Jotova: Nëse nuk ka qëndrim të ri nga RMV, nuk mund të ketë anashkalim të vetos

Kemi kushte që i kemi vënë Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat më së shumti i referohen mbrojtjes së të drejtave të bullgarëve në Maqedoni, si dhe të drejtave të bullgarëve kudo që ka diasporë historike, njerëz me origjinë bullgare. Deri më tani, për fat të keq, RMV nuk e ka përmbushur kushtin e Bullgarisë, tha nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova gjatë një vizite në komunën rumune Vinga, transmeton Mia.mk.

Ajo shtoi se Bullgaria ka kushte të tjera që lidhen me të kaluarën tonë të përbashkët historike për sa i përket përmbajtjes së teksteve të historisë në arsimin e mesëm në RMV, të cilat përmbajnë “tekste me fakte të rreme” dhe “kualifikime shumë të shëmtuara negative për shtetin bullgar”.

“Kemi pretendime për hapjen e arkivave komuniste dhe persekutimin e personave me origjinë bullgare nga ish-shërbimet sekrete. Ne kemi një kusht që të ruajmë monumentet bullgare, monumentet tona të përbashkëta historike dhe të mos i përdhosim dhe asgjësojmë, siç është, për fat të keq, praktikë në RMV. Kemi kohë që i parashtrojmë këto kushte”, ka qenë kategorike Jotova.

“Nëse nuk ka qëndrim të ri nga RMV, nëse nuk ka propozim të ri nga partnerët tanë evropianë, anashkalimi i vetos do të thotë anashkalim i Asamblesë Kombëtare Bullgare, anashkalim i Këshillit Këshillimor të Sigurisë Kombëtare nga 10 janari dhe vendimeve të tij, anashkalim i qëndrimit kombëtar, sepse shumica e qytetarëve bullgarë ndajnë pikëpamjen, e cila ende mbrohet nga autoritetet bullgare në nivele të ndryshme. Për disa ditë do të ketë takim të ri të COREPER-it dhe Këshillit për Punë të Përgjithshme, do të shohim se çfarë obligimesh do të marrë pala maqedonase, të ofruara nga partnerët tanë evropianë”, tha ajo.

Sipas fjalëve të nënpresidentes: “Vendi ynë këmbëngul që bullgarët në RMV të regjistrohen si popull shtetformues në Kushtetutë dhe kjo të ndodhë para konferencës së parë ndërqeveritare. Natyrisht që nuk është më e mundur nën presidencën franceze.”

Nëdrkaq, kohë më parë Bullgaria tha se në qershor nuk do ta heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bazuar në qëndrimet e fundit të presidentit Rumen Radev. Megjithatë, nuk e përjashton as mundësinë që për çdo zgjidhje të mundshme të vendoset në referendum.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button