Arsovska nuk e ka anuluar projektin për metronë e autobusëve që tha se nuk do ta bëjë, 7 muaj po negocion me BERZh-in

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska ende nuk e ka anuluar projektin për ndërtimin e metrosë së autobusëve në Shkup apo Sistemit buss rapid transit (BRT), projekt i nisur nga paraardhësi i saj Petre Shilegov. Për këtë projekt, Qyteti i Shkupit dhe Qeveria në prill të vitit të kaluar nënshkruan marrëveshje për kreditim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 70 milionë euro dhe sipas ekspertëve të angazhuar nga banka, bëhet fjalë për një nga projektet më të gjelbra që ata mbështesin, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

Me ardhjen e saj në funksion, Arsovska që në takimin e parë me gazetarët, tha kategorikisht se metronë e autobusëve të Shilegovit nuk do ta bëjë sepse projekti nuk ishte i mirë. Ajo nuk e premtoi në fushatë, por premtoi blerjen e 250 autobusëve ekologjikë dhe transport falas për të gjithë qytetarët.

“Nuk kam premtuar BRT, por transport publik të shpejtë, në kohë dhe falas dhe 250 autobusë të rinj. BRT ishte një projekt i paraardhësit tim, i cili nuk u zgjodh në këto zgjedhje, që do të thotë se qytetarët nuk e zgjodhën atë projekt. Kur fitoi zgjedhjet 4 vite më parë, nuk e premtoi BRT-në në fushatë, por e prezantoi më vonë. Do të fokusohem në realizimin e asaj që kam premtuar në programin tim dhe për çka jam përzgjedhur”, tha Arsovska më 12 nëntor të vitit të kaluar.

Arsovska në funskion është për 7 muaj, ndërsa projekti Bass Rapid Transit nuk është anuluar, vetëm procedura është ndërprerë dhe kryetarja e qytetit tani deklaron se negociatat janë duke u zhvilluar dhe kur të përfundojnë do ta informojë opinionin. Nuk thotë se për çfarë janë ato negociata dhe nëse kjo do të thotë se do të vazhdojë projektin dhe nëse nuk e bën, siç tha kur mori detyrën, pse është ende duke negociuar.

“Siç ju thashë projekti është në fazën e negociatave. Jemi duke punuar në mënyrë aktive në çdo gjë që është në interes të qytetarëve dhe në interes të reformimit të sistemit të autobusëve dhe transportit publik në Shkup. “Në këtë moment jemi në bisedime dhe negociata, në momentin e parë kur të kemi diçka për t’i thënë opinionit do ta bëjmë”, tha Arsovska duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

E pyetur nëse përgjigja e saj do të thotë se nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të projektit BRT, Arsovska tha “nuk mund të konfirmoj apo refuzoj asgjë që nuk është rënë dakord. Çdo gjë që mund të dëmtojë vetë procesin nuk është e drejtë të bëhet publike”.

Arsovska akoma nuk ka dhënë detaje për blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjik që i ka premtuar në fushatë. Ajo thotë se procedurat janë në vazhdim dhe nuk mund të përfundojnë brenda natës.

“Ne punojmë dhe do të realizohet siç premtuam, me fazën e rregullimit. Për autobusët që do të jenë pjesërisht metan, pjesërisht elektrik, do të duhet të ketë njëfarë infrastrukture dhe e njëjta duhet të ndërtohet që të mund të kryhet prokurimi”, tha Arsovska.

Projekti për metronë e autobusëve, të cilin Qyteti e bënte me ekspertë të huaj, parasheh vendosjen e dy linjave në Shkup, nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe dhe nga Buteli në Kisella Vodë. Traseja me drejtim perëndim-lindje është 12.8 km në një drejtim, me 21 stacione, ndërsa itinerari me drejtim veri-jug është 10.4 km e gjatë dhe 20 stacione autobusi. Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përafërt i pasagjerëve që do të përdorin itinerarin e parë do të ishte rreth 65.000 në ditë. Me zbatimin e fazës së parë, pritet që koha e udhëtimit nga 70 minutat aktuale të zvogëlohet për më shumë se 50 për qind, frekuenca e autobusëve të rritet në 3-4 minuta dhe nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisicë të arrihet për 35 minuta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button