Specialja u vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit, i refuzoi kërkesat e tyre

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim që ish-presidenti Hashim Thaçi, e ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të qëndrojnë në paraburgimm raporton Kallxo. Në arsyetimin e dhënë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se ekziston rreziku i ikjes, ndikimit në procedurë e mundësia e shkatërrimit të provave.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendimin e Speciales.

Specialja më tej ka vlerësuar se duke pasur parasysh ndikimin dhe autoritetin e Thaçit në të kaluarën, nuk ka garanci që ndaj të njëjtit të caktohet arresti shtëpiak.

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se është konstatuar rreziku që z. Thaçi të arratiset në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij nga pozitat që ai i ka mbajtur në të kaluarën, e që mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve të OVL-UÇK-së e që mund t’i ndihmojnë atij të arratiset, duke siguruar qasje në informata e fonde”, sqarohet në vendim.

Gjyqtari Guillou më tej ka argumentuar se po ashtu ekziston mundësia e shkatërrimit të provave që sipas tij, do të ndikonin në procedurën penal.

“Është përcaktuar rreziku i lartë i frikësimit ose ndërhyrjes për dëshmitarët dhe/ose anëtarët e familjes së tyre nuk mund të zbutet në mënyrë efektive duke u mbështetur vetëm në masat mbrojtëse. Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se heqja e masave mbrojtëse dhe zbulimi i vazhdueshëm i materialeve rrisin më tej rrezikun e pengimit”, përshkruhet më tej.

Në vendimin e gjyqtarit për çështjen e Thaçit, përmendet se mbrojtja nuk ka ofruar ndonjë propozim të ri për lirimin me kusht.

“Mbrojtja nuk ka ofruar ndonjë propozim të ri lidhur me kërkesën për lirimin me kusht të Thaçi tek [REDAKTUAR], por thjesht përsërit propozimet e saj që janë shqyrtuar dhe refuzuar. Gjithashtu, gjyqtari i procedurës paraprake nuk është i bindur se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk mund të konsiderohet më proporcional. Nuk ka zhvillime të tjera ndërhyrëse lidhur me këtë çështje”.

Argumente të ngjashme janë dhënë edhe për Kadri Veselin, ku kjo gjykatë ka refuzuar lirimin me kusht. Specialja ka konkluduar se duke pasur parasysh autoritetin e tij në të kaluarën, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë.

“Më parë është konstatuar se Veseli ka aftësinë për t’i dhënë udhëzime një individi që vepron me Gjykatën Speciale, duke ndërhyrë drejtpërdrejt, dhe ai vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në Kosovë, të cilat do t’ia mundësonin atij të kishte akses në informacione. Gjyqtari kujton se provat zbulojnë që përderisa Kadri Veseli ishte në krye të SHIK-ut, anëtarët e kësaj organizate ishin të përfshirë në ndikim te dëshmitarët. Në çdo rast lidhur me pretendimin e mbrojtjes se z. Bllaca kurrë nuk ka qenë agjent i SHIK-ut, gjyqtari konsideron se ky argument nuk ndryshon konstatimet e përfshira në aktgjykim”, sqarohet në arsyetim.

Arsyetime të tjera rreth vazhdimit të paraburgimit të përmendura në vendim citohen të jenë edhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera që ndërlidhen me Specialen.

“Gjyqtari i procedurës paraprake është ende i bindur se [REDAKTUAR] 62 ilustron rrezikun që me ndërhyrjen e tij në një çështje që përfshin Dhomat Specializuara duke i dhënë udhëzime një individi, Veseli mund të ushtrojë ndikimin e tij në Kosovë për të penguar procedurat e kësaj gjykate”, thuhet në vendim.

Në konkluzionin e dhënë kjo gjykatë po ashtu ka përmendur rrezikun që Veseli mund të arratiset apo të kryejë krime të mëtejme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar prova.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në prill të këtij viti, ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime sipas prokurorisë janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetishtë.
Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Lidhur me këto raste, katër krerët e UÇK-së akuzohen për krime dhe vrasje, tortura, keqtrajtim në bazë të përgjegjësisë komanduese.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të vitit 2020 nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Sipas prokurorisë së specializuar gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli akzuohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button