RMV, Prokuroria larg pritshmërive të Antikorrupsionit: Për 20 vjet vetëm 3 lëndë kanë kaluar në Gjykatë

Komisioni Antikorruspsion inicon lëndë që mund të kenë elemente të veprës penale, të cilat më pas kalojnë në Prokurorinë Publike, e cila ngrit procedura, por me shumë pak epilogje. Nga ana tjetër, Antikorrupsioni nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim, pasi Prokuroria është institucion i pavarur dhe për vendimet e saj Antikorrupsioni nuk ka asnjë kompetencë. Anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit rreth një muaj më parë kërkuan llogari nga Prokuroria Publike, përkatësisht çdo vendim që do të merret të njoftohet dhe të dihet se çfarë ka ndodhur me iniciativat e tyre, transmeton Portalb.mk.

Sipas Komisionit Antikorrupsion, nga 187 iniciativa të saj të ngritura prej 20 vitesh para organeve më të larta përgjegjëse, disa prej këtyre janë dorëzuar në Prokurori, vetëm tre kanë arritur në gjykatë, ndërsa për të tjerat lëndë, përgjigjja ka qenë se nuk kanë bazë dhe elemente të mjaftueshme të veprës penale.

Kërkesa e Antikorrupsionit ndaj Prokurorisë për ta njoftuar me rastet e iniciuara nga kjo e para, në njëfarë mënyre dëshiron të obligojë Prokurorinë, pa ndikuar te ajo, që të veprojë në mënyrë më proaktive dhe objektive. 

Sipas Antikorrupsionit edhe pse nuk mund ta thonë se ku qëndron problemi i Prokurorisë, por ajo që mund të konstatojnë është se ka mungesë kuadri dhe çka është më e rëndësishmja, Prokuroria nuk del hapur të flasë për kapacitetin dhe problemet e saj, ashtu siç ndodh me Antikorrupsionin.

Vërejtja kryesore e tyre ndaj Prokurorisë është se disa procedura janë të stërzgjatura, zvarriten gjërat dhe nuk është në nivelin që duhet, ndërsa këto janë edhe mangësi sistemore. Sipas tyre, ka disa reforma që janë bërë në aspekt të rregullativës ligjore, edhe kode etike të reja janë sjellë edhe për gjykatës edhe për prokuror. Këshilli Gjyqësor vepron deri diku në mënyrë shumë më proaktive, Këshilli i Prokurorëve, ngec, aty duket se politizimi është më i madh.

“Kur është potencuar se në bazë të Strategjisë për menaxhim me resurse njerëzore,  në Prokurori duhet të ketë mbi 1300 të punësuar, ndërsa për momentin, aty kanë rreth 450 deri 500, atëherë lind pyetja se si menaxhohen punët me kaq pak njerëz të sistemuar. Ndërsa përgjigjja e tyre është se nuk është problem mungesa e kuadrit dhe kushteve teknike që nuk veprohet, por se në faktë ata veprojnë. Tani ka informata që disa qyteteve të mbesin me një ose dy prokuror. Kështu që reforma ka ngecur te ata, ata nuk flasin objektivisht për atë, prandaj kemi ardhur në një situatë qesharake”, deklarojnë nga KShKP.

Sa i përket bashkëpunimit, shtojnë nga Antikorrupsioni, është i domosdoshëm dhe ai ekziston, por pengesat janë të natyrave të ndryshme. Bashkëpunimi është i detyrueshëm, nuk varet prej vullnetit të askujt, por është i sanksionushëm me ligj

“Prokuroria duhet të jetë më e prerë në mënyrë që të kuptojmë saktë pse nuk përfundojnë ata procedura me epilog në kohë dhe ashtu siç ne konsiderojmë. Ata konsiderojnë se ata veprojnë dhe se ata janë kompetentë të vendosin në fund se iniciativa është në rregull, ka elemente për vepër penale ose s’ka. Se kur e qon në prokurori duhet të ketë elemente të veprës penale”, thonë nga KShPK.

Të pyetur nga Portalb.mk për këto vërejtje, Prokuroria, ashtu siç deklaron edhe Antikorrupsioni, thotë se ata veprojnë në iniciativat e dorëzuara te ata dhe në disa raste janë bazë për formimin e lëndës, ndërsa në raste të tjera ato bashkohen dhe bëhen pjesë e provave në një rast të themeluar më parë në Prokurorinë Publike.

“Prokurorët publikë janë të obliguar që të shqyrtojnë tërësisht pretendimet në çdo parashtresë dhe të ofrojnë prova përkatëse për të vërtetuar gjendjen faktike dhe përgjegjësinë e mundshme penale. Meqenëse veprimet e ndërmarra në këtë procedurë para hetimore janë sekrete, Prokuroria Publike mund të ndajë informacione më të detajuara për zhvillimin e një rasti të caktuar me publikun dhe institucionet e tjera vetëm pasi pretendimet të jenë vërtetuar me provat përkatëse dhe të konfirmohet dyshimi i arsyeshëm për vepër të kryer penale”, thonë nga Prokuroria.

Me fjalë të tjera, arsyetimi i Prokurorisë është siç dihej, se ata veprojnë, porse kur nuk kanë bazë se është kryer vepër penale, rastet nuk mund t’i çojnë më tej.

Vërejtje për nevojën e ndjekjes së rasteve të KShPK-së nga institucionet përkatëse, kishte edhe në raportin e KE-së të vitit 2021, kur mes tjerash thuhet:

“Gjetjet dhe rekomandimet e tij duhet të ndiqen sistematikisht nga institucionet përkatëse. Bashkëpunimi i disa institucioneve shtetërore në sigurimin e të dhënave apo ndjekjen e rekomandimeve të Komisionit në raste individuale nuk është i mjaftueshëm”.

Ndryshe, problemet në fushën e drejtësisë stagnojnë edhe rrugën eurointegruese e vendit, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button