Edhe një deputet u largua nga partia e Sllavi Trifonovit, kryeministri Petkov i bindur se do të ketë edhe të tjerë

Partia e shoumanit bullgar Slavi Trifonov “Ka një popull të tillë” (ITN) humbi sot një  tjetër deputet – i gjashti që largohet nga partia që nga largimi nga koalicioni qeverisës. Deputeti Kiril Simeonov nga Varna sot në një fjalim emocionues në parlament tha se i vjen turp që dje votoi së bashku me GERB-in dhe DPS-në për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit bullgar, Nikola Minçev, njoftoi faqja bullgare mediapool.bg, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 239 deputetë, 125 dje votuan “për” shkarkimin e Minçevit, 113 ishin kundër, ndërsa një deputet nga “Vazhdojmë me ndryshimin”, aleanca partiake e kryeministrit Kiril Petkov, abstenoi. Kërkesën për shkarkimin e Minçevit e kanë dorëzuar dje deputetët e GERB-it, DPS-së, “Ka një popull të tillë” (ITN) dhe “V’zrazhdane” (Ringjallja).

Deputeti Simeonov tha sot se ka hyrë në politikë për të luftuar kundër sistemit, kundër status quo-së, por doli se dje ka votuar “për sistemin”.

“Kam hyrë në politikë pa pasur prindër – kuadro partiake, pa më përkrahur askush, pa biznesmenë pas meje. Kur e takova Sllavi Trifonovin më pyeti “pse je këtu, për çfarë po lufton?”. Unë i thashë “jam këtu për të luftuar kundër sistemit, kundër status quo-së. Dje votuam bashkë me atë sistem dhe më vjen turp për këtë”, tha ai.

Pak ditë para votimit të besimit në qeverinë e tij, të iniciuar nga GERB-i, kryeministri bullgar Kiril Petkov në një intervistë për bullgaren “Kapital” parashikon se deri në 15 deputetë të ITN-së nuk janë të bindur se “duhet të ndjekin Slavin dhe Toshkon (Jordanov) “. Sipas Petkovit, nëse qeveria do të kishte mbështetjen e deputetëve të tillë, ai do të ndihej më rehat.

Petkov sqaroi se deputetëve të ITN-së që aktualisht mbështesin qeverinë, do t’u propozojë vende në listat e ardhshme të koalicionit të partisë së tij “Vazhdojmë me ndryshimin” (PP), por jo si tregti.

Svetlin Stojanov, një nga pesë deputetët që janë larguar nga ITN deri më tani dhe po veprojnë si të pavarur, tha gjithashtu se të paktën pesë deputetë të tjerë do të largoheshin nga partia “Slavit dhe Toshkos”, por këtë nuk e zbuloi gjatë votimit për shkarkimin e kryetarit të parlamenti që të mos sulmohen, raporton mediapool.bg.

“Të paktën edhe pesë të tjerë janë të gatshëm. Jam i sigurt se edhe gjithë të tjerët janë gati – pa Toshkon, Balabanovin dhe Ivën”,  tha Stojanov në një intervistë për gazetën 24 Çasa.

Ai parashikon se gjatë votimit të mosbesimit ndaj qeverisë së Petkovit “do të ketë arsye të shëndoshë në mesin e atyre deputetëve”.

Ndryshe, para Parlamentit bullgar dhe në parlament dje ka pasur protestë dhe më pas ka pasur debate të forta dhe përplasje fizike mes deputetëve.

Pas shkarkimit të Minçevit, mijëra qytetarë u mblodhën dje para parlamentit për të protestuar, duke qëndruar aty për orë të tëra. Pas orës 22, situata u përshkallëzua pasi policia parandaloi një tentativë për të sulmuar deputetët e “V’zrazhdane” të Kostadin Kostadinov, një politikani i ri shumë nacionalist dhe prorus.

Kostadinov paraprakisht gjatë ditës nga foltorja e Kuvendit tha se dyshonte në spontanitetin e protestës kundër rrëzimit të Minçev dhe “shpjegoi” se diçka e quajtur “Majdan” po bëhej në Ukrainë në vitin 2014, kur njerëzit në Kiev protestuan kundër presidentit ukrainas pro-rus, Viktor Janukoviç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button