Ballkani Perëndimor – përparësi strategjike për Bashkimin Evropian, deklaroi Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, vlerësoi të mërkurën qëndrimin e Kosovës kundër agresionit rus në Ukrainë, ndërsa ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raportoi VOA.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Kosovë dhe disa vende të rajonit.

“Dua t’ju falënderoj edhe për mbështetjen tuaj në zbatimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Kosova gjithashtu ka treguar solidaritet me popullin e Ukrainës, duke ofruar ndihmë humanitare dhe duke strehuar gazetarët. E di që lufta ka ndikim në rajon dhe në Kosovë, në ekonomi, në çmimet e ushqimeve dhe të energjisë”, tha ai.

Presidenti Michel tha se Ballkani Perëndimor paraqet një përparësi strategjike për Bashkimin Evropian i cili sipas tij, është tërësisht i përkushtuar ndaj aspiratave të këtij rajoni për integrim.

“Prandaj ne mirëpresim përqendrimin tuaj për zbatimin e reformave që lidhen me Bashkimin Evropian dhe në trajtimin e çështjeve thelbësore si sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përkushtimi i Kosovës në rrugën e integrimit evropian mbetet i palëkundur, por se mospërbushja e premtimeve, siç është ai për liberalizimin e vizave, përpos që sprovon besueshmërinë e Bashkimit Evropian, krijon edhe hapësirë për ndikime të jashtme.

“Dua t’ju siguroj zoti president se shteti i Kosovës do të mbetet stoik në refuzimin e ndikimit rus dhe ndikimeve të tjera të rrezikshme. Por kemi gjithashtu nevojë urgjente që edhe Bashkimi Evropian ta bëjë të qartë edhe një herë perspektivën evropiane të të gjithë rajonit tonë, e posaçërisht të Republikës së Kosovës. Së pari dhe kryesorja është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Ky proces për fat të keq është vonuar pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve”, tha ajo

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button