Autokritika e mendimtarit planetar

Filozofi, antropologu dhe sociologu francez Edgar Moren-i (1921) ishte anëtar i shquar i rezistencës kundër nazizmit, më pas militant komunist dhe më vonë kundërshtar i totalitarizmit dhe i qasjes marksiste, sepse e shpërfill subjektivitetin, brendësinë njerëzore, kurse njeriun e sheh si “kapital të çmuar”. Tek libri Autokritika, i botuar më 1975, shkruan për përvojën personale derisa ishte i “helmuar” nga helmet e ideologjisë staliniste. (Referuar versionit Autokritika, Kultura, Shkup, 1992). Moreni, pas kthjellimit, e kuptoi njëmendësinë e Partisë – Shtet, e njohu vetveten, por edhe të tjerët. Ai arriti ta kuptonte se njeriu duhej të ishte në qendër të gjithçkaje dhe jo partia, aparati, norma, shteti. Deri atëherë Moreni kishte parë një botë imagjinare ku gjithçka fetishizohej.

Autokritika është libër që i shërben kujtesës njerëzore. Kush harron ai përsërit. Ose, siç tha Santajana: “Ata që s’mund ta kujtojnë përvojën e vjetër janë të dënuar ta përsëritin atë”. Autokritika është libër kundër totalitarizmit, i shkruar nga një autor që ishte pjesë e aparatit ideologjik.

Autori beson se kanë vdekur dy totalitarizmat, që botës i sollën shkatërrim, por nuk e përjashton mundësinë e lindjes së një totalitarizmi të ri.

“Dy totalitarizmat kanë vdekur. Njëri u shkatërrua nga bombat, kurse tjetri nga eksplodimi i brendshëm. Por, a mundet dikush të thotë se s’do ketë totalitarizëm të tretë, të ri, me atë shtytje dhe shpresë për Aparatin që ka të njëjtën fuqi sakralizuese dhe i cili, duke u shërbyer me Idenë (e mitit që kolonizon), nuk do të arrijë sërish që t’i pushtojë të njëjtët shpirtra?”.

Bota mund të rrezikohet nga shfaqja e totalitarizmit të ri përderisa nuk do të mposhten iluzioni, gënjeshtra dhe gabimi.

 PSE U BË KOMUNIST? Edgar Moren-i u bë komunist sepse besoi se kjo ideologji mund ta largonte të keqen planetare – fashizmin, që i kishte helmuar shpirtrat e miliona njerëzve. Tek komunizmi pa “kundërhelmin ndaj fashizmit”. I verbuar nga ideologjia ai s’mundi ta kuptonte se totalitarizmat ishin të njëjtë dhe se aparati shtetëror “i kap, i shpërfytyron, i shtrydh dhe i flak njerëzit”.

Si shumë të tjerë që joshen nga ideologjia, ai u bë anëtar partie edhe nga shtysa personale. Në parti gjeti strehë. Ajo ia dha mundësinë të ikte nga vetvetja, nga dyshimet, faji dhe vetmia. Ishte koha kur “donte të jetonte, por kishte frikë nga jeta”, prandaj kërkonte mundësi të çlirohej nga bota e tij, nga uni i tij.

“Kur hymë në Parti donim të çliroheshin nga një botë – botën tonë”, shkruan Moren-i.

Në botën imagjinare, të sajuar nga propaganda ideologjike, e humbi ndjenjën për realitetin. E humbi gjykimin kritik mbi botën dhe jetën. Partia ishte mbi – Unin. Partia ishte (mbi) gjithçka. Partia ishte kishë, dogmë, idiolatri. Partia e kishte fuqinë e mahnitjes. Kjo ishte periudha kur, siç thotë: “Më shumë i kuptoja hijet imagjinare të ekranit se njerëzit e gjallë […] Ne mendonin se Partia përherë ka të drejtë siç e parashihte dogma e pagabueshmërisë së Stalinit. Ne mendonim se Partia është në Mendje”.

