Katër vjet nga “Marrëveshja e Prespës” që i dha fund sherrit 27-vjeçar Maqedoni-Greqi, tani “Deja Vu” me Bullgarinë

Sot bëhen katër vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, e cila nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare, shkruan Portalb.mk.

Katërvjetori i Marrëveshjes së Prespës, Maqedoninë e Veriut e gjen në pozitë ku po mundohet në të gjitha mënyrat që të mos i përsëritet problemi me Greqinë, i cili zgjati plot 27-vite. Bullgaria, me të cilën vendi ynë ka nënshkruar dhe një marrëveshje për fqinjësi të mirë në vitin 2017-të, i ka vënë dy herë veto për fillimin e bisedimeve, ashtu sikur Greqia para Marrëveshjesh së Prespës. Sot, Greqia është aleate e Maqedonisë së Veriut dhe e fton Bullgarinë ta heqë veton.

Bullgaria thekson se kombi maqedonas është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga udhëheqësi i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndërkaq gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes. Autoritetet e RMV-së janë të qëndrimit se çështjet e tilla janë të panegociueshme, sidomos duke u thirrur në të drejtën e vetëvendosjes. Veç kësaj, problemi trashet kur kësaj çështje i “hidhen mëlmesa” të ngjarjeve dhe personazheve historike, ku secili shtet thotë se është i tyre.

“E mira” e kësaj bllokade është se si asnjëherë tjetër, të gjitha shtetet evropiane, por edhe SHBA-ja është në anën e RMV-së dhe e rrisin presionin ndaj Bullgarisë t’i thërrasë arsyes për t’i tejkaluar kontestet historike jashtë rrugës eurointegruese, ku krahas RMV-së është bllokuar dhe Shqipëria. Por, Bullgaria, të paktën, deri më tani ka arritur që t’u bëjë ballë këtyre presioneve dhe ta lë ende veton në fuqi.

Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov
Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov

Opozita maqedonase, në vazhdimësi e ka refuzuar Marrëveshjen e Prespës duke e quajtur “kapitulluese”, pasi sipas tyre, me atë është humbur identiteti maqedonas dhe gjuha, por në të njëjtën narrativë i qaset edhe procesit të bisedimeve me autoritetet bullgare, duke akuzuar Qeverinë për të njëjtat gjëra. Autoritetet qeveritare, këto aludime të opozitës i kanë refuzuar.

Sigurisht që mosrealizimi i premtimeve të shumta të partnerëve euro-atlantik për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit kanë krijuar klimë zhgënjyese në vend dhe kjo shihet edhe në anketat ku euroskepticizmi në RMV ndër vite është në trend rritës.

Dhe për këtë, zjarrit i ka fryrë në vazhdimësi propaganda ruse në RMV, por edhe në rajon, e cila nëpërmjet burimeve dezinformuese mundohet ta ushqejë popullin me narrativa anti-perëndimore të tipit “perëndimi është i pafuqishëm”, “perëndimi gënjen”, “perëndimi ka interesat e saja”, “Brukseli burokratik”, “SHBA-ja imperialiste”. Nëpërmjet këtyre iluzioneve, ata, mes rreshtash, por edhe hapur ftojnë popullatën për t’u distancuar nga Perëndimi dhe për t’u afruar me Rusinë.

Kjo narrativë dhe ky ndikim është me prezencë të jashtëzakonshme edhe në Bullgari. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Bullgarisë, Rusia kryen veprime hibride kundër orientimit euro-atlantik të Bullgarisë dhe sabotim të plotësimit të angazhimeve nacionale në NATO dhe BE.

Pavarësisht tentativave, autoritetet shtetërore të RMV-së vazhdojnë ta kenë fokusin në interesin strategjik, krahëpërkrahë me vendet perëndimore me qëllimin final, anëtarësimin e vendit në BE.

Në vijim ju sjellim një përshkrim të nisjes dhe zgjidhjes së problemit 27-vjeçar mes Maqedonisë (tani të Veriut) dhe Greqisë

Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.

Pavarësisht se Greqia insistonte në ndërrimin e emrit dhe flamurit, më 8 shtator vitit 1991 në Maqedoni u mbajt referendum për shpalljen e pavarësisë dhe më pas më 17 nëntor të po të njëjtit vit Maqedonia e shkruajti emrin në Kushtetutë dhe u deklarua se nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë. Për shkak se flamuri i Maqedonisë përmbante yllin e Verginës (një diell me tetë cepa), një simbol grek, Maqedonia më pas flamurin e modifikoi, i cili u pranua nga pala greke.

