Shkupi rikthen kufizimet në fitim për produktet bazë

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen e serishme të marzhës (çmimi maksimal) tregtare për produktet ushqimore bazë, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk është zgjidhja e duhur për përballje me rritjen e çmimeve, raporton REL.

Sipas vendimit të Qeverisë, nga 15 qershori marzha tregtare e fitimit për bukën, sheqerin dhe vajin e lulediellit do të jetë 5 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Për vezët, miellin, produktet e miellit, orizin dhe qumështin, ajo do të jetë 10 për qind. Masa do të vlejë deri më 30 shtator.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Abil Baush, thotë për Radion Evropa e Lirë se një masë e tillë e Qeverisë duket më tepër si populiste se sa si masë për mbrojtjen e qytetarëve. Kjo, sipas tij, u dëshmua me skadimin e masave të tilla më 31 maj, pas të cilit afat çmimet shënuan rritjen më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Ekonomisë sërish premton kontrolle, madje edhe zgjerimin e listës së produkteve me marzhën tregtare nëse bizneset rrisin çmimet.

“Në rast se inspektorati i tregut dhe institucionet tjera konstatojnë se ka rritje joreale të çmimeve edhe produkteve tjera, ne do ta zgjerojmë marzhën tregtare për të gjitha produktet. Do të veprojmë çdo ditë për të parandaluar keqpërdorimet pasi jemi në krizën më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Nga Qeveria thonë se do të ketë edhe masa të tjera për t’u ndihmuar qytetarëve të rrezikuar, por në rishikimin e buxhetit që është në procedurë parlamentare, për transfere sociale janë paraparë 70 milionë euro, shumë kjo e cila nga sindikatat konsiderohet simbolike kundrejt nevojave të shumta që kanë kategoritë më të rrezikuara sociale dhe punëtorët me paga të ulëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button