Më vonë arriti ta kuptonte se brenda partisë kauza ishte përmbi të drejtën dhe jetën njerëzore, kurse brenda kauzës kishte dredhi, hipokrizi dhe gënjeshtra.

Për Partinë njeriu ishte mjet. Partia ose Aparati, thotë Moreni, janë: Strategji, Taktikë, Disiplinë dhe Organizim. Partisë i nevojitet njeriu praktik dhe morali “abstrakt” e “idealist”. Duke qenë brenda partisë ai shihte popujt të lumtur. Jashtë saj gjithçka i dukej e pashpresë.

LARGIMI NGA PARTIA. Moreni që nuk e braktisi partinë kur përndiqej, këtë e bëri kur e kuptoi se partia ishte bërë përndjekëse. Por, pas përjashtimit nga partia ndjeu se ishte pasiv e fëmijëror, sepse partia për të kishte qenë Atdhe dhe Familje. Partia ia kishte larguar frikën nga vetmia.

Moreni arriti ta kuptonte se brenda partisë veprohej me diktat; se partia nuk merakosej për të përjashtuarit, madje propagandonte se fuqizohej duke i pastruar ata që ranë ndesh me vijën partiake.

Pas përjashtimit nga Partia njerëzit e shikonin pa e parë. Jeta jashtë partisë i dukej e pashpresë, e humbur. Jashtë partisë e kuptoi thënien e lashtë greke: “Nuk ka të këqij, ka vetëm të paditur”. Jashtë partisë e kuptoi se “BRSS ishte e gurëzuar në pandryshueshmërinë e përsosur”; se partiakët ishin vetëm zbatues urdhrash të kongreseve; se teoritë shpikeshin për ta maskuar realitetin. “O teori, teori të krijuara për ta fshehur realitetin!”

Bota për Moren-in u qartësua vetëm pas “erupsionit të së vërtetës”, pas destalinizimit. Atëherë e kuptoi se “terrori shkakton humbjen e kontaktit me realitetin”, se policia e shkatërron partinë edhe pse partia e kontrollon policinë.

STALINIZMI. Tek Autokritika, Moren-i, shkruan për disa veçanti të stalinizmit, si: (1) kulti i Stalinit – si “babai gjenial i fëmijëve të panumërt”; (2) konformizmi ose disiplina ushtarake; (3) atrofizimi kulturor apo një kulturë e pranuar nga masat; (4) viktimizimi për ruajtjen e socializmit.

Shpirti stalinist ishte Jago plus Othello: pra të mashtrosh dhe të mashtrohesh. Regjimi stalinist e mistifikonte të mistifikuarën, nxiste konflikte ndërmjet “asaj që vdes” dhe “asaj që lind”, pra e mohonte të kaluarën në emër të së ardhmes. Kjo, sipas Moren-it, ishte një “botë pa të kaluar që luftonte kundër botës pa të ardhme”. Ideologjia staliniste e kishte harruar se problemi i njeriut të gjallë ishte “ta pranojë vetëdijen mbi të kaluarën, kërkesat e së sotmes dhe impulset drejt së ardhmes”.

Kësaj ideologjie i duhej njeriu i aksionit që do të mendonte për qëllimet e Partisë dhe do të jetonte në realen hiperreale.

“Ultra materializmi ishte i hapur drejt mundësive të paskajshme të së ardhmes dhe i mbyllur ndaj mundësive të së tashmes.”

 INTELEKTUALI DHE SHKRIMTARI STALINIST. Moreni shkruan edhe për intelektualin partiak, shtetëror, stalinist. Intelektualët stalinistë, sipas tij, në fillim ishin intelektualë proletarë, pastaj u bënë revolucionarë dhe në fund intelektualë të angazhuar që e shprehnin psikozën luftarake. Intelektuali stalinist ishte karrierist, por ai nuk ishte si karrieristi borgjez.

