Duro kërkon Shabanin dhe Fazliun

Skuadra e Partizanit pritet që t’ia shohë “hajrin” eksperiencës gjashtëmujore të trajnerit Shpëtim Duro te Shkëndija e Tetovës. Është thënë prej kohësh se Duro te Partizani do të marrë edhe ndonjë element nga kuqezinjtë tetovarë.

Sipas “panorama-sport” kohë më parë është përfolur se sulmuesi brazilian i Shkëndijës, Stenio Zhunior, që pëlqehet shumë nga të kuqtë. Por, Partizani duhet të sakrifikojë shumë që ta bëjë të tijin sulmuesin, pasi braziliani shikohet si i paprekshëm nga kryesia e klubit. Përpos Zhuniorit, së fundmi te Partizani kanë nisur të lakohen dy emra të tjerë si përforcime të skuadrës së trajnerit Duro. Bëhet fjalë pikërisht për mesfushorin Bunjamin Shabani, i cili luan në krahun e djathtë, si dhe sulmuesin kosovar Astrit Fazliu, i cili mund të përdoret edhe si mesfushor i majtë.

Të dy lojtarët janë përfolur edhe më parë si alternativa për Partizanin. Në merkaton e janarit, Astrit Fazliu u mendua se do të përforconte kryeqytetasit, por ai përfundoi te Shkëndija e Tetovës. Fazliu u largua nga Ferizaj si golashënuesi më i mirë i Superligës kosovare, ku në pjesën e parë të sezonit kishte shënuar 9 gola. Me Shkëndijën kosovari luajti 12 ndeshje dhe shënoi vetëm dy gola. Pozitiv është fakti se kosovari Fazliu nuk ndikon te numri i të huajve në ekip.

Ndryshe, Bunjamin Shabani mund të ishte bërë pjesë e kryeqytetasve që para një viti, pasi ka qenë në plan së bashku me Ertan Demirin dhe Mevlan Muratin. Madje, mësohet se Demiri ka pasur shumë dëshirë që Shabani të vishej i kuq, por transferimi nuk u krye, pasi lojtari u dëmtua. Gjatë sezonit të fundit, Shabani ka bërë një paraqitje të mirë me tetovarët, ku është aktivizuar në 25 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Mesfushori 23-vjeçar në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Maqedonisë. Mësohet se dalja në skenë e Shabanit ka ndikuar në ftohjen e interesimit për mesfushorin Gjergji Muzaka. Lojtari i Shkëndijës është më i ri se Muzaka, por edhe më i leverdishëm, sepse kushton më pak.

Lajme të ngjashme

Back to top button