Tetovë, janë montuar para disa javësh por ende nuk është bërë pranimi teknik i kontejnerëve gjysmë-nëntokësor (VIDEO)

Kontejnerët gjysmë-nëntokësor edhe pse tani e disa javë janë montuar në lokacionet e parapara, ata ende janë jashtë përdorimit. Projekti ngelet i papërfunduar, pasi ende nuk është bërë dorëzimi teknik nga Ministria e Financave në Komunën e Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” para një muaji tha se kontejnerët gjysmë-nëntokësor pritet të lëshohen në funksion brenda një jave, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës, Mehmet Jonuzi sot tha se të gjitha procedurat kanë mbaruar, por kontejnerët nuk janë funksional pasi ka mbetur vetëm procedura formale e pranimit teknik, e cila pritet të bëhet javën e ardhshme.

“Pranimi teknik duhet te behet nga ana e Ministrisë së Financave dhe nga ana e përfaqësuesit të Bankës Botërore që e kanë bërë donacion. Këto janë procedura që kërkohen, dhe presim që javën e ardhshme të kryhet si pranim teknik. Pranimin teknik do e bëjë komuna mandej do bartet te NPK-ja”, tha Jonuzi.

Pyetëm edhe Ministrinë e Financave se kur do të bëhet dorëzimi teknik në Komunën e Tetovës, nga atje konfirmuan se do të përgjigjen në pyetjen gazetareske, por deri në këtë moment nuk kemi përgjigje nga ana e tyre.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë autoriteteve komunale më 10 maj u ka dhënë pëlqimin për kërkesën e dorëzuar në lidhje me kontejnerët në fjalë.

Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e nëntë të mbajtur me 7 prill e miratoi propozim-vendimin për ndërtim – montimin e kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë.

Sipas propozim-vendimit gjithsej janë 22 kontejnerë me dy lloje dimensionesh dhe vëllimesh. Dimensionet e kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë me vëllim prej 3000L janë prej 270×130 cm, ndërsa për kontejnerët gjysmë-nëntokësorë me vëllim prej 5000L janë prej 270x180cm.

Ndërtimi i kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë financohet nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe propozim-vendimi për shpërndarjen e mjeteve financiare nga Projekti i Përmirësimit të Shërbimeve Komunale Komunale (MSIP).

Rikujtojmë që Tetova ka nevojë urgjente për më shumë kontejnerë pasi ato ekzistues nuk mund të përballojnë sasinë e mbeturinave të cilat hidhen në to dhe si të tilla përfundojnë në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button