“Bota borgjeze ofron së pari siguri, rehati, pasuri, ndërkaq Partia së pari thirret në viktima dhe rreziqe. Nëse karrierizmi hesht kur Partia vendoset në avenynë e pushtetit, ai menjëherë dezintegrohet në bezdi. Kjo dëshmon se përcaktimi i bazës tek intelektualët paraqet besim dhe jo ambicie.”

Intelektualët bolshevikë e vrisnin edhe mikun e tyre në emër të kauzës. Aparati shtetëror e kishte mediokritizuar intelektualin. Partia, shkruan Moreni, u thoshte atyre, ngjashëm siç tha Paskali: “Budallalepsuni!”.

Intelektuali partiak ishte qenie e dyzuar. Me dy personalitete. Njëri ishte personaliteti privat dhe skeptik dhe tjetri zyrtar, i ashpër dhe ekskomunikues. Czeslaw Milosz-i shkruan se në këtë person bashkëjetonin faza e vjetër dhe e re. Personaliteti i fazës së re e pastronte ndërgjegjen duke shpifur për të tjerët.

Intelektuali partiak i përshtatej lojës së pushtetit. Brenda tij personaliteti i aparatçikut e shuante personalitetin që e pranonte pluralitetin. Si i tillë shndërrohej në përbindësh.

ARTI. Arti në sistemin stalinist duhej të vendosej në shtratin e Andrei Zhdanovit (1896 – 1948), i ngjashëm si shtrati i Prokrustit. Para Zhdanovit, ishte Loran Kazanova që tha: “Shkrimtari antikomunist nuk mund të jetë i talentuar”. Në këtë sistem, vlera e veprës letrare “peshohej sipas masës së Byrosë Politike”. Një vepër mediokre shpallej kryevepër nëse propagandonte për të arriturat e partisë.

“Lëvdatat, nderimet dhe respekti zgjojnë ambicie personale. Partia ofronte publik të madh për të gjithë ata që shkruanin sipas Normës. Pasonte përkthimi [i librave të tyre] në demokracitë popullore të BRSS, vinin ftesa nga vendet socialiste. Kulti i personalitetit varej nga shkalla e dëgjueshmërisë. Një roman i keq shpallej roman i vitit nëse ishte sipas shijes së Zhdanovit”, shkruan Moreni.

Te një vepër letrare nuk kërkohej vlera artistike, por e vërteta.

“Shqetësimet për “talentin” ose “bukuritë e krijimtarisë letrare” më dukeshin më pak serioze se shqetësimi mbi të vërtetën. Nuk kisha mundësi të ikja drejt “vlerave të përjetshme” të kulturës që i konsideroja si kalimtare dhe të dykuptimshme. Unë nuk besoja në asgjë tjetër jashtë komunizmit – si ardhmëri e njerëzimit”, shkruan ai.

Ambientet letrare në këtë sistem ishin ambiente deliri, ashtu sikurse ishte e gjithë shoqëria. Shumë shkrimtarë mahniteshin nga figura e Stalinit. Madje, edhe shkrimtarë të njohur europianë. Aragoni e ndërtoi kultin e personalitetit të tij në kuadër të Normës. Eliari shkroi poezi dashurie për Stalinin në 70 vjetorin e lindjes, kurse Vajani i shkruante romanet me fotografinë e Stalinit para tij.

Moreni dhe disa intelektualë tjerë, të udhëhequr nga qasja hegeliane se “kultura e shpreh faktin e thjeshtë se përmbajtja e saj e mban vulën e universales”, filluan ta mbronin autonominë e artit në raport me politikën.

“Duke e mbrojtur parimin e autonomisë relative të kulturës në raport me politikën, ne e mbronim minimumin tonë jetësor para kërcënimeve nga pragmatizmi dhe religjioziteti i ngrirjes së dytë staliniste”, shkruan Moreni.

