PËR ÇKA TË SHKRUAJ

E diel është. Natë, po nxehtë. Vera, si duket i hapi dyert e pranverës së vonuar dhe më në fund erdhi me diellin përcëllues ta pjekë grurin nga i cili ne shqiptarët vazhdojmë të varemi. Ende grurin e quajmë bukë, që do të thotë ushqim kryesor. Gjumi s’më merr nga vapa që për një ditë-dy i ka nxehur bllokat e betonit në rrokaqiellin ku jetoj. Gjithë ditën kam dashur të lexoj ndonjë libër, por gjithmonë del diçka që s’të lë: o ndonjë detyrim, o ndonjë mik që e takon rastësisht e ulesh me të ta pish një kafe, kurse tash, kur të tjerët flenë, e hap kompjuterin ta shkruaj ndonjë fjalë, e cila nuk rri e qetë e të ndjek duke kërkuar që të shpërthejë se i duket ngushtë brenda në shpirt. Duke shkruar më “bën shoqëri” spikerja. E lë të flasë sa për ta dëgjuar, të më duket se dikush flet në dhomë, se më mundon zukama e një mize fushe që është futur brenda e s’ndalet duke zukatur. Miza, më në fund tretet diku dhe dëgjohet spikerja. Jam ndalur në fund të një fjalie dhe them: hajt ta dëgjoj. Ndoshta ka ndonjë lajm. Ndoshta do të tregojë për mitropolitin Amfilohije për të cilin lexova se do të shkuaka në Shqipëri me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama, madje më një qershor, në Ditën e fëmijëve. Duke e ditur se çfarë qëndrimi ka pasur mitropoliti ndaj gjakatarëve serbë kur makineria ushtarake e policore serbe e okupoi Kosovën, duke e ditur sa e ka mbështetur makinerinë vrastare serbe që donte ta shfarosë popullin shqiptar, s’më hiqej një shije e hidhur që m’u shfaq kur e pata dëgjuar këtë lajm. Dëgjova lajme të tjera. Er e beter. Të gjitha kundër nesh. Sa u ngrita ta ndal televizorin sepse, mendova se më mirë do ta kisha të luftoja me fjalët që dinë të bëhen të padëgjueshme dhe inatmëdha, por që në fund të shpërblejnë shpesh me një kënaqësi, se sa ta duroj atë ndjenjën e hidhur që të bën ta ndjesh veten aq të imtë kur e merr vesh se Amfilohija do të shkojë në Tiranë, kur në Kosovë fshatrave ende nuk janë fshirë pikat e gjakut të fëmijëve të vrarë nga ata që i bekonte dikur po ky Amfilohije ose ku e dëgjon një gënjeshtër të madhe “shkencore” se Pjetër Bogdani paska qenë herë maqedonas, herë serb… Dhe, e keqja s’të lë të qetë e të shtohet kur e di se vizita e popit bëhet me rastin manifestimeve që i bën Serbia me rastin e njëqindvjetorit të të ashtuquajturës tërheqje të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri duke shkuar në Korfuz dhe duke ditur se kjo tërheqje ka shkaktuar djegien e qindra fshatrave shqiptare, një zot e di sa vrasjet e shqiptarëve që i kanë bërë rezistencë këtij zullumi dhe një zot e di sa përdhunimet e femrave të shkreta shqiptare. S’je rehat as për Pjetër Bogdanin kur e shpallin si sllav, por edhe më keq ndjehesh kur dija shqiptare hesht si përmendorja e Lekës së Madh. Për ndonjë përgjigje eventuale nga ana e shkencës shqiptare spikerja nuk tha asgjë, por tha se sezoni i pushimeve ka filluar dhe se shumë pushues nga viset shqipfolëse, pra nga Kosova e nga Maqedonia kanë filluar t’i mbushin plazhet shqiptare. Instiktivisht e ngrita dorën dhe bëra: phi! Nuk më erdhi mirë ajo fjala e spikeres kur e tha me një “lehtësi të padurueshme”: shqipfolëse! Shqipfolës ne dikur u thoshim atyre njerëzve që ishin shqiptarë, por që ishin shërbëtorë të policisë serbe. Me një fjalë ata ishin njerëz që ishin rritur me gjuhën shqipe, por që nuk ishin shqiptarë, nga shkaku i thjeshtë se për ndryshim nga ne që e mbronim identitetin shqiptar, ata mbronin ato forca që kërkonin shfarosjen tonë. Tash spikerja e tha aq lehtë këtë fjalë duke na bërë të gjithë neve shqipfolës, neve që e shpenzuam jetën për të mos qenë shqipfolës, por shqiptarë!

