fbpx

Mediapool: Tre opsione për tejkalimin e krizës politike në Bullgari

Pasi dje, jo krejt papritur, shoumeni dhe një politikan relativisht taze, Slavi Trifonov, njoftoi  se ministrat në qeverinë katër partiake të Bullgarisë, nga partia e tij “Ka një popull të tillë” (ITN) do të ngrihen nga kolltukët për shkak të kundërshtimit të ashpër nga partnerët e qeverisë lidhur me politikën ndaj Maqedonisë së Veriut dhe shpenzimin e parave të shtetit, sajti bullgar i lajmeve mediapool.bg parashikon tre zgjidhje të mundshme për zhvillime të mëtejshme, transmeton Meta.mk.

Koalicioni e deritanishëm qeverisës prej katër partish, i përbërë nga “Prodolzhuvame so Promenata (PsP)” (Vazhdojmë me Ndryshimet), Partia Socialiste Bullgare (BSP), ITN dhe Bullgarisë Demokratike (DB) u formua në dhjetor të vitit të kaluar, pas zgjedhjeve të dyta të parakohshme parlamentare. Koalicioni ka 134 anëtarë në parlamentin prej 240 vendesh.

Nëse të gjithë 25 deputetët e ITN-së tërheqin mbështetjen e tyre, qeveria mbetet në pakicë, me 109 vota nga 121 që nevojiten për të “kaluar” vendimet e saj. Kështu gjatë çdo votimi opozita do të ketë më shumë vota dhe mund të bllokojë të gjitha projektligjet dhe vendimet e dorëzuara nga qeveria, shkruan mediapool.bg.

Kështu, zgjedhjet e reja të parakohshme janë një zhvillim logjik i situatës, qoftë ato të shpallen menjëherë apo me një vonesë të vogël.

Variantet për të “mbetur” qeveria janë dy- ose të gjejë partner të ri zyrtar ose jozyrtar të koalicionit, ose kryeministri Kiril Petkov do të vazhdojë me “qeverinë e pakicës”. Por ekziston edhe opsioni i tretë – qeveri e re në kuadër të ndarjes aktuale të forcave parlamentare.

Varianti për qeverinë e pakicës

Që një qeveri e pakicës të funksionojë, duhet të kërkojë “shumicë të luhatshme dhe marrëveshje me opozitën për çdo votim”. Në një situatë të tillë, qeveria do të varet nga partitë opozitare GERB dhe DPS, të cilat kur Petkov erdhi në pushtet kërcënoi se do t’i izolonte. Teorikisht vota mund të kërkojnë edhe nga “V’zrazhdane”, por qëndrimet ekstreme nacionaliste dhe proruse të kësaj partie e bëjnë pak të mundur këtë skenar, shkruan mediapool.bg.

Por nëse arrihet te varianti i shumicës së luhatshme, atëherë do të vihen në pikëpyetje të gjitha reformat e premtuara dhe të pafilluara, duke filluar nga reforma në drejtësi. Arsyeja për këtë është se GERBI DPS deri tani i ka sabotuar të gjitha përpjekjet për reforma thelbësore në këtë fushë.

Për më tepër, çështja se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme do të jetë tërësisht në duart e deputetëve të ish-qeverisë, përfshirë DPS, të cilët mund të rrëzojnë “qeverinë e pakicës” në çdo kohë me votimin e  mosbesimi.

A është e mundur qeveria e shumicës?

Është e mundur që skenari i varësisë nga GERB dhe DPS të shmanget.

Prej muajsh flitet se grupi parlamentar i ITN do të ndahet dhe një pjesë do t’i bashkohen opozitës, ndërsa pjesa tjetër do t’i qëndrojë besnik qeverisë. Sipas informacioneve në mediapool.bg. bisedime të tilla janë zhvilluar në këtë grup parlamentar, por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për ndarjen. Vetë kryeministri la të kuptohet se problemi i qeverisë mund të zgjidhet me ndarjen e grupit parlamentar të ITN.

“Nuk e dimë nëse do të jenë 12 deputetë, por shpresojmë që në ITN të ketë njerëz që kanë vendosur të ndryshojnë Bullgarinë me të njëjtat synime m të cilat u nisëm edhe ne. Dhe të paktën 12 prej tyre, ndërsa shpresojmë do të jenë 15, 20, të cilët mund të ndjekin të njëjtin parim”, thotë Petkov.

Jozyrtarisht, shkruan mediapool.bg, deputetët e ITN-së pranojnë: “askujt nuk i pëlqen ajo që thotë Slavi” si dhe “as opozitës nuk i shkohet në zgjedhje për momentin”. Megjithatë, thonë se nuk është ende e qartë nëse grupi parlamentar do të ndahet në dobi të shumicës qeverisëse. Në konferencën e djeshme për media, kryeministri Kiril Petkov jo rastësisht përmendi se Grozdan Karaxhov “u lëshua, prej kushedi ku” si zëvendëskryeministër dhe ministër i kuotës së ITN-së. E njëjta gjë, në grupin parlamentar të ITN thuhet për Teodora Gençovska, e cila deri dje ishte Ministre për Punë të Jashtme.