Flamuri me simbolin e Verginës
Flamuri me simbolin e Verginës

Në vitin 2004, tre nga pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Rusia, SHBA-ja dhe Kina, e njohën Maqedoninë me emrin – Republika e Maqedonisë, megjithatë Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nuk pranuan. Nga ana tjetër 104 shtete tjerë, në mesin e të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova për marrëdhëniet bilaterale e përdornin emrin Republika e Maqedonisë.

Propozimet e OKB-së për të ndryshuar emrin nuk u pranuan nga pala greke, pasi që e njëjta nuk dëshironte që në emërtimin e shtetit fare të përdorej fjala Maqedoni. Andaj, OKB-ja ka vazhduar ta quajë Maqedoninë si Ish Republika Jugosllave e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq Greqia e ka quajtur me emrin e kryeqytetit – Shkupi.

Harta që shpjegon Maqedoninë antike dhe Maqedoninë e Veriut
Harta që shpjegon Maqedoninë antike dhe Maqedoninë e Veriut

Çështja e emrit, ka hapur për Maqedoninë një sërë problemesh tjera, në mesin e të cilave janë edhe eurointegrimet, problemet e identitetit, historisë apo kulturës.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, në vitin 2008-të, çështja e emrit në vend që të zgjidhej u përkeqësua edhe më shumë, pasi që në Samitin e Bukureshtit, Greqia vendosi veto për anëtarësim të Maqedonisë.

gruevski-nimic
Gruevski – Nimic

Partia me të cilën, udhëhiqte Nikolla Gruevski, pas vetos së Greqisë, edhe më shumë i ashpërsoi marrëdhëniet me fqinjin jugor dhe kështu për t’i vënë kulminacion konfliktit ai në vitin 2014-të e shpalosi projektin mbi 600 milionë euro “Shkupi 2014-të”, i cili parashihte vendosjen e përmendoreve dhe veshjen e disa ndërtesave me fasadë barok.

Në mesin e përmendoreve ishin edhe Aleksandri i Madh dhe Filipi i Dytë, për të cilët Greqia i llogaritë heronj helen dhe e akuzoi Shkupin për falsifikim dhe vjedhje të historisë dhe kulturës greke. Por pavarësisht kundërshtimit grek, Maqedonia asokohe i vendosi në qendër të Shkupit.

Shkupi 2014
Shkupi 2014

Negociatat mbetën të bllokuara deri në maj të vitit 2017-të, kur erdhi në pushtet partia majtiste LSDM, në krye me kryeministrin Zoran Zaev.

Bisedimet filluan menjëherë të intensifikohen dhe madje dolën në pah dhe emra konkret në lidhje me atë se si do të quhej emri i ri i shtetit, i cili gjithashtu do të ishte i pranueshëm edhe për palën greke.

Në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë u kyç edhe Methju Nimic, i dërguari i OKB-së për çështjen e emrit, i cili kishte pauzuar pasi që ishin bllokuar negociatat.

Derisa zhvilloheshin negociatat, opozita VMRO-DPMNE vazhdonte me retorikën kundër marrëveshjes, e cila ishte në një linjë me disa lëvizje proruse të cilat bënin protesta për të mos arritur marrëveshje me Greqinë, pasi që sipas tyre do t’u humbte identiteti. Lëvizja të tilla kishte edhe në Greqi, të cilat gjithashtu ishin kundër arritjes së marrëveshjes.

Protesta para Kuvendit te Maqedonise 11.01.19
Protesta para Kuvendit te Maqedonise 11.01.19

Bisedimet për emrin zhvilloheshin nëpërmjet ministrave të Punëve të Jashtme të dyja vendeve, Nikolla Dimitrov nga Maqedonia dhe Nikos Koxias nga Greqia. Për emrin gjithashtu janë takuar dhe kanë biseduar edhe kryeministrat e dy vendeve, gjegjësisht Zoran Zaevit dhe kolegut të tij grek, Aleksis Cipras.

Kryeministri Zaev paralelisht me bisedimet me palën greke, i ftoi në takim edhe të gjithë liderët e partive politike në vend, përfshirë edhe presidentin e atëhershëm Gjorge Ivanov, i cili e përkrahte partinë e tij amë, VMRO-DPMNE.

