“Non-paperi” francez shtyn përpara idenë e Macronit për Ukrainën e Ballkanin Perëndimor

Liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë – por jo edhe të miratojnë – një propozim francez për “Komunitetin Politik Evropian”, të cilin presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e dha si ide fillimisht në maj, si opsion të anëtarësimit të Ukrainës në BE, raporton Koha.net.

Diskutimi do të zhvillohet gjatë samitit të Këshillit Evropian javën e ardhshme, sipas një dokumenti të siguruar nga “Politico” të mërkurën.

Në takim, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe nëse Ukrainës do t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE – një hap i madh drejt rrugës për anëtarësim në bllok. Por, ata ende nuk kanë arritur një përfundim për këtë çështje, sipas dokumentit.

Në prag të takimit, Franca shtyu idenë e saj të komunitetit politik në një memorandum të shpërndarë me ambasadorët e BE-së para diskutimit. Në dokument, Franca argumenton se rruga e Ukrainës drejt BE-së do të jetë e gjatë dhe kështu nuk është ajo që i duhet këtij vendi tani kur përballet me luftën ndaj Rusisë, edhe pse Kievi ka “aspirata legjitime” që t’i bashkohet bllokut.

Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në BE pas pushtimit rus dhe po kërkon nga liderët evropianë që t’ia mundësojnë statusin e vendit kandidat, duke refuzuar çdo opsion afatgjatë. Megjithatë, disa shtete evropiane hezitojnë për lëvizje të shpejtë të procesit, me arsyetimin se Ukraina nuk është e gatshme.

“Non-paperi” francez, thotë se statusi i vendit kandidat të BE-së “nuk ofron sot për sot kornizën e nevojshme politike për t’iu përgjigjur nevojave urgjente historike dhe gjeopolitike që lindin nga lufta kundër Ukrainës”.

Çështja do të jetë në krye të agjendës në samitin e javës së ardhshme.

“Synimi është që të ofrohet një platformë e koordinimit politik për shtetet evropiane përreth kontinentit”, thuhet në konkludimet e dokumentit. “Kjo ka të bëjë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, shtetet partnere lindore dhe shtetet tjera evropiane me të cilat kemi marrëdhënie të ngushta”.

Krahas Ukrainës, liderët evropianë do të marrin në konsideratë dhënien e statusit të vendit kandidat edhe Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Draft-teksti veçanërisht trajton zgjerimin e mundshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ku aspiratat për ta zgjeruar bllokun kanë ngecur.

Në dokument jepet zotimi se “Bashkimi Evropian shpreh përkushtimin e plotë ndaj perspektivës së qartë për anëtarësim në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE”.

Megjithatë thekson se procesi i zgjerimit duhet të bëhet “mbi baza meritore”, duke nënkuptuar se shteteve që u mungon progresi i mjaftueshëm mund t’u ulet mundësia për anëtarësim – Serbia, për shembull, ka irrituar udhëheqësit evropianë me refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Dokumenti specifikon se Komuniteti Politik Evropian i propozuar do të ishte i një shkalle të gjerë, “i hapur për shtetet evropiane që ndajnë vlera demokratike… pavarësisht natyrës së marrëdhënieve aktuale me BE-në: pavarësisht nëse dëshirojnë t’i bashkohen, janë larguar nga blloku, nuk planifikojnë të bashkohen, apo janë të lidhur me të vetëm nga marrëveshjet ekonomike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button