Samiti i Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore në hije të vizitës së Kancelarit gjerman Sholc në Ballkan

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

  • Vizita e kancelarit dhe samit rajonal
    Malinka Ristevska Jordanova

Në përfundim të presidencës franceze, kryeministri gjerman zgjodhi të vizitojë Ballkanin. Dhe jo vetëm Ballkani “Perëndimor”, por edhe Bullgarinë, si dhe për të marrë pjesë në Samitin e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Selanik – Greqi. Përkujtojmë se – ky proces është nisma më e vjetër rajonale (që nga viti 1996), mbështetja institucionale e së cilës është Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i themeluar më vonë, me seli në Sarajevë.

Mesazhet kryesore të kancelarit Olaf Sholc ishin: Gjermania do të vazhdojë të jetë një lojtar kyç në rajon; perspektiva për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet. Megjithatë, mbetet edhe qasja e pavendosur lidhur me kohën. Pavarësisht përmendjes së shpeshtë se procesi duhet të përshpejtohet, afate konkrete kohore nuk u përmendën.

Kjo vizitë solli më së shumti lëkundje lidhur me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. Është e qartë se presioni i Gjermanisë ndaj Serbisë po rritet në dy drejtime: harmonizimi me politikën e përbashkët të sigurisë të Bashkimit (sanksionet kundër Rusisë) dhe njohja reciproke me Kosovën. Reagimin dhe interesimin më të madh e shkaktoi deklarata e kancelarit Sholc, e dhënë në konferencën për media në Prishtinë se Serbia dhe Kosova do të duhet të njohin njëra-tjetrën para anëtarësimit në BE. Edhe pse ky qëndrim gjerman ka qenë në mënyrë implicite i qartë për një kohë të gjatë, presidenti serb ka reaguar ashpër ndaj tij, duke iu përmbajtur formulimit zyrtar të BE-së “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. Përkundër presioneve, Serbia për momentin mbetet në pozicionin e saj si në aspektin e sanksioneve ndaj Rusisë ashtu edhe në aspektin e njohjes me Kosovën. Risia e dytë është njoftimi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE, që kryeministri Kurti e paralajmëroi për në fund të vitit.

Edhe pas kësaj vizite shpresat se do të zhbllokohet fillimi i negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë nuk u shtuan. Kancelari gjerman nuk premtoi asgjë më shumë se të bëjë gjithçka që është e mundur për të nisur bisedimet e anëtarësimit. Megjithatë, ishte mjaft e qartë se “komuniteti i ri politik” i Makronit nuk ështe opsion për ne. Ai, në këto kushte gjeopolitike, iu referua nevojës për unitet në BE, si në Shkup ashtu edhe në Sofje, se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet. Në Sofje kjo ishte vetëm mundësi për kryeministrin bullgar Petkov për të theksuar kushtet e Bullgarisë, që zgjerohen vazhdimisht– ato që përmban Pozicioni KornizëBullgar nga viti 2019, kërkesën shtesë për ndryshimin e Kushtetutës dhe për të theksuar si të tretën – përmbushjen e marrëveshje dypalëshe për miqësi dhe fqinjësi të mirë.

Vëmendje e madhe gjatë vizitës iu kushtua investimeve gjermane dhe marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë në përgjithësi, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit. Kancelari Sholce veçoi tranzicionin energjetik si subjekt të interesit gjerman për mbështetje dhe investime.

Berlini është këmbëngulës për të ringjallur Procesin e Berlinit dhe paralajmëron presion më të madh për realizimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Nuk fshehen ngurrimi në lidhje me nismën e Ballkanit të Hapur. Sholc gjithashtu e paralajmëroi mbajtjen e një konferencë në vjeshtë në Berlin.

Ndryshe, më 23 qershor në Bruksel është caktuar Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor, kurse paralajmërohej edhe samit gjatë presidencës çeke në gjysmën e dytë të vitit, por nuk është konfirmuar.

Ndërkohë, Samiti i Procesit për të Bashkëpunim në Evropën Juglindore, që u mbajt më 10 qershor në Selanik, ishte shkas që kryeministri grek Mitsotakis të përpiqej të vendoste një objektiv kohor për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE në vitin 2033, duke e quajtur atë “ambicioz, por të realizueshëm”. Edhe pse viti 2033 tani duket si një e ardhme e afërt, është tridhjetë vjet pas agjendës së Selanikut. Fatkeqësisht, kjo deklaratë nuk fitoi shumë hapësirë ​​publike në vendin tonë, as nuk u bë pjesë e deklaratës së Samitit.

Megjithatë  publicitet të madh në publikun tonë, që tashmë është tupitur për humor, mori kryeministri shqiptar Edi Rama me deklaratën sarkastike, duke e quajtur Maqedoninë si “Bullgaria e ardhshme perëndimore”. Po, ai është sarkastik si gjithmonë, por është edhe i kthjellët dhe i saktë në vlerësimin e ambicieve bullgare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button