Rama dhe Abazoviq u takuan me Zelenskin në Kiev, Kovaçevski u kyç përmes video – lidhjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës në Kiev, janë takuar me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ndërkohë kanë mbajtur dhe një konferencë të përbashkët për mediat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë, në takim përmes video – lidhjes u kyç edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Presidenti Zelenskyy ka theksuar se takimi realizohet në vigjilje të një takimi historik evropian që sipas tij do të marrë masa dhe do të miratojë vendime për perspektivën evropiane të Ukrainës.

“Ky takim i sotëm është një dëshmi e mbështetjes për Ukrainën nga ana e kryeministrave dhe vendeve të tyre për Ukrainën, për integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj si dhe për kauzën tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, si edhe çka është më e rëndësishmja edhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë autorët e krimeve ruse për gjithçka që kanë bërë kundër Ukrainës në tokën tonë dhe kundër Evropës, gjithashtu edhe për negociatat”, tha ai.

Zelenskyy shtoi se duhet të ketë përgjigje strategjike ndaj agresionit rus e duhet të forcojnë unitetin e kontinentit. “Na duhet më tepër bashkërendim i vendeve evropiane. Na duhet që të tejkalojmë ndasitë midis të ashtuquajturve anëtarë të rinj e të vjetër. Na duhet që të shmangim çdo zonë gri në Evropë. Vendet tona, Ukraina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të bëhen anëtarë me të drejta të plotë të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Kryeministri Rama ka theksuar se Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së edhe si bashkënismëtare për Ukrainën e rezolutave me SHBA-në, “është tejet e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze, shqetësimeve dhe kërkesave të popullit të Ukrainës për një paqe të drejtë”.

“Sot patëm mundësinë të shohim nga shumë pranë Irpinin. Jam vërtetë i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve, ndërtesën e tij, për familjet dhe fëmijët e Irpinit. E di që Bashkimi Evropian e shumë të tjerë janë tashmë pjesë e kësaj përpjekjeje, por le ta bëjmë në mënyrën ballkanike pa shumë burokraci dhe të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë dhe kjo ndoshta do të përshpejtojë përpjekjet e të tjerëve”, tha Rama.

Rama ka shtuar se gjenden në Ukrainë të shprehin mbështetjen e plotë që Bashkimi Evropian t’i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat.

Abazoviq është shprehur se Ukraina po lufton për parimet dhe për mënyrën e jetesës, për mundësinë për të zgjedhur fatin për të ardhmen.

“Kjo është një kohë mjaft e vështirë për Evropën, është një kohë mjaft e vështirë për botën dhe unë mendoj që ajo çka është më e rëndësishme dhe e ndamë këtë përvojë në mëngjes, është që lufta të ndalet. Çdo gjë tjetër është më pak e rëndësishme. Duhet të gjejmë një rrugë se si të ndalim luftën, se si të ndalim shkatërrimin masiv të infrastrukturës, shtëpive të njerëzve, vrasjen e njerëzve dhe pas kësaj sigurisht do të keni mbështetjen e plotë për rindërtimin e vendit tuaj”, tha Abazoviq.

Ndërkohë, Rama dhe Abazoviq janë takuar edhe me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe me zyrtarë të tjerë ukrainas. Gjithashtu kanë vizituar edhe ekspozitën ku dëshmohen gjurmët e agresionit të Rusisë mbi Ukrainën përmes ekspozimit të objekteve të luftës, sendeve personale dhe fotove të ushtarëve dhe civilëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button