Liderët evropianë mbështesin kërkesën e Ukrainës mbi statusin e kandidatit në BE

Gjermania, Franca, Italia dhe Rumania mbështesin aspiratën e Ukrainës për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton REL. Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi mbërritën me tren nga Polonia në Kiev mëngjesin e së enjtes, më 16 qershor, ku më pas atyre u është bashkuar edhe presidenti rumun Klaus Iohannis

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar bisedime me liderët evropianë dhe më pas mbajtën një konferencë për shtyp në Pallatin Presidencial në Kiev.

“Ditë e ngarkuar, takime të rëndësishme. Është kënaqësi të takoj presidentin Macron, kancelarin Scholz, kryeministrin Draghi dhe presidentin Iohanniss në Kiev. E vlerësojmë solidaritetin tuaj me vendin dhe popullin tonë”, tha presidenti ukrainas në kanalin e tij Telegram duke postuar fotografi të takimit me liderët e BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se liderët e pranishëm të enjten, më 16 qershor në Kiev janë të gjithë mbështetës që Ukraina të fitojë statusin “e menjëhershëm” të kandidatit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se ai erdhi në Ukrainë me një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane. Ai shton se Gjermania do të mbështesë një vendim pozitiv për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE. Scholz thotë gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa i nevojitet.

Edhe kryeministri i Italisë Mario Draghi, ripohoi mbështetjen e tij për aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ai tha se Italia dëshiron që Ukraina të ketë statusin e kandidatit në BE dhe do ta mbështesë këtë pozicion në takimin e Këshillit Evropian të javës së ardhshme.

“Populli ukrainas mbron çdo ditë vlerat e demokracisë dhe lirisë që mbështesin projektin evropian, projektin tonë,” shtoi ai. “Ne nuk mund ta vonojmë këtë proces.

Draghi shton se Italia dëshiron të shohë një fund të konfliktit, por “çdo zgjidhje diplomatike nuk mund të ndahet nga vullneti i Kievit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button