Fejzullahu: Nuk do të këndoj asnjëherë nëpër dasma

Këngëtari i njohur i skenës sonë, Sabri Fejzullahu, në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se së shpejti do t’i publikojë dy këngë të reja për publikun e vet. Ndër të tjera këngëtari ka shpalosur se e ka përfunduar edhe një bashkëpunim me Ermal Fejzullahun, ndërsa nuk ka lënë anash edhe angazhimet dhe planet tjera për këtë sezon.

Për më shuam se dyzet vjet Sabri Fejzullahu është njëri ndër këngëtarët më të dashur të skenës sonë. Muzika e tij dhe dashuria që e përçon përmes paraqitjes skenike, kanë bërë që Sabriu të mbetet emri më i pëlqyer i muzikës moderne shqiptare. Por, edhe pse pas vetes ka një bagazh me shumë suksese, Fejzullahu nuk ndalet asnjëherë.

Ai edhe këtë sezon ka vendosur që publikut të tij t’i dhurojë dy këngë të reja. Kështu të paktën ka treguar vetë këngëtari në një bisedë për gazetën Tribuna.

“Dy këngë të reja i kam përfunduar. Njërës prej tyre do t’ia bashkëngjis edhe videoklipin. Titullin e këngës ia ka vënë Emrushi i ‘Emra Com’, por unë ende nuk e di. Besoj që brenda tre ose katër ditësh do të publikohen”, ka thënë Sabriu, ndërsa ka shpalosur edhe bashkëpunëtorët e këtyre këngëve.

“Muzikën dhe orkestrimin e ka bërë kompozitori më i mirë i gjitha trojeve shqiptare Virusi, kurse tekstet i ka shkruar ai që po ashtu i shkruan tekstet më të mira, Fatmir Muja. Videoklipin e kam bërë me ‘Max Production’ në Tiranë. Dhe mos të harroj të tregoj se njëra këngë është ritmike e tjetra baladë. Videoklipin ja kam bërë këngës e cila është baladë”.

Bashkëpunimi me Ermalin, gati

E ndonëse këtë sezon shumë prej këngëtarëve kanë paralajmëruar albume, duket se Sabri Fejzullahu nuk e ka ndërmend një projekt të tillë. Sipas tij albumet më nuk e kanë vlerën e dikurshme.

“Kam menduar për album. Unë i kam 6 këngë për album. Por nuk po duam t’i publikojmë se po më duket se nuk po shkojnë albumet. Kështu që kam vendosur dy këngë t’i publikoj tani, ndërsa në mes të shtatorit edhe një, e tre të tjerat do t’i bëj publike në programet e fund vitit”, ka thënë këngëtari i cili ka treguar se përveç këtyre këngëve ai tashmë e ka përfunduar edhe bashkëpunimin me djalin e tij, Ermalin.

“E kemi bërë një bashkëpunim unë dhe Ermali, kënga është e kryer, tash varet se kur do ta lansojë Produksioni ‘Emra Com’. Kënga është kompozim i Virusit me tekst të Fatmir Mujës dhe është këngë ritmike. Tjetër bashkëpunim nuk do të kem përveç kësaj me Ermalin tim”, ka treguar këngëtari.

Ndërkaq në pyetjen rreth angazhimeve nëpër mbrëmje muzikore, Fejzullahu ka thënë që është tej mase i angazhuar në çdo vend ku ka shqiptarë.

“Jam shumë i angazhuar në mbrëmje muzikore, sidomos tash në diasporë. Verës do të jem gjithë muajin korrik dhe gusht në Ulqin dhe në Durrës, e po ashtu dhe në krejt Kosovën e në qytet tjera”, ka nënvizuar këngëtari, ndërsa ka shtuar për fund se asnjëherë nuk ka kënduar nëpër dasma, madje ka theksuar se një gjë të tillë nuk do ta bëj ndonjëherë. “ Unë kurrë në jetë nuk kam kënduar në dasma, dhe nuk do të këndoj asnjëherë nëpër dasma”./Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button