“Borgjezi Fisnik”, nesër permierë në Teatrin e Tetovës (VIDEO)

Vepra e komedianit francez Molierit, nesër do të jepet premierë në Teatrin e Tetovës me fillim nga ora 20. Kjo shfaqe është projekti i parë në gjuhën shqipe i Teatrit të Tetovës për sivjet, shkruan Portalb.mk.

Vepra do të vendoset në skenë origjinale, ashtu siç është shkruar nga vetë autori ndërsa interpretimi do të jetë më bashkëkohor, kështu bëri të ditur regjisori i shfaqjes Kushtrim Bekteshi.

“Trajtohet fenomeni i borgjezisë kur njerëzit injorantë për shkak të pasurisë që e gëzojnë, imponohen në rrethet elitare të një shoqërie. Por kjo është fenomen i njohur edhe te ne. Shfaqja trajton edhe degradimin e vlerave në shoqëri, vlerave morale, kulturore, artistike dhe kështu me radhë. Se a është më e rëndësishme paraja apo arti, se a është më e rëndësishme të bësh art për art, apo art për para, kështu edhe fillon shfaqja”, tha Bekteshi.

Muzafer Etemi, aktori i cili është në rol kryesor të shfaqjes thotë se me këtë projekt do ta shpërblejnë publikun me një shfaqe të jashtëzakonshme. Kështu bën thirrje te publiku që të ndjekin shfaqen nesër.

“Me këtë do ta dëshmojmë se jemi një teatër profesionist dhe e bëjmë punën me përkushtim, janë edhe shfaqe tjera që e kanë dëshmuar këtë”, tha Etemi.

Shfaqja "Borgjezi Fisnik", foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shfaqja “Borgjezi Fisnik”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kasti i aktorëve është i përbërë nga: Muzafer Etemi. Elmedia Ameti, Arsim Fazlija, Adrian Aziri, Ajshe Useini, Arsim Kaleci, Linda Shabani, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Shkumbin Zeqiri. Burhan Amiti. Hasim Memishi- Sopu, Bekim Smaili, Ermal Çanga, Bekim Jahiu.

Ndërkaq pjesa tjetër e shfaqjes janë si vijon:

  • Skenograf: Betim Zeqiri
  • Kostumografe: Emira Ymeri
  • Kompozitor: Fatos Lumani
  • Soprano: Besarta Murtezani
  • Instrumentiste: Sara Sinani, Zulehan Saiti, Hana Abdullahi, Doriana Selmani

Biletat për shfaqen mund të blihen çdo ditë në biletarinë e teatrit nga ora 10 dero ora 14. Ndërsa repriza do të jepet ditën e premte.

Nga ana tjetër, drejetori i Teatrit të Tetovës, Bekim Smaili tha se kjo shfaqe e cila përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës është projekti i dytë i teatrit për këtë vit ndërsa i pari në gjuhën shqipe

“Për sivjet kemi pasur tre projekte teatrale, dhe një është festivali i teatrit, gjithsej janë katër. Nga shtatori presim të fillojmë me projektin e tretë për sivjet ndërsa festivali varret nga politikat shtetërore nëse do mund ta realizojmë”, tha Smaili.

Problem vazhdon të mbetet mungesa e hapësirave të teatrit dhe si shkak i kësaj ka pak shfaqe teatrale dhe pak repriza, pasi teatri i ndan hapësirat me pallatin e kulturës. Ndërsa aktorët ankohen se nuk kanë kushte, dhe në mungesë të tyre dimrit pauzojnë 2-3 muaj pasi është shumë ftohtë. Objekti i Teatrit të Tetovës ka filluar të ndërtohet para disa viteve ndërsa pritet të përfundojë në vitin 2025.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button