Holanda tani mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE

Qeveria holandeze tani i mbështet kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, ndryshe nga viti 2019 kur së bashku me Francën dhe Danimarkën bllokoi negociatat e dy vendeve ballkanike, raporton “Euractiv”.

Kabineti dhe partitë e koalicionit në Dhomën e përfaqësuesve të Holandës janë tashmë “për” anëtarësimin e dy vendeve ballkanike, të cilat shpresojnë të nisin negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, raporton media holandeze “NL Times”.

Pranimi i Shkupit, theksohet në tekst, aktualisht është i bllokuar me veto nga Bullgaria për shkak të siç thuhet “gjuhës dhe historisë së përbashkët”, ndërsa përparimi i Tiranës në BE është i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut.

Parlamenti Evropian në maj i bëri thirrje Këshillit Evropian që të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në BE, duke theksuar “kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj kundër Ukrainës”, shkruan Euractiv.

“De Telegraaf”, ndërkohë, raporton se kryeministri Mark Rutte tani është pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE dhe kujton se në vitin 2018 ai tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të dobësonin të gjithë Unionin, duke përmendur korrupsionin dhe mungesat për lirinë e medias. Në vitin 2019, holandezët, së bashku me Francën dhe Danimarkën, bllokuan negociatat për të dy vendet.

Rute tani po përpiqet të mbledhë mbështetje në të gjithë bllokun. Qysh në maj, ai dhe kancelari gjerman Olaf Scholz diskutuan pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në një konferencë shtypi në Hagë.

“Të gjithë së bashku po përpiqemi në Bashkimin Evropian të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar që Ballkani Perëndimor të mbetet i qëndrueshëm dhe të gjejë zgjidhje për problemet që ekzistojnë atje, veçanërisht në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë,” tha Rute në atë kohë.

Ndryshe, në vitin 20219 Franca, Holanda dhe Finlanda, kërkuan shtyrjen e negociatave të anëtarësimit për në vitin 2020, për të dyja vendet, si dhe reformimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Qeveria franceze parashtroi kushtet e saj që lidheshin me përmbushjen e kritereve kyçe duke nisur nga respektimi i shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reforma e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas Francës, procesi i zgjerimit për Komisionin e ri Evropian duhet të jetë më gradual, më i kontrolluar edhe të përfshijë edhe ekspertizën e shteteve anëtare, në mënyrë që progresi që do përfitohet të japë rezultate.

Epilogun e mbledhjes ministrore, e ndikuan:

  • Franca – e cila ka ishte kundër dhënies së datës për të dy shtetet, për shkak të mospërmbushjes së reformave,
  • Holanda – e cila kërkonte që të dy shtetet të trajtohen ndarazi, e jo si pako, për shkak, se ajo ishte e bindur për RMV-në,  kurse jo për Shqipërinë, dhe në fund
  • Finlanda –  e cila ishte kryesuese me BE-në, kërkonte që paralelisht me procesin e dhënies së datës, të zhvillohen reforma në BE – futja e metodologjisë së re të procesit të zgjerimit, ndërkohë që mbledhja ndërqeveritare të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020.

Vendimin e vendeve kundërshtuese për fillimin e negociatave veçanërisht me Maqedoninë e Veriut e kritikuan shumë vende të tjera të BE-së, të cilat shpreheshin se BE-ja me këtë vendim po humbet kredibilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe krerët e Qeverisë bullgare atëbotë e konsideruan si gabim të madh mos-çeljen e negociatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button