Vetoja bullgare ngadalësoi reformat

Vazhdimi i vetos bullgare, që i pamundëson Maqedonisë së Veriut nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, edhe më shumë do ta zbehë vullnetin e realizimit të procesit të reformave, që janë përcaktuar si detyrë për vendin nga ana e Brukselit. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështjen e integrimeve, duke shtuar se gjasat janë shumë të vogla për tërheqjen e vetos deri në mbajtjen e samitit të BE-së më 23 qershor.

Shpresat mbeten edhe më të vogla pasi partia bullgare “Ka një popull të tillë”, e udhëhequr nga Sllavi Trifonov, të mërkurën bëri të ditur se largohet nga koalicioni qeverisës, duke tërhequr dhe tre ministrat e partisë në fjalë, përfshirë dhe Ministren e Jashtme bullgare, Teodora Gençovska.

Sllavi Trifonov, duke sqaruar arsyet e braktisjes së Qeverisë së kryesuar nga kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se krahas mosmarrëveshjeve rreth rishikimit të buxhetit të shtetit bullgar, largimi ka të bëjë me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht mundësisë së heqjes së vetos nga ana e kryeministrit Petkov.

Me largimin e kësaj partie, kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov, humbet shumicën parlamentare.

Por, edhe kundër kësaj, Petkov ka thënë se nuk do të lejojë që Bullgaria të futet në një spirale të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Gjatë vitit të kaluar, në Bullgari tri herë u organizuan zgjedhje parlamentare, pasi asnjëra nga partitë fituese nuk arrinte të formonte qeverinë.

Ish-kryeministri Naumoski thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha shpresat mbeten të varura tek angazhimi i zyrtarëve të lartë amerikanë për zhbllokimin e procesit të integrimeve dhe veçanërisht angazhimin personal të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili gjatë vikendit do të realizojë takim në Shkup dhe Sofje me drejtuesit e këtyre dy vendeve.

“Shohim se gjatë javëve të kaluara kemi aktivitet të përforcuar nga ana e kryesimit francez pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale franceze, angazhim personal të presidentit Macron, angazhim nga përfaqësues të lartë në administratën amerikane, komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin Radev, me kryeministrat e të dy shteteve, si dhe një angazhim të përforcuar nga ana e partnerëve të tjerë evropianë. Tani kemi dhe vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, edhe në Shkup edhe në Sofje, me çka besoj se do të bëhet përpjekje që të shteren të gjitha mundësitë që të ecet përpara”, thotë Naumovski.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, thotë se qytetarët e vendit nuk mund të mbeten peng i pritjeve para çdo samiti të Bashkimit Evropian.

Ai thekson se tashmë janë realizuar të gjitha kërkesat që ishin shtruar si detyrim nga Brukseli. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button