fbpx

Kriza shëndetësore në Ukrainë

Kryqi i Kuq thotë se lufta në Ukrainë po detyron miliona njerëz të jetojnë në rrethana të dëshpëruara, larg qendrave sanitare dhe shëndetësore duke rritur gjasat për një krizë të shëndetit publik. Nënsekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Xavier Castellanos Mosquera i cili po viziton vendin thotë se është “zhgënjyese dhe e dhimbshme” që të mos jesh në gjendje të ndihmosh njerëzit në qytetet e rrethuara të Ukrainës, raporton VOA.

Gjendja e rëndë e civilëve nuk tregon asnjë shenjë përmirësimi ndërsa forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet në Ukrainën lindore.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk ka mundur të hyjë në disa zona të bllokuara në Ukrainë.

Nënsekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq është i shqetësuar se njerëzit e privuar nga kushtet e higjenës bazë, uji dhe ilaçet do të jenë në rrezik më të madh të sëmundjeve.

“Kombinimi i sistemit të dobët shëndetësor, sistemit të ujit dhe problemeve të shëndetit mendor është me pasoja të thella dhe do të sjellë një krizë sociale dhe ekonomike në ato zona, duke rritur kështu nivelin e përgjithshëm të fushave ku ne do të jetë e nevojshme të përqëndrohemi gjithnjë e më shumë në muajt në vijim,” thotë Xavier Castellanos Mosquera.

Furnizimet e bllokuara të drithit në Ukrainë po rrisin çmimet e ushqimit në mbarë botën, por brenda vendit njerëzit janë në kushte edhe më të rënda.

“Të paktën 10.2 milionë njerëz janë në rrezik të pasigurisë ushqimore. Duke shtuar edhe elementët e tjerë që përmenda rritet niveli i kushteve për të cilat ata kanë nevojë të plotësohen”.

Grupet e ndihmës humanitare e kanë të vështirë të planifikojnë ndihmën, të paaftë të parashikojnë se në cilat qytete mund të kenë qasje dhe në çfarë rrethanash jetojnë njerëzit.

“Nuk mundet të parashikojmë gjendjen dhe kjo është një sfidë e madhe që kërkon ndryshim të vazhdueshëm planesh, ndryshimin e përparësive. Por ajo që kemi përcaktuar qartë si përparësi tani është rritja e ekipeve shëndetësore të lëvizshme, e paisjeve mjekësore dhe barnave për të mbështetur njerëzit e prekur”, thotë Xavier Castellanos Mosquera.

Përveç kërcënimit të sëmundjeve kronike infektive, Kryqi i Kuq shikon rrezikun që mund t’i shkaktojë popullatës dimri që vjen për pak muaj ndërsa lufta vazhdon.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button