75% e të rinjve në vend jetojnë me prindërit e tyre (Infografik)

Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër vendet e para në Evropë ku përqindja e të rinjve të moshës 18 deri në 34 vjeç që jetojnë me prindërit e tyre është jashtëzakonisht e lartë, shkruan Meta.mk.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Maqedonia ngjitet në pozitën e katërt në listën e vendeve evropiane pas Malit të Zi, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Nuk ka pothuajse asnjë ndryshim në shifrat nga viti 2011 në 2020.

“Çmimet e qirave për të rinjtë janë të larta, krahas faktit që çmimet e blerjes dhe shitjes vitet e fundit janë rritur ndjeshëm dhe janë ende në rritje. Ndryshe nga të rinjtë në kryeqytet, për ata në brendi të shtetit, mënyra e vetme për të siguruar strehim të pavarur është të shkojnë në universitet ose të punojnë në ndonjë qytet tjetër ose të ndajnë banesën me partnerë, por ata që jetojnë vetëm në përgjithësi janë shumë pak. Për studentët çështja më e rëndësishme është të kenë kulm mbi kokë sesa t’i kushtojnë vëmendje cilësisë, ndërsa të rinjtë në zonat rurale nuk ndihen mjaft të gatshëm dhe të sigurt për të jetuar të ndarë”, janë përfundimet nga hulumtimi më i fundit i Organizatës për banim dhe qiramarrësve në bashkëpunim me Civica Mobilitas – “Të rinjtë dhe banimi”.

Në Ligji për Mbrojtje Sociale, nga viti 2009, është specifikuar se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ofron kompensim monetar për banim vetëm për dy grupe të rrezikuara: përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe personit i cili deri në moshën 18 vjeç e ka pas statusin e fëmijës pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, përkatësisht pas përfundimit të kujdestarisë, 2 më së shumti deri në moshën 26 vjeçare.

Për të rinjtë që nuk i përkasin asnjërit grup dhe të cilët nuk e kanë për qëllim të përfitojnë ndihmë të përhershme financiare, siç janë studentët, personat e komuniteteve të margjinalizuara (LGBTI, popullata rome, personat me aftësi të kufizuara) në Maqedoni nuk ka mundësi për ndonjë lloj banese sociale ose akomodim të hapur nëse vendosin të largohen nga shtëpia e prindërve.

Grupe të ndryshme të rinjsh përballen me stigma të ndryshme

Përveç banimit në konvikte apo apartamente me qira, me shumë shokë dhome, për studentët gjatë studimeve nuk ka mundësi të tjera për akomodim. Gjithashtu, shumë prej tyre pas përfundimit të fakultetit kthehen të jetojnë me prindërit, por duhet theksuar se për sa kohë që jetojnë bashkë me familjet, të rinjtë nuk mund të marrin vendime të pavarura.

Sipas të dhënave, të cilat i kanë grumbulluar hulumtuesit e Civica Mobilitas, studentët të cilët jetojnë në konvikte janë shumë pak aktivë në organizatat e shoqërisë civile, ndërsa ata që janë pothuajse nuk kanë fare njohuri lidhur me Ligjin për Banim.

OShC-të dhe organizatat studentore e pranojnë se për këto tema nuk zhvillohen shumë biseda, por thonë se është e nevojshme që dikush t’i drejtojë dhe mbështesë, sepse është një çështje e rëndësishme ekzistenciale, për të cilat ata si të rinj nuk kanë shumë njohuri që bazohet në përvojë.

“Që nga dita kur kemi biseduar me ekipin hulumtues e deri më sot situata nuk ka ndryshuar fare. Si organizatë studentore besojmë se është e nevojshme që dikush më me përvojë në këtë fushë të na prezantojë dhe të na orientojë lidhur me Ligjin për banim, sepse akomodimi i të rinjve është çështje që kërkon vëmendje të veçantë”, tha për Meta.mk Eva Cvetkovska, kryetare e Parlamentit Studentor Universitare në UKIM.