Prandaj, deklarata e Petkovit mund të shihet si lajkatare ndaj atyre në ITN të cilët që në fillim ishin të pakënaqur me përzgjedhjen e ministrave.

A mundet Trifonov t’i “tërheqë ministrat” ​​ashtu kot?

Në të gjithë situatën, ka edhe një tjetër pasiguri, shkruan mediapool.bg. Duke e shpallur dje vendimin për largim nga shumica qeverisëse, shoumeni Trifonov njoftoi: “Nga sot po i tërheq ministrat e ITN-së dhe i jap fund këtij koalicioni dhe kësaj agonie”.

Por gjërat nuk janë aq të thjeshta, sepse Trifonov nuk ka se si të “tërheqë” dikë nga qeveria. Vetë ministrat nga radhët e partisë duhet të japin dorëheqje ose dorëheqje të kërkohet nga kryeministri Kiril Petkov.

Ndonjëherë kur një parti vendos të largohet nga qeveria, kështu bëjnë edhe ministrat në radhët e saj. Kështu, në qeverinë e fundit të GERB-it, Emil Karanikolov mbeti ministër i ekonomisë shumë kohë pasi partia nacionaliste “Ataka” nga e cila u zgjodh, doli në opozitë. Një rast tjetër të tillë ka pas edhe në qeverinë e dytë të GERB-it, kur DSB-ja u largua nga qeveria, por Petar Moskov, i cili në atë kohë ishte anëtar i partisë, mbeti ministër i Shëndetësisë, shkruan mediapool.bg.

Në kabinetin aktual ministra të ITN-së janë: Ministrja e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Rajonal Grozdan Karaxhov, Ministri i Rinisë dhe Sportit Radostin Vasilev dhe Ministri i Energjisë Aleksandar Nikollov.

Nga ajo që tha kryeministri Petkov është kristal e qartë se Grozdan Karaxhov nuk do të mbetet ministër edhe nëse dëshiron ai vetë. E njëjta gjë vlen edhe për Gençovskën. Me gjasë ministri i Sportit Radostin Vasilev do ta respektojë vendimin e Trifonovit. Më herët të mërkurën, pasi ministrat e ITN u larguan nga seanca e Qeverisë, ai u shfaq në parlament për të folur me grupin parlamentar të partisë së tij.

Ka gjasa që ministri i Energjisë Aleksandar Nikollov të mbetet ministër. Dihet se ai ishte i “emancipuar” nga ITN, për çka Trifonov ishte i pakënaqur që Nikollov nuk është ministër “i tij”, por Petkovit, ndryshe nga Karaxhov dhe Gençovska.

Varianti i tretë – qeveri e re në përbërjen aktuale parlamentare

Nëse Kiril Petkov dështon në synimin e tij të deklaruar për të vazhduar të qeverisë pa ITN, para se të shkohet në zgjedhje të reja, ekziston edhe një opsion tjetër – një qeveri e re brenda përbërjes aktuale parlamentare shkruan mediapool.bg.

Por një kabinet i tillë qeveritar vështirë do të realizohej. GERB ka 59 deputetë, DPS 34 dhe partia e re opozitare ITN ka 25 deputetë. Të tre partitë së bashku kanë 118 vota dhe ashtu si koalicioni aktual qeverisës do të ishin qeveri e pakicës. Nëse iu shtohen edhe 13 deputetë të “V’zrazhdane”, do të arrihej një shumicë prej 132 deputetësh, por koalicion mes kësaj partie dhe DPS-së duket i pamundur.

Me rënien e qeverisë aktuale, ekziston një variant tjetër, teorikisht – BSP të hyjë në koalicion me GERB, DPS dhe ITN dhe shumica do të ishte 144 deputetë. Por tani për tani, BSP është shprehur në mbështetje të kabinetit të Kiril Petkovit.

Për momentin është e sigurt se asnjë parti nuk ka interes për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke pasur parasysh informacionet që vijnë nga agjencitë e vlerësimit për disponim “antisistemik” të votuesve, gjë sqë mund ta ngrejë më lartë “V’zrazhdane”, deri në pozitë të forcës ë dytë politike. Kjo do të nënkuptonte një periudhë të re të gjatë të paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë politike, si dhe një kabinet zyrtar qeveritar të emëruar nga presidenti Rumen Radev, i cili do të shfrytëzonte mundësinë për ta kthyer timonin kah Moska shkruan mediapool.bg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button