e paprovokuar dhe jashtëzakonisht e rëndë për sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e Qeverië.

Kryeministri Kovaçevski në bisedë me Eskobarin, ka theksuar se Maqedonia e Veriut vazhdon ti aplikojë angazhimet strategjike politike për të mbështetur proceset për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në operacionet e NATO-s, si dhe për të përshpejtuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Zëvendës-ndihmës i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, theksoi nevojën për një fillim të menjëhershëm të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe potencoi mbështetjen e SHBA-së për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe me Republika e Bullgarisë.

Çdo vonesë e mëtejshme në këtë proces, theksuan të dy bashkëbiseduesit, shkakton pasoja të rënda rajonale dhe inkurajon rreziqet e rritjes së ndikimit të palëve të treta.

Kryeministri Kovaçevski në takim, vuri në dukje përfitimet e nismës “Ballkani i Hapur”, të cilën, siç theksoi zëvendësndihmës i Sekretarit të shtetit Eskobar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht dhe e vlerësojnë si veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimorë.

Me Eskobarin u takua edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në takim morën pjesë edhe ambasadori Majkëll Karpenter, Përfaqësues i Përhershëm i SHBA-së pranë OSBE-së në Vjenë dhe Ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Meri Bërns.

Bashkëbiseduesit përshëndetën Dialogun Strategjik të mbajtur së fundmi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së në Uashington, si fazë të re në marrëdhëniet bilaterale dhe avancim të partneritetit strategjik, por edhe si mundësi të shkëlqyer për thellimin e mëtejshëm dhe inkuadrimin konkret të bashkëpunimit në fushat me interes.

Në takim u diskutua për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor si synim i përbashkët strategjik, si dhe për situatën aktuale në këtë kontekst. Me këtë rast, u theksua nevoja për fillimin sa më të shpejtë të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE, si kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe si mënyrë për ta kthyer kredibilitetin evropian në rajon.

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është çështje sigurie, prandaj përshpejtimi i proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor është e rëndësisë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Evropë në tërësi. E vlerësojmë lartë mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për fillimin sa më të shpejtë të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit nga palët e treta”, tha ministri Osmani.

U diskutua edhe për sfidat e sigurisë në rajonin e OSBE-së, reflektimet e tyre mbi konstelacionet politike në Ballkan. Në takim u përshëndet vendosshmëria, përgjegjësia dhe përkushtimi ynë aktiv ndaj multilateralizmit, si kryesues i ardhshëm i OSBE-së, si dhe formate tjera multilaterale, në një kohë kur bota po përballet me sfida serioze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button