U ngrita dhe e fika televizorin. Thashë le t’i hajë dreqi edhe vizitën e Amfilohijes edhe fjalën e çorroditur shqipfolës me të cilën na identifikon një spikere ose një televizion. I them vetes: hajde lalë, ti nisja e shkruaj dhe mos e mundo veten me këto gjera të cilat nuk i ndryshon dot. Ulem para kompjuterit. Përsëri kalon miza duke zukator nga një kënd i dhomës dhe tretet në këndin tjetër. Çka të shkruaj? Më ndjekin hijet e Amfilohijes dhe të fjalës shqipfolës. E lashë, thashë. Do të lexoj diçka. Kur në një portal njëri shkruan për një shkrimtar, për një mikun tim të ndjerë. Ky njëri demek i del zot mikut tim të ndjerë. Broçkulla. Miku im i ndjerë as një kafe s’e ka pirë me shkruesin e këtij teksti, për të cilin nuk do të vazhdoj të shkruaj sepse thjeshtë nuk dua t’i bëj reklamë të pavërtetës. Nuk më lexohet pas këtij shkrimi. As gjumë nuk kam. Përsëri them – të shkruaj!

Jashtë bie shi. Rrëmet. Miza – për herë të tretë. Mu si ajo miza te përralla e Pushkinit për Carin Salltan. Përsëri s’më le rehat shkrimi. Për çfarë të shkruaj? Të shkruaj për hallet e fshatrave të që po zbrazen. Mirë është, por s’i lexon kush këto tekste. Për blerimin e mrekullueshëm që e stolis relievin e Maqedonisë perëndimore? Nuk kalon as kjo. Mileti do politikë. Do ta kritikosh sa më shumë, ta përdorësh leksikun e poezisë së Katulit për njërën palë dhe t’i thurësh oda palës tjetër. Jo që kam kundër partive tona. Asgjë s’më lidh me to, përveç përshtypjes se janë bërë si stofi “i hangrëm” e i mbetur pa push. Pastaj, si tha njëri, gjithçka në politikën e Maqedonisë është një përrallë që përsëritet. Është Déjà vu! Në një pritë rri njëri lider, në pritën tjetër rri tjetri. Dhe, me vite rrinë aty, pa lëvizur fare. Kaq është kjo politikë. Megjithatë sa herë që dal në kafene, aty i gjej miqtë e mi. Njëri vazhdimisht e komenton formimin e qeverisë që e presim dhe është optimist se kësaj radhe do të ketë ndryshime të mëdha për të mirën tonë. Tjetri nuk flet, por vetëm i rrudh buzët dhe e lëviz gishtin tregues me gjestikulacionin që thotë jo, kurrë! Në krye të vendit ështëarsimtari i matematikës. Ai thotë: “Shkruaj, të lutem, se ti je i gjuhës… ju të gjuhës… mundohet të thotë se “ne të gjuhës”, pra arsimtarët e gjuhës e të letërsisë i “rreshtojmë fjalët, kurse “ata të matematikës” e kanë arsyen. Del se shkrimi është bosh muhabet. Ndërkaq njëri që flet rrallë i drejtohet “atij të matematikës”: “O ti shoç, ene taj ije arsimtar i gjuhës shqipe çi e ep matematikën…

N’koft se nuk e din gjuhën shqipe, lee punën, vlla”.

E shikoj orën, ora dy pas mesnate. Oho, sa vonë qenka bërë!

E ngre perden, jashtë shiu rrjedh rrugëve lumë!

Hajt edhe një herë ta shoh Portalbin, ta shoh se çfarë po ndodh!

Në Shkup, shkruan, vërshime. Përmbytje!
Ishalla s’ka dëme, them dhe e shoh se fillon të zbardh dita. Çudi, them, tërmetin e djeshëm e hetova. Këtë hata – jo”

Për çka të shkruaj?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button