fbpx

Dudumët e gjithkohshëm të shqiptarisë

„Si vendosen në Shqipëri dudumët“ është prozë e fuqishme satirike e ndërtuar nga 5 letrat e imagjinuara që këmbehen në mes protagonistëve Selim Gucit dhe Nalim Vesh-gjatit. Fjala është për një lloj shkrimi të pëlqyer nga Faik Konicës, që i mundësonte një liri të plotë shpërthimi, një qerasje fine të tipave të konceptuar për antipodë të vetvetes, me dushe të akullta cinizmash. Brendia e shkrimit sugjerohet fuqishëm nga vetë titulli i tij, që zgjon asociacione të panumërta me të kaluarën dhe me të tashmen tonë politike. Kjo prozë me nota parodike e me karikime shumë të veçanta, e ka begatuar letërsinë shqipe me një prototip politikani që, mes ballkanasish, duket i pavdekshëm.

Subjekti i shkrimit në fjalë është i thjeshtë dhe mund të jepet me fare pak fjalë: Nalim Vesh-gjati i propozon Selim Gucit të vijë në Shqipërinë indipendente dhe duke u treguar një nacionalist i zjarrtë, duke gënjyer me politika të nënrogozt e me lajka, fitojë besimin e klikave dhe të emërohet ministër. Selim Guci e pranon hapekrah propozimin, me ankesën e vogel se ka pak telashe me gjuhën shqipe, për të cilën thotë se është gjuhë e shtrembër, ndaj nuk i hy fare në kokë. Kjo, natyrisht, nuk përbën ndonjë pengesë që atij t’i ofrohet ministria e arsimit, të cilën nuk e deshi, sepse më shumë e tërhiqte çanta e mbushur e ministrit të financave, pa çka se, siç e pohon me gojën e vet: „… në dituri financash jam m’i vobektë se agaj që shiti një barrë dru në trek dhe vajti të pyesë mikun e tij në mori të holla të mjafta!“ .

*

“Pa krahë, Shqipëria është e humbur” është shkrim tip kolumne ku trajtohet çështja e shthurrjes së Orientit dhe frika që ndjen Konica për atë që do të pasojë më pas. Ai i njihte dhe detajet e tragjedive që kishin ndodhur dhjetë vjet më herët në Sanxhakun e Nishit, kur serbët, në emër të çlirimit të gjoja tokave të tyre nga pushtuesit turqë, dëbuan nga trojet shekullore mijëra shqiptarë, duke e realizuar kësisoj njërin ndër gjenocidet e mëdha në historinë e Evropës moderne. Frika e tij për mundësinë e përsëritjes së tragjedisë ishte më shumë se reale: “Le ta themi që Turqia u-rëkëllye dhe u-prish: ne ç’të bëjmë? Italianët dhe Malëzinjtë në të mëngjër, Bullgarët në të djathtë, Sërbët mi kokë dhe Grekërt së poshtërmi do të derdhen si të tërbuar në bark të Shqipërisë. Kundrë kujt të qëndrojmë më parë? S’kemi as fiqalë për të drejtuar luftën, as ushtëri të mësuar dhe me kanone për të lëftuar. Ne duam të ushqehemi me ëndëra, a në na pëlqen të lozim me punërat e shënjtma të mëmëdheut, do të themi se s’na duhen as fialë as ushtëri as kanone, se miaft në është trimëria”.

Ashiqare: Konica ndjente krupë nga kjo logjikë meskine që garantonte vetëm tkurjen e mëtejshme të Mëmëdheut. Shih për këtë, Ai kritikon e nxit të gjithë mëmëdhetarët që ta shtojnë propagandën e tyre dhe ta vetëdijësojnë masën amorfe për rrezikun real që i kanosej. Mundësitë e shpëtimit, veç ngjeshjes së rradhëve të bashkatdhetarëve i shihte dhe në lidhjen e një miqësie të qënrueshme me ndonjë shtet të fortë që mund t’i dilte zot Shqipërisë në rrethana të pafavorshme për të: “Shqipëria ka nevojë të përpiqet të ketë krahun e nonjë Shtetit të shëndoshë dhe të math qi të mos na dojë të ligën, po për kundrë të na hapnjë udhëra për një autonomi të miaftme, për përparimin e kombit, – PËR SHPËTIMIN”.

E sipërthëna flet për largpamësinë e Konicës politikan, sepse atë që propozoi përpara një shekulli të plotë, sot është politikë e dy shteteve shqiptare, të lidhura ngushtë me SHBA-në, pa përkrahjen e së cilës do të ishim më keq se ç’jemi, sepse, njësoj si para 100 vitesh, në njërën anë kemi mi kokë Sërbët e militarizuar e të armatosur ankas për t’na zhbërë nga faqja e dheut, kurse, në anën tjetër Grekët që vënë kufijtë e Vorio Epirit në jugun e Shqipërisë, duke shpallur para hundëve tona trimërore dhe me pëlqim dudumësh shqipfolës varrezat shqiptare si varreza të ushtrive greke.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button