ÇKA NA MËSON AUTOKRITIKA? Ne që nuk kemi qenë anëtar partie ndodh që s’i kuptojmë ata që jetën e kanë lidhur me partinë. Ne që merremi me shkrime, me lodrat e të rriturve, besojmë se s’do ta duronim humbjen e vetmisë dhe paqes me mendimet tona duke iu përshtatur Normës. Njerëzit që mendojnë dhe veprojnë sipas Normës, kur mbeten jashtë partisë atëherë ndjehen të humbur, të braktisur, të shkretë, të pavlerësuar. Ata e vuajnë përjashtimin nga partia, sepse aty kanë gjetur strehë, aty janë ndjerë të vlerësuar pa bërë asnjë investim intelektual (edhe pse vlerësimi aty është fals). Jashtë organizatës, bashkësisë, partisë, jeta u duket sikur u ka marrë për ters. Ata mund të bien në dëshpërim të thellë ose mund të bëjnë gjithçka (marrëzi e krim) që ta rifitojnë besimin e partisë. Historia njerëzore njeh pak raste kur ata që e kanë braktisur politikën me vetëdëshirë i janë kthyer jetës së rëndomtë. Të rrallë janë ata që, pasi e braktisin (ose përjashtohen) nga partia, ndjehen të çliruar, ringjallen, e zbulojnë veten, botën dhe të tjerët.

Brenda partisë njeriu e humb Unin e tij. Partia është mbi gjithçka. Partia bëhet strehë për të pastrehët që kanë nevojë për përkujdesje dhe vlerësim.

Kur e lexojmë librin Autokritika të Edgar Moren-it arrijmë ta kuptojmë si funksionon partia totalitare nga brenda, si humbet Uni, si sinkronizohen mendimet dhe veprimet me Normën.

Moreni na bën me dije se vetëm qenia e pakushtëzuar nga Norma e njeh vetveten dhe të tjerët.

Luan Starova, që librin e ka përkthyer në maqedonisht, shkruan: “Moreni duke dëshmuar për esencën njerëzore, konsideron se njeriu vlen për aq sa e njeh vetveten dhe për aq sa i njeh të tjerët”.

Moreni e njohu vetveten dhe të tjerët pas kthjellimit, pra vetëm pasi e pa si funksiononte Aparati, i cili kishte monopol mbi të gjithë pushtetet dhe e kishte forcën t’i nënshtronte nënshtetasit dhe kombet.

Për njeriun e verbuar nga ideologjia, partia është mbi këdo. Ajo i mobilizon dhe i manipulon njerëzit, të cilët duhet të jenë vigjilentë, sepse aparati apo partia ka forcë që njeriun ta bëjë hero ose përbindësh, viktimë ose xhelat. Aparati e kontrollon personalitetin e njeriut, pavarësisht se njeriu është qenie e shumanshme dhe komplekse. “Sistemi totalitar e ndryshon personalitetin”.

Moren-i arriti ta kuptonte se diktatura, e majtë ose e djathtë, me t’u forcuar, fillon të bëjë “krime të reja në emër të lavdisë së vjetër”.

Nëpërmjet përvojës personale Moren-i na vetëdijeson sesa më shumë që forcohet ideologjia, aq më shumë humb njeriu.

Libri Autokritika u botua në kohën kur bota vazhdonte të ishte e ndarë në dy blloqe. Moren-i e parashikoi se komunizmi do të vritej nga triumfi i tij, nga kundërshtitë dhe krizat e brendshme. Ashtu ndodhi. Ai eksplodoi së brendshmi.

Edgar Moreni në këtë libër shpreh keqardhje që i kishte besuar stalinizmit. Pas kthjellimit zbuloi se duhet përherë t’i drejtohemi njeriut. Të mos besojmë në kulte individësh ose në formulën: mbi gjithçka Partia.

Libri Autokritika u shërben elitave intelektuale sesi duhet të mbrohen nga verbëria ideologjike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button