Cipras – Zaev

Fillimisht u propozua emri Republika Ilinditase e Maqedonisë apo në maqedonisht Ilindenska, por e njëjta u refuzua dhe vazhduan negociatat.

Pas intensifikimit të bisedimeve, dy kryeministrat u kyçën për t’i zgjidhur dhe çështjet më kompleske dhe të njëjtit arritën marrëveshje, të cilën e nënshkruajtën më 17 qershor të vitit 2018-të në Prespë, në prani të Nimicit dhe përfaqësuesve të BE-së, Johanes Han dhe Federika Mogerini. Sipas marrëveshjes Maqedonia do ta ndërronte emrin dhe do të quhej Maqedonia e Veriut, ndërkaq në aspektin e historisë, shteti ynë duhej të hiqte dorë nga heronjtë e lashtë grek, të cilët ishin përvetësuar dhe përshkruar si heronj maqedonas.

  • Marrëveshjen e plotë mund ta lexoni: KËTU
Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës. Dimitrov – Zaev – Cipras – Koxias

Marrëveshja u nënshkrua, por opozita si ajo greke, por edhe ajo në Maqedoni të njëjtën nuk e pranuan dhe e shpallën si tradhti ndaj popullit. Në një linjë me to ishte edhe presidenti Ivanov, i cili madje i mbronte dhe protestuesit prorus të cilët bllokonin rrugët për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes.

Nga ana tjetër, bota perëndimore e përshëndeti arritjen e marrëveshjes historike. Të gjitha shtetet e BE-së, por edhe SHBA-të, i uruan palët për tejkalimin e kontestit 27-vjeçar mes dy vendeve.

Për arritjen e Marrëveshjes kryeministrat Zaev dhe Cipras u nominuan për Çmim Nobel për paqe.

Megjithatë, për të hyrë në fuqi marrëveshja duhej të ratifikohej në të dyja vendet. Përpara votimit në Kuvend, Maqedonia shpalli referendum për emrin për më 30 shtator të vitit 2018-të, ku qytetarët do t’i pyeste nëse e pranonin emrin e ri Maqedonia e Veriut, i cili emër do t’ia hapte rrugën euroatlantike shtetit.

Gjatë fushatës së referendumit, Shkupi u bë qendër e personaliteteve të larta shtetërore të shteteve më të fuqishme botërore. Opozita dhe presidenti i shtetit e bojkotuan referendumin.

Referendumi për emrin

Në referendum votuan 666.743 votues (36.91%), 609.813 (91.46%) ishin për ndryshim të emrit, ndërkaq 37.700 (5.65%) ishin kundër.

Referendumi u shpall i suksesshëm dhe i pranuar nga bota perëndimore, ndonëse opozita e mohoi të njëjtën gjë për shkak të mosarritjes së censusit prej 50%.

Për t’u ratifikuar marrëveshja në Kuvend, duhej të bëheshin ndryshime kushtetuese të cilat këkonin shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht 80-të deputetë, të cilat pushteti e kishte rëndë t’i sigurojë.

Disa deputetë të opozitares VMRO-DPMNE ishin kërcënuar nga kolegët e tyre që të mos votojnë për ndryshime kushtetuese. Pas bisedimeve dhe negociatave me palët, më 11 janar u caktua seancë plenare në të cilën deputetët do të duhej të votonin. Në mbrëmje, 81 deputetë, në mesin e të cilëve dhe 8 nga opozitarja VMRO-DPMNE, votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës.

Ndryshimet kushtetuese Zaev - Ahmeti
Ndryshimet kushtetuese Zaev – Ahmeti

Pas votimit, opozitarja VMRO-DPMNE i përjashtoi nga partia 8-të deputetët e saj.

Dy javë pas Maqedonisë, tanimë të Veriut, edhe Kuvendi i Greqisë e ratifikoi Marrëveshjen e Prespës me çka e njëjta hyri në fuqi. Me këtë rast, Greqia e hoqi bllokadën e vitit 2008-të për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut me këtë rast e nënshkroi protokollin për anëtarësim në NATO dhe në maj të vitit 2020, u bë anëtare e plotë përkrahë 29 shteteve tjera.

Flamuri i NATO-s para Kuvendit
Flamuri i NATO-s para Kuvendit

Ndonëse me vite të tëra, Maqedonia e Veriut merrte rekomandime për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e njëjta nuk u bë deri përpara se të arrihej marrëveshja. Megjithatë, siç cekëm më lartë, fillimi i negociatave tani mbahet peng nga fqiu tjetër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button