RMV, presidenti Pendarovski e promovoi kornizën zhvillimore “MKD2030”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se në vitin 2020 rreth 21,8 për qind e popullsisë së vendit jetonin nën kufirin e varfërisë dhe për shkak të efekteve të kombinuara të krizës shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, ky numër sot është më i lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski e promovoi Kornizën Zhvillimore “MKD2030” si vizion afatgjatë për zhvillimin dhe për të ardhmen e vendit.

“MKD2030” përcakton politikat që duhet të arrihen deri në dekadën e ardhshme dhe fushat në të cilat shteti duhet të fokusohet për përparim dhe jetë më të mirë të qytetarëve.

Në promovim, presidenti Pendarovski, tha se është shqetësues diagnostikimi i problemeve me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut me vite, duke shtuar se vendi ka rritje modeste ekonomike, nivel të ulët të konkurrencës dhe përfshirje të pamjaftueshme në zinxhirët e prokurimit ndërkombëtar.

Duke nënvizuar se korrupsioni, klientelizmi dhe ekonomia e zezë janë të pranishme në vend që nga pavarësia, presidenti Pendarovski shtoi se zhvillimi aktual i vendit është i paqëndrueshëm në aspektin mjedisor, jogjithëpërfshirës në aspektin social,​ i pabalancuar në aspektin rajonal dhe i cenueshëm nga energjia.

“Në vitin 2020, rreth 21,8 për qind e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë, që është dyfish më e lartë në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian. Për shkak të efekteve të kombinuara të krizës shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, ky numër sot është më i lartë, të rinjtë po migrojnë në mënyrë masive, qytetarët janë bërë pasivë dhe apolitikë, ndërsa mosbesimi në institucionet është kronik”, tha presidenti Pendarovski.

Prioritetet e kornizës zhvillimore “MKD2030” janë rritja e përshpejtuar ekonomike, mbrojtja më e lartë e mjedisit dhe politika e reformuar e energjisë, digjitalizimi dhe arsimi, zhvillimi gjithëpërfshirës dhe rinia.

Korniza zhvillimore “MKD2030” është një dokument autentik i përgatitur përmes një procesi konsultimi me institucionet vendase, sektorin e biznesit, komunitetin akademik, organizatat civile dhe ndërkombëtare dhe profesionistë të shquar në shumë fusha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button