Kancelari gjerman Scholz sot për vizitë zyrtare në Shkup (FOTO)

Pas vizitës së realizuar në Kosovë, Serbi dhe Greqi, kancelari gjerman Olaf Sholc ka vazhduar vizitat zyrtare në Shkup. Ai është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me nderimet më të larta shtetëror e ushtarak, transmeton Portalb.mk.“Në vizitën zyrtare në vendin tonë, pati takim tet-a-tet me kryeministrin Kovaçevski, ku diskutuan për çështjet më të rëndësishme për raportet ndërmjet dy vendeve, si dhe çështjet me interes të përbashkët, lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe gjendjen aktuale me luftën në Ukrainë”, raportojnë nga kryeministria.

Pas takimit, Qeveria vlerësoi që Gjermania vazhdon të mbetet një nga mbështetësit kryesor në procesin eurointegrues të vendit, duke përfshirë Procesin e Berlinit si një mekanizëm për realizimin e rekomandimeve të BE-së.

“Në samitin e BE-së në qershor, nën kryesimin e Francës, në Bruksel pritet një mesazh i qartë dhe hap drejt zhbllokimit të procesit të zgjerimit me nisjen e bisedimeve për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një vend që i ka plotësuar kriteret dhe kushtet, dhe si një vendim strategjik për sigurinë në Evropë”, deklarojnë nga Qeveria.

Qeveria theksoi që më së shumti kompani në vendin tonë janë nga Gjermania, duke punësuar më shumë se 20 mijë qytetarë të vendit.

“Ballkani Perëndimor për Gjermaninë është me rëndësi strategjike dhe unë angazhohem për pranimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Do doja të theksoja se Gjermania është serioze për integrimin e vendeve të rajonit”, deklaroi kancelari.

Ai ka vlerësuar përkushtimin e vendeve për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit.

“Dua rigjallërimin e Procesit të Berlinit si shumë i rëndësishëm për vazhdimin e planit aksional për treg të përbashkët rajonal, që ishte vendosur para dy viteve në Sofje, e që ka të bëjë me garantimin e katër lirive: lirinë e lëvizjes se mallrave, të njerëzve, kapitalit dhe bashkëpunimit rajonal. Integrimi ekonomik ka rëndësi shumë të madhe për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, pasi kjo forcon ekonominë dhe përmirëson raportet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar Scholz.

Pas takimit ndërmjet kryeministrit dhe kancelarit, pasojnë takimet bilaterale ndërmjet dy delegacioneve.

Ndryshe, nga Shkupi, kancelari gjerman do të niset për në Sofje për takime me kryesinë shtetërore bullgare. Temat e takimeve në Shkup dhe Sofje pritet të jenë bllokada bullgare e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, zgjerimi i BE-së dhe lufta në Ukrainë.

Në fokus të turneut të tij ballkanik, siç njoftoi kabineti i tij, janë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe. Gjithashtu, tema kryesore e bisedës do të jetë, siç u njoftua në Berlin, reagimi i përbashkët ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button