RMV, numri i analfabetëve është ulur, por hendeku gjinor është i ngjashëm me atë prej dy dekadash (Infografik)

Numri i popullsisë analfabete në RMV është 18.897 persona, tregojnë shifrat e grupit të tretë të të dhënave që i publikoi Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) në fillim të këtij muaji. Sipas regjistrimit të fundit vitin e kaluar, 1,2 për qind e popullsisë është analfabete. Ajo që ka efekt shumë negativ është se në mesin e analfabetëve, më shumë se dy të tretat ose mbi 70 për qind janë gra, shkruan Meta.mk.

Krahasuar me regjistrimin e mëparshëm, të realizuar në vitin 2002, përqindja e analfabetëve në popullsinë e përgjithshme është ulur. Në vitin 2002, gjithsej 63.562 persona, gjegjlsisht mbi 3% e popullsisë ishin analfabetë. Por edhe atëherë, hendeku gjinor në arsim ishte po aq i dukshëm sikurse sot, dy dekada më vonë. Nga popullsia e atëhershme analfabete, tre të katërtat ose më shumë se 76 për qind kanë qenë gra.

Analfabet 1

Sipas regjistrimit të fundit, hendeku është veçanërisht i dukshëm tek të moshuarit, ashtu që me rritjen e kufirit të moshës, hendeku gjinor te analfabetët zgjerohet. Kështu, numri i analfabetëve mbi 50 vjeç është 12.587, pre j tyre 9.772 janë gra, përkatësisht mbi 77 për qind e analfabetëve të moshës mbi 50 vjeç janë gra.

Analfabet 1

Gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të njëjtën kohë, dominojnë edhe në numrin e popullsisë që dinë shkrim lexim. Shkrim-lexim dinë mbi 95 për qind e popullsisë, gjegjësisht 1.461.295 persona, ndërsa më shumë se gjysma në këtë grup, ose 739.561 janë gra.

Sipas nivelit më të lartë të përgatitjes shkollore, në popullsinë e përgjithshme rezidente, të moshës 15 vjeç e më shumë, dominojnë personat me arsim të kryer të mesëm, numri i të cilëve është 44,1 për qind e popullsisë së përgjithshme. Të dhënat tregojnë se 27,8 për qind e popullsisë kanë arsim fillor, ndërsa 17,3 për qind me arsim të lartë. Me arsim fillor jo të plotë janë 4,1 për qind, ndërsa pa arsim janë 1,5 për qind e popullsisë.

Pothuajse 2 për qind e popullsisë ka diplomë master, 0,4 për qind doktoraturë dhe 3 për qind janë me përgatitje  të panjohur shkollor.

Krahasuar me regjistrimin e vitit 2002, vërehet se niveli më i lartë i shkollimit është në rritje, gjegjësisht ka rritje të personave me arsim të mesëm, universitar, master dhe doktoraturë, ndërsa është zvogëluar numri i personave pa arsim.

Ndër fushat e arsimit, më të njohurat për ata që ndjekin arsimin aktualisht janë shëndetësia dhe mbrojtja sociale, të cilat studiohen nga 26.324 persona, pastaj vjen biznesi, administrata dhe drejtësia – me 19.557 persona, inxhinieria, prodhimtaria dhe ndërtimtaria – me 18.589, shkencat sociale, gazetaria. dhe informacion – 17.552. Teknologji të informacionit dhe komunikimit aktualisht studiojnë 13.452 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button