Mendimin e saj e ndajnë edhe nga organizata e qiramarrësve dhe për banim, prej ku rekomandojnë që të punohet në procese pjesëmarrëse përmes të cilave do të zhvillohen shërbime lokale për informim për banimin dhe skemat lokale, për t’iu ndihmuar të rinjve të kenë qasje në banim.

“Është e nevojshme të bëhet një doracak i shkurtër dhe lehtësisht i kuptueshëm në lidhje me të drejtat e banimit dhe qiranë, në të cilin më së shumti vëmendje duhet t’i kushtohet të drejtave të qiramarrësit”, thotë për Meta.mk, Maja Staleska, kryetare e ODS – Organizata për banim dhe qiramarrës.

Edhe pse të rinjtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut mund të identifikohen si grup vulnerabël për shkak të problemeve të shkaktuara nga varfëria dhe papunësia e lartë si dhe papunësia afatgjatë, çështja e banimit në mesin e të rinjve romë është një nga problemet më të mëdha që transmetohet ndër breza dhe kërkon vëmendje të veçantë.

Kur bëhet fjalë për riparimin e kushteve të këqija me të cilat përballen të rinjtë romë, të cilët shpesh janë pjesë të familjeve të madhe, lindin sfida të tjera, si mungesa e sigurimit shëndetësor apo e kushteve të shkollimit.

Vitet e fundit, legalizimi i banesave në vendbanimet ilegale është gjithashtu i rëndësishëm, përmirësimi i infrastrukturës dhe ndërtimit apo rinovimit të shtëpive, me ndihmën e fondeve të huaja për popullatën rome, për të cilat, fatkeqësisht, siç theksohet në hulumtim, nuk ka asnjë mënyrë tjetër rindërtimi.

Personat me aftësi të kufizuara përballen me problemin e qasjes në banesat sociale

Të gjitha banesat të cilat shteti i ndërton dhe i ofron si mundësi për akomodim social janë krejtësisht të paarritshme dhe nuk plotësojnë standardet për qasje, gjë që përbën një problem të madh për personat me çfarëdo lloj aftësie të kufizuar.

Në fakt, është një mungesë e dukshme e mundësive dhe modeleve për banim për të rinjtë, të cilët në një moment të caktuar, ndonëse kanë punë të përhershme, mund të mbeten pa strehë për një sërë arsyesh, si për shembull largimi nga shtëpia e prindërve apo kujdestarëve pa dëshirën e tyre. Përveç projektit “Blej shtëpi, blej banesë”, ku një person pa vendbanim të përhershëm, por me të ardhura mujore nën 900 euro mund të marrë kredi për të blerë një banesë apo për të ndërtuar shtëpi me kushte të favorshme që i ofron shteti, mundësi të tjera të ngjashme nuk ka.

“Është e nevojshme të punohet në zhvillimin e modeleve të strehimit gjithëpërfshirës në bazë të situatave faktike bazuar në praktikat pozitive dhe përvojat ndërkombëtare që do të ofrojnë jo vetëm opsione të banimit social apo strehimit të rregullt, por modele që do t’i japin përgjigje situatës socio-ekonomike, në të cilat ndodhen qytetarët apo gjendja e tyre aktuale (afatshkurtër) e rrezikut social”, thekson Staleska.

Ajo thekson se është e rëndësishme mobilizimi i organizatave rinore dhe organizimi i avokimit për përfshirje të konsiderueshme të të rinjve gjatë hartimit të politikave për banim, por edhe se duhet të bëhet analizë cilësore e raportit ndërmjet politikave të punësimit dhe mundësive për banim.

“Mbi të gjitha duhet të punohet në procese pjesëmarrëse nëpërmjet të cilave do të zhvillohen shërbime lokale për informim lidhur me banimin dhe skema lokale për t’iu ndihmuar të rinjve të kenë qasje në strehim, sepse është e nevojshme të ngritët niveli i njohurive i të rinjve për banimin, të drejtat dhe mundësitë që lidhen me të“, vë në pah Staleska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button