fbpx

Spitali Modular i Tetovës, Prokuroria ende nuk e ka marrë vendimin për përgjegjësinë penale

Prokuroria Publike ende nuk ka marrë vendimin se kush do të thirret në përgjegjësi penale për tragjedinë e cila ndodhi para nëntë muajve në  zjarrin e Spitalit Modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse të pyetur për detaje konkrete se kush do të thirret në përgjegjësi dhe çfarë masash do merren më tej për këtë rast, nga Prokuroria u përgjigjën shkurt:

“Vendimi i Prokurorisë Publike është duke u përgatitur dhe sapo të merret, opinioni do të njoftohet menjëherë për të gjitha detajet lidhur me përgjegjësinë penale”.

Prokuroria paraprakisht njoftoi se do të ketë përgjegjësi penale për disa persona për rastin në fjalë. Ndërsa kryeprokurori publik, Lubomir Joveski ka njoftuar se Prokuroria do të japë përgjigje për dilemat e paraqitura konkrete për përgjegjësitë eventuale të personave të caktuar.

Javën e kaluar dështoi debati për djegien e spitalit modular në Tetovë në Komisionin e përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut , pasi deputetët e pushtetit munguan dhe nuk kishte kuorum për debat.

Deri më tani janë kryer katër ekspertiza. E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri. E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet, e treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital, ndërsa e katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Kjo nënkupton që brenda spitalit ku trajtoheshin pacientët me Covid-19 ka pasur edhe familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, e cila është reptësisht e ndaluar.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button