Froni i ëmbël për liderët shqiptar!

Dukurinë e mos ndryshimit të liderëve partiak por në disa raste edhe të kryesisë së partive politike, analistët e vlerësojnë si një ngecje në politikbërje.

Analisti Alajdin Demiri thotë se me mos ndryshimin e liderëve dhe kryesisë, krijohet një sistem tejet i ulët politik.

“Kongresi paraprak që do të mbahet me 5 Qershor i BDI-së edhe njëherit dëshmon veprimin politik të një trajte të posaçme dhe karakteristike për shqiptarët e ajo është funksionimi me lider ose me funksionim të një sistemi të ulët politik që në të kaluarën njihej si bajraktari që në këtë shoqëri bashkëkohore tani nuk ka vend”, tha për Portalb, Demiri.

Ai shtoi se kjo dukuri, për fat të keq është prezent në të gjitha partitë politike shqiptare në vend.

“E njëjta gjë ndodh edhe me PDSH-në, edhe me RDK-në edhe me të gjitha partitë tjera që kanë ekzistuar deri më tani, që do të thotë rënia e relevancës shpreh një nivel të ulët. Hyrje në politikë duhet të bëhet me projekte të cilat duhen të realizohen kurse kjo që po ndodh paraqet një uzurpim të kapitalit politik të liderëve të cilët vijnë. Në këtë rast Ali Ahmeti vjen me uzurpimin si lideri i luftës, ndërsa nga ana tjetër Menduh Thaçi hyn me uzurpimin e drejtë me pretekstin se ai ishte ai që krijoi PDSH-në, dhe në këtë mënyrë funksionojnë. Kjo është politikë-bërje e kohëve të kaluara dhe nuk korrespondon me politikën moderne aktuale, mirëpo faktikisht ashtu ndodhë”, shtoi Demiri.

“Kjo dukuri tregon papjekurinë e shtresës politike, papjekurinë e inteligjencës politike e cila i nënshtrohet një procesi të këtillë. Me këtë përfitohet qëllim i caktuar, si në kohën e hershme kur zgjidhej i pari i fisit dhe ai udhëhiqte pa asnjë kusht”, tha ai.

Ndërkaq nga ana tjetër analisti Albert Musliu vlerëson se jo çdoherë është i nevojshëm ndryshimi i liderëve të një partie.

“Tek ne partitë politike identifikohen me liderët e tyre dhe është pak rënd që të pritet të ketë ndonjë ndryshim. Por megjithatë ndryshme ka pasur, por jo edhe gjithmonë kanë rezultuar të suksesshme ato ndryshime. Sepse kemi PPD e cila ndryshonte liderët dhe është humbur, PDSH ka ndryshuar liderët, por megjithatë freskimi pariak është I nevojshëm, por duhet pasur kujdes sepse një ndryshim mund të sjell sukses por mund edhe të të varrosë nga pasqyra politike”, tha Musliu.

Ai shtoi se po t’i pyesësh anëtarët e një partie për programin partiak, asnjëri nuk e di, kurse liderin e njohin të gjithë dhe e përkrahin të gjithë.

Lajme të ngjashme